LDK në Prizren fton votuesit e saj të votojnë për Shaqir Totajn

Në prag të ditës së zgjedhjeve për rundin e dytë në Prizren, Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje për mobilizim të plotë të strukturave dhe mbështetësve të saj, në përkrahje të kandidatit për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, në kuadër të marrëveshjes së bashkëqeverisjes LDK–PDK.

“Nesër është dita vendimtare për ta dëshmuar angazhimin tonë në kuadër të marrëveshjes së bashkëqeverisjes LDK–PDK, dhe për ta mbështetur z. Totaj për kryetar të Prizrenit,” thuhet në njoftimin e LDK-së.

Subjekti ka kërkuar nga të gjitha strukturat që të jenë të pranishme dhe aktive gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve.

“Ju lusim që gjatë ditës së nesërme të aktivizoheni maksimalisht, të kontaktoni kryesitë e nëndegëve dhe përkrahësit tanë, dhe të sigurohemi që çdo votë e jona të jetë e pranishme dhe e numëruar,” theksohet në njoftim.

Në fund, LDK ka përcjellë një mesazh të qartë për unitet dhe bashkëpunim:

“Ky është momenti për angazhim dhe për fitore të përbashkët. Fitore✌️

 

Rriten çmimet e naftës
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka njoftuar për zhvillimet e fundit në tregun global të naftës dhe ndikimin e tyre në çmimet vendore. Ai për IndeksOnline ka theksuar se, pavarësisht rritjes së ndjeshme të naftës në bursat botërore, çmimet në Kosovë mbeten stabile dhe më të ulëta krahasuar me vendet e rajonit.

Sipas Berjanit, indeksi Crude Brent, që ndikon në çmimet ndërkombëtare të naftës, është rritur mbi 5%, duke u tregtuar rreth 65.85 dollarë për fuçi.

“Kjo rritje erdhi pas sanksioneve të reja amerikane ndaj kompanive kryesore ruse të naftës, që ngriti shqetësime për një furnizim më të kufizuar në nivel global. Në të njëjtën kohë, rezervat e naftës në SHBA ranë në mënyrë të papritur. Kombinimi i këtyre faktorëve ka ringjallur frikën për tregjet e energjisë dhe ka treguar se sa shpejt zhvillimet gjeopolitike mund të lëvizin çmimet e naftës” – ka theksuar Berjani.

Ai ka bërë të ditur edhe çmimet aktuale të derivateve në vend:

• Diesel: 1.17€ deri 1.26€ • Benzinë: 1.18€ deri 1.27€

Në krahasim me rajonin, Kosova vazhdon të ketë çmimet më të ulëta të derivateve, sipas të dhënave të Berjanit:

Shqipëri : • Dizel: 1.98 € • Benzinë: 1.99 €

Serbi: • Dizel: 1.88 € • Benzinë: 1.99 €

“Qytetarët tanë janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në rajon,” – ka deklaruar ai.

Berjani thekson se ndonëse në tregun botëror po vërehet rritje ekstreme e çmimit të naftës, në Kosovë çmimi mbetet stabil.

“Në tregun botnor nafta është duke u rritur ekstrem, por te ne në Kosovë çmimi është stabil. Faktorët janë embargoja e Trumpit ndaj kompanive më të mëdha ruse. Më vjen keq se çmimi nuk është duke rënë në tregjet ndërkombëtare, por është në rritje, ndërsa në Kosovë çmimi është stabil.” – ka thënë Berjani për IndeksOnline.

Sa i përket zhvillimeve në ditët në vijim, Berjani nuk parashikon ndryshime të menjëhershme në tregun kosovar:

“Çfarë çmime do të kemi në ditët në vijim, s’mundemi me paragjyku, sepse në bursë po ka rritje ekstreme të naftës, por te ne nuk ka rritje të çmimit,” – ka theksuar ai.

Në fund, ai ka bërë të ditur edhe të dhënat e fundit për çmimin e furnizimit:

“Sot, përafërsisht çmimi i furnizimit është 1.12 cent për dizellin, ndërsa me pakicë shitja është 1.17 cent. Qytetarët tanë janë duke u shërby me çmimet më të lira në rajon,” – ka përfunduar Berjani.

Incidenti në veri – “Kjo është Banjska 2”, publikohen pamjet, ku mbeti i plagosur qytetari

Avokati Ivan Niniq ka publikuar në llogarinë e tij në X foto të makinës së shkatërruar të Millan Vukashinoviqit nga Leposaviqi, i cili u plagos nga forcat e xhandarmërisë serbe fundjavën e kaluar në rrethana të paqarta pranë fshatit Jelakce, dhe u transferua në një spital në Nish, ku mjekët po luftojnë për jetën e tij.

Niniq tha se “Vukashinoviq është qëlluar padyshim me një plumb serb, si një kafshë”.

Së bashku me këto pretendime, ai bashkëngjiti edhe foto të makinës së shkatërruar që i përkiste Vukashinoviqit, teksa bëri thirrje për bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë pasi, sipas tij, “kjo është Banjska 2”.

“Makina e Milanit, e cila u shkatërrua gjatë sulmit ndaj tij, u gjet sot! I bëj thirrje EULEX-it dhe KFOR-it të kryejnë një hetim në vendngjarje, por komunitetit ndërkombëtar të reagojë, sepse kjo është ‘Banjska 2’”, tha avokati Niniq.

“Fiton bindshëm” – Shala tregon kush fiton nesër në Prishtinë

Nesër do të mbahen zgjedhjet e balotazhit në Kosovë.

Gara më interesante do të jetë në Prishtinë, ku kandidatë janë Përparim Rama dhe Hajrulla Çeko.

Sipas Shalës, Përparim Rama do të jetë fitues i bindshëm.

Pak orë para zgjedhjeve arrihet një koalicion në Klinë

Në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, në komunën e Klinës është arritur një marrëveshje e re bashkëpunimi mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK).

Zenun Elezaj ka njoftuar se në zyrën e AAK-së në këtë komunë ka pritur kryetarin e degës së PSHDK-së, Tush Berisha, dhe sekretarin e degës, Lorenc Culaj.

“Me PSHDK-në kemi arritur një marrëveshje parimore për mbështetje në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që do të mbahen nesër”, ka shkruar Elezaj.

Elezaj i AAK’së do të përballet me Sokol Bashotën e PDK’së në raundin e dytë të zgjedhjeve.

 

“Do t’i dal zot kësaj toke deri në vetëflijim”- Peci ndez “motorët” e patriotizmit në Mitrovicë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka “ndezur” motorët e patriotizmit në tubimin përmbyllës para raundit të dytë të zgjedhjeve (9 nëntor).

Peci, duke tentuar të rimojë me një gjuhë populiste, tha se është në gjendje edhe të flijohet për qytetin nëse bëhet kryetar i Mitrovicës, shkruan Insajderi.

“Si i pari i Mitrovicës do t’i dalë Zot kësaj toke e kësaj treve, duke i shërbyer me përulësi, e përkushtim dhe nëse është e nevojshme deri në vetëflijim“, deklaroi ai.

Ndër të tjera, Peci përdori gjuhë të vrazhdtë për kundërshtarët politikë, duke e paraqitur partinë e tij si çlirimtare dhe partitë e tjera si tradhtare.

“Fushata ishte e egër në Mitrovicë si asnjëherë më parë në histori, sepse Mitrovica është një betejë, po përplasen trashëgimitë politike. Trashëgimia që kishte angazhimet për zhvillim, sovranitet që nuk ka çmim, as nuk ka kthim dhe, në anën tjetër, kishim pjesën e fushatës së egër të pasuar nga trashëgimia e errët që Ujmanin e shihte të gatshëm ta ndante me Serbinë. Të gatshëm për çdo kompromis, të gatshëm të bëjnë kompromise edhe me Serbi edhe me Rusi. Ata s’janë të gatshëm që Kosova të ketë qeveri, sepse s’kanë probleme me Radoiçiqin dhe Listën Srpska, por problemet i paskan me Albin Kurtin”, deklaroi ndër të tjera ai.

Kajtazi tregon kë do ta votojë në balotazh
Gazetari Vehbi Kajtazi ka treguar se për cilin kandidat do të votojë në balotazh.
Ai ka bërë të ditur se preferenca e tij është Përparim Rama, pasi që sipas tij Rama ka luftuar përball një regjimi bllokues.

“Na te Istogut, ndonse e kishim kryetarin Ilir Ferati, u dashte ta rikonfirmonim voten per te. Une nuk votoj atje, por angazhimin e kisha per rikonfirmimin e Ilirit. Ne Prishtine na pret edhe nje raund votimi. Do ta votoj Perparimin sepse eshte me i mire se kunderkandidati dhe ka luftuar me dinjitet ne perballje me nje regjim bllokues”, thuhet në postimin e Kajtazit në Facebook.

Përpos në Prishtinë, Kajtazi ka treguar edhe preferencën e tij në Mitrovicë.

Në Mitrovicë ai ka thënë se do ta votonte kandidatin e PDK-së, Arian Tahirin.

“Mitrovica si epiqendra e perplasjes se demokracise me autokracine eshte fokusi tjeter im. Po te isha votues ne Mitrovice, me kenaqesine me te madhe do ta votoja Arian Tahirin i cili po perballet me regjimin si askush tjeter deri sot. Pos te tjerash, Ariani nuk eshte hajn. Shpresoj te fitoje demokracia perballe autokracise”, thuhet në postimin e Kajtazit.

Përurohet droni “Made in Kosova”, Kurti: Shteti ynë po shndërrohet në vend që prodhon

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar të shtunën për përurimin e dronit “Skifteri” të prodhuar në Gjilan nga kompania “Future Minds Academy”. Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se pos furnizimeve nga jashtë, tash Kosova po prodhon vetë dronët e parë.

“Të ardhmen e industrisë së mbrojtjes dhe avancimit të dronëve luftarakë po e ndërtojmë e zhvillojmë edhe në Kosovë. Shteti ynë po shndërrohet në vend që prodhon. Në Gjilan, bashkë me kryetarin Hyseni, vizituam kompanitë e prodhimit të dronëve ushtarak ‘Skifteri’ dhe dronët civil, nga ‘Future Minds Academy’ dhe MIGA SkyShield MAR”, ka shkruar Kurti.

Ai ka dhënë detaje për dronët..

“Made in Gjilan” përveçse natyrisht ‘Made in Kosova’. Droni kamikaz ‘K1’, arrin shpejtësi maksimale prej 180km/h e lartësi deri në 2500 metra. Ndërsa ‘Skifteri’ arrin në 5000 metra lartësi, hapësirë operuese 20km dhe shpejtësi prej 270km/h”, ka shkruar tutje ai.

Kurti ka premtuar se pas furnizimeve me dronët “Bayraktar TB-2”, “Puna” dhe “Skydagger”, do të vazhdojnë investimet për mbrojtje e siguri por edhe ngritje të kapaciteteve dhe prodhimtarisë.

Ndërkaq kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, e ka cilësuar këtë prodhim “frymëzues” dhe “dëshmi që të rinjtë gjilanas janë kreativë”.

“Sot ishte kënaqësi e veçantë që bashkë me Kryeministrin Albin Kurti të marrim pjesë në përurimin e dronit “Skifter”, të prodhuar nga kompania inovative “Future Minds Academy”. Ky është shembull shumë frymëzues dhe dëshmon që të rinjtë gjilanas janë kreativë dhe me vizion të qartë. Bashkë me Kryeministrin takuam afaristë dhe inxhinierë, me të cilët diskutuam për projektet që do ta transformojnë qytetin edhe në mandatin që po e konfirmojmë nesër”, ka shkruar Hyseni në Facebook.

Ky dyshohet të jetë motivi që çoi në vrasjen e dy vëllezërve

Më 6 nëntor në fshatin Gollubovc të Malishevës, Naim Morina, 45 vjeç, dhe Driton Morina, 32 vjeç, dyshohet se u vranë nga dhëndri i tyre, Astrit Isufi, nga një fshat i komunës së Drenasit, i cili u kap një ditë më parë në një shtëpi të pa banuar 

Gjykata merr vendim për Astrit Isufin

Klankosova.tv ka mësuar se para dy dite ngjarja ka ndodhur rrëth orës 11:30, kur i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë e viktimave për të marrë bashkëshorten e tij, pas të pameve për babanë e tyre të ndjerë.

Pas disa minutash, sipas burimeve të redaksisë dyshohet se ai është rikthyer dhe ka hapur zjarr, duke i lënë të vdekur dy vëllezërit, njëri në vendin e ngjarjes, derisa tjetri nuk arriti t’iu mbijetonte plagëve sa ishte rrugës për në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë.

Në momentin kritik, siç thanë burimet, gruaja e të dyshuarit (motra e viktimave) dhe vajza e tyre kanë qenë në veturë, duke parë gjithë ngjarjen.

Po ashtu, Klan Kosova ka mësuar se viktimat, dy vëllezërit Morina i kishin kërkuar motrës së tyre të ndahej nga bashkëshorti, në këtë rast nga i dyshuari Astrit Isufi.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka konfirmuar për Klankosova.tv se rasti është regjistruar si vrasje e dyfishtë.

Ndaj tij, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë, ndërsa Isufi kishte qëndruar për disa muaj në paraburgim. Ende nuk dihet saktësisht kur i është ndërprerë masa e sigurisë.

Gjykata merr vendim për Astrit Isufin

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Astrit Isufit, të dyshuarit për vrasjen e dy vëllezërve në Golluboc të Malishevës.

Në njoftimin e gjykatës, bëhet e ditur se Isufi po dyshohet për dy vepra penale: Vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje, shkruan Insajderi.

“Gjykata Themelore në Gjakovë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit A.I., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer dy vepra penale, atë të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes së armës pa leje-autorizim”, thuhet në njoftim.

Gjykata bën të ditur se lënia e të dyshuarit në liri rrezikon që të ndikojë në rrjedhën e procedurës penale, meqë i dyshuari mund të ndikojë tek dëshmitarët ose edhe ta përsërisë veprën penale.

“I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 7 nëntor 2025 dhe do të zgjasë deri më 6 dhjetor 2025”, thuhet në njoftim.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, bën të ditur gjykata