Kurti zbulon lëvizjen e radhës pas certifikimit të rezultateve

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhjet e fundit s’ishin të dëshiruara nga partia e tij, por është shprehur i kënaqur që LVV-ja ka dalë sërish forcë e parë politike.

Kurti ka thënë se kjo është fitorja e pestë e subjektit të tij në shtatë vitet e fundit.

“Na u imponuan zgjedhjet. Ne nuk i donim. Por ne jemi përsëri në krye. Kjo është fitorja jonë e pestë në shtatë vitet e fundit. Tani kemi 43 për qind, por ende pa votat e diasporës”, ka deklaruar në një intervistë për gazetën austriake “Die Presse”,

Tutje, Kurti ka bërë të ditur se pas certifikimit të rezultateve përfundimtare do të nisin bisedimet me partitë e tjera për formimin e institucioneve.

“Jemi në pritje të rezultatit përfundimtar dhe më pas do të hyjmë në bisedime me partitë tjera. Herën e fundit kishim deputetë nga të gjitha grupet etnike në qeverinë tonë. Dhe jam i sigurt se do të mbetet kështu”, ka thënë Kurti.

Bëhet e ditur: Ja kur pritet të ekzekutohen 100 eurot për sektorin privat

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka reaguar lidhur me vonesat në shpërndarjen e 100 eurove të premtuara nga qeveria në detyrë për punëtorët e sektorit privat.

Në Kanal10, Azemi tha se procesi i realizimit të kësaj mase kishte ngecur, duke krijuar pasiguri te përfituesit.“Veprimet për këto shtesa ranë në një farë gjumi dhe ne e pamë që diçka nuk po funksiononte. Është normale që pas kërkesave të punëtorëve, na u desh të intervenojmë dhe të kërkojmë publikisht nga kryeministri dhe ministri i Financave që t’i ngrisin këto çështje”, deklaroi ai.

Sipas Azemit, megjithëse bëhet fjalë për një shumë jo të madhe, ajo është premtuar dhe punëtorët kanë të drejtë të dinë se kur do të realizohet pagesa.

“Është një shumë e vogël, e premtuar, dhe punëtorët dëshirojnë ta dinë se kur do të ndodhë kjo”, tha ai.

Kryetari i sindikatës bëri të ditur se, bazuar në informacione jozyrtare që disponon organizata që ai drejton, procesi i ndarjes së mjeteve pritet të nisë shumë shpejt.

“Sipas informacioneve tona jozyrtare, kjo ndarje e mjeteve do të fillojë nesër, eventualisht më së largu të hënën”, u shpreh Azemi.

Nis numërimi i votave të mërgatës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur numërimin e votave të diasporës. Për zgjedhjet e 7 qershorit, rreth 104 mijë e 500 qytetarë ishin regjistruar për të votuar përmes postës, ndërsa në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës në mbarë botën votuan 22 mijë e 414 persona.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri të enjten ka përfunduar procesi i verifikimit dhe numërimit në 35 qendra komunale të numërimit, ndërsa numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara, që u përkasin të gjitha QKN-ve, ka arritur në 2 mijë e 271.

“Qendrat Komunale që ende nuk e kanë përmbyllur aktivitetin janë qendra komunale në Gjilan, Prizren dhe Prishtinë. Pra, nga numëri i përgjithshëm prej 38 qendra komunale në 35 prej tyre ka përfunduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime të dielën”, deklaroi Elezi para gazetarëve.

Interesimi i diasporës për këto zgjedhje ishte i lartë, ndërsa në Kosovë pjesëmarrja e qytetarëve në votime u vlerësua si një nga më të ulëtat ndonjëherë.

Nënkryetarja e PDK-së në Prishtinë rikthen ligjëratat e ushtarëve të UÇK-së në shkollat e Prishtinës

Nënkryetarja e Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë ka iniciuar rikthimin e ligjëratave nga ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në shkollat fillore dhe të mesme të kryeqytetit.

Ky vendim sipas saj, synon të njoftojë brezat e rinj me historinë e lavdishme të luftës çlirimtare dhe sakrificën e dëshmorëve për lirinë e vendit.

Ky projekt, sipas Musmuratit, vjen si një nevojë e domosdoshme për të plotësuar programin jashtëkurrikular me dëshmi të gjalla nga ata që morën pjesë direkt në çlirimin e vendit.

Ligjëratat do të përqendrohen në vlerat e paqes, lirisë dhe rëndësinë e dokumentimit të së kaluarës.

Këtu mund të gjeni postimin e plotë:

E rëndë: Të shtëna me armë zjarri drejt autobusit në Malishevë

Një incident i rëndë është shënuar në Malishevë, ku një autobus është sulmuar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.

Sipas informacioneve të para, ndaj mjetit të transportit janë shkrepur plumba, duke shkaktuar panik te pasagjerët, por për fat të mirë nuk raportohet për persona të lënduar.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, identifikimin e autorëve dhe motiveve që çuan deri te ky sulm.

Ngjarje të tilla, të kryera në hapësira publike dhe ndaj mjeteve të transportit të qytetarëve, përbëjnë një cenim serioz të sigurisë publike dhe kërkojnë reagim të shpejtë e efikas nga organet e rendit.

Dalin pagat “e shumë përfolura”

Sindikata e Punëtorëve të RTK’së ka njoftuar se u janë ekzekutuar pagat.

Në njoftimin e sindikatës thuhet se meqë kërkesa e tyre është plotësuar, protesta e paralajmëruar anulohet, shrkuan Reporteri.net.

“Sindikata e Punëtorëve e Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) njofton të gjithë punëtorët e RTK-së se sot është realizuar pagesa e plotë e pagave, kërkesë kjo e sindikatës sonë për të cilën protestuam të martën e kësaj jave. Duke qenë se kërkesa për pagesën e pagave është përmbushur, SPERTK njofton se protesta e paralajmëruar anulohet, pasi qëllimi sindikal për të cilin u organizua është arritur. Ky është rezultat i qëndrueshmërisë, unitetit dhe solidaritetit të punëtorëve të RTK-së, të cilët dëshmuan se mbrojtja e të drejtave të tyre është mbi çdo interes tjetër”, thuhet në njoftim.

Sindikata ka thënë se në ditët në vijim do të angazhohen për realizimin e pagës së 13-të dhe për rritjen e shumës së shujtës ditore.

“Mirënjohje të veçantë shprehim për të gjitha mediet që përcollën me profesionalizëm shqetësimet dhe kërkesat tona, për Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, për Sindikatën e KEK-ut, për organizatat e shoqërisë civile, si dhe për European Centre for Press and Media Freedom, të cilat na mbështetën publikisht në përpjekjen tonë të drejtë për mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave të punëtorëve të RTK-së. SPERTK thekson se angazhimi ynë sindikal nuk përfundon me kaq. Përkundrazi, kjo është dëshmi se organizimi sindikal, solidariteti dhe veprimi i përbashkët japin rezultate konkrete në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punëtorëve”, thuhet në njoftim./Reporteri.net

Hoti: Projekti i gazit amerikan është kauzë për protesta deri në largimin e qeverisë

Ish-deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për qasjen ndaj projektit të gazit amerikan dhe politikave energjetike, duke thënë se kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me orientimin gjeopolitik të vendit dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Hoti ka ngritur tri pyetje kryesore për ekzekutivin.

“Pse Kurti e refuzon projektin e gazit amerikan, në situatën kur të gjitha vendet e rajonit po përfshihen në këtë projekt strategjik për të dalë nga sfera e ndikimit rus? Pse Kurti nuk ka bërë absolutisht asgjë në gjashtë vite të qeverisjes së tij sa i përket ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike? Kujt i intereson që Kosova të vijojë të jetë e varur nga importi i energjisë?”, ka shkruar ai.

Sipas Hotit, këto janë pyetje që duhet t’i shtrojë çdo politikan dhe qytetar, ndërsa ka kritikuar edhe partitë opozitare për, siç tha ai, mungesën e reagimit të mjaftueshëm ndaj kësaj teme.

“Është për keqardhje të shohësh sa me lehtësi e tejkalojnë këtë temë disa opozitarë, të cilët mjaftohen me përdorimin e saj vetëm në kohë zgjedhjesh”, është shprehur ai.

Ish-kryeministri ka vlerësuar se projekti i gazit amerikan nuk është vetëm një çështje ekonomike, por lidhet me sigurinë energjetike dhe orientimin strategjik të Kosovës.

“Nuk bëhet fjalë për një projekt të zakonshëm ekonomik, por për orientimin gjeopolitik të Kosovës, për sigurinë energjetike dhe për aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Heshtja përballë një dëmi të tillë nuk është neutralitet – është bashkëfajësi”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka përmendur gjithashtu suspendimin e Kosovës nga stërvitja ushtarake Defender Europe 23 në vitin 2023 dhe pezullimin e dialogut strategjik Kosovë-SHBA në shtator të vitit 2025, duke i cilësuar si çështje që, sipas tij, do të duhej të mobilizonin opozitën dhe qytetarët.

Hoti ka përfunduar duke thënë se aktiviteti opozitar duhet të ndërtohet mbi kauza shtetërore dhe jo mbi interesat për poste politike./Zëri