Nëse i shihni këta persona lajmërojeni menjeherë policinë

Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim tre shtetas të Shqipërisë.  

Këta persona kërkohen nën dyshimin për përfshirje në veprat penale ‘Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’ dhe ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Policia ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që posedojnë informata lidhur me vendndodhjen e këtyre personave të njoftojnë stacionin policor më të afërt ose përmes numrave kontaktues.

 

 

 

Kryeministri Kurti kushtëzon rikthimin në dialog, ja çfarë duhet të bëj serbia

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se kritikat ndërkombëtare për mënyrën e trajtimit të pakicës serbe nga qeveria e tij ishin të tepërta, një koment që ka të ngjarë të shqetësojë mbështetësit perëndimorë që kanë bërë thirrje për përmbajtje, shkruan “Bloomberg”.

Lëvizjet e Prishtinës për të mbyllur institucionet e mbështetura nga Serbia dhe për të ndaluar përdorimin e dinarit serb kanë nxitur paralajmërime nga ShBA dhe Bashkimi Evropian se veprimet mund të përbëjnë një kërcënim për paqen e brishtë në Ballkan.

“Ata janë shumë të shqetësuar”, tha Kurti për “Bloomberg” në një intervistë në Varshavë të mërkurën, por e cila u publikua sot (e premte). “Sa herë që ndërmarrim veprime, ka zëra alarmues për përshkallëzimin e mundshëm, por ja ku jemi — Kosova është më e mirë se kurrë më parë”.

Kurti mbrojti veprimet e tij si të nevojshme për të rivendosur ligjin dhe rendin në veriun e ndarë prej kohësh. Ai gjithashtu këmbënguli se hapat janë të nevojshëm drejt vendosjes së kontrollit mbi zonat me shumicë serbe dhe integrimit të plotë të tyre në sistemet ligjore dhe financiare të Kosovës.

“Përshtypja ime është se pikërisht për shkak se ne jemi të suksesshëm, Beogradi është më nervoz dhe rrjedhimisht më agresiv”, tha ai.

Presidenti serb Alleksandar Vuçiq ka akuzuar vazhdimisht Kurtin se po i bën presion komunitetit serb “tashmë në pakësim” për t’u larguar nga Kosova. Ai kërkoi gjithashtu zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE-ja sipas së cilës komunitetit serb i lejohet njëfarë autonomie.

Muajin e kaluar, Vuçiqi i kërkoi qeverisë në Prishtinë që të mbajë zgjedhje lokale në komunat veriore. Ideja e tij nuk pranohet nga Kurti. Votimi në komunat veriore do të bëhet vetëm gjatë zgjedhjeve të përgjithshme në vjeshtën e vitit të ardhshëm, tha ai.

“Vuçiqi dështoi, dhe tani ai dëshiron që ne të paguajmë për dështimin e tij”, tha Kurti, duke shtuar se koha kur presidenti serb ka ndikim në punët e brendshme të Kosovës “ka kaluar prej kohësh”.

Sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE-ja në 2013, serbët ranë dakord të merrnin pjesë në qeveritë lokale dhe qendrore në Kosovë, por u larguan në vitin 2021 për shkak të diskriminimit të pretenduar dhe që atëherë kanë bojkotuar dy palë zgjedhje.

Për t’u kthyer në dialog, Kurti kërkoi nga Serbia dorëzimin e Millan Radoiçiqit, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur të vitit të kaluar pranë manastirit të Banjskës në veri. Ai i kërkoi gjithashtu BE-së të ushtrojë më shumë presion mbi Beogradin për të ndihmuar në lehtësimin e tensioneve me një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

“Është dashur të ndodh dje”, ka thënë Kurti. “Unë besoj se është e mundur”.

SHBA-ja dhe Britania e Madhe bombardojnë Jemenin

Ushtria amerikane dhe ajo britanike goditën një numër objektivash Huthin në Jemen të premten, duke ndjekur sistemet e armëve, bazat dhe pajisjet e tjera që u përkasin rebelëve të mbështetur nga Irani.

Avionët dhe anijet amerikane e britanike goditën bastionet e Houthi-ve, sipas zyrtarit. Numri i saktë i objektivave nuk ishte ende i disponueshëm pasi misioni sapo po përfundonte.

Sipas mediave Huthi, shtatë sulme goditën aeroportin në Hodeida, një qytet port i madh, dhe zonën Katheib, e cila ka një bazë ushtarake të kontrolluar nga Houthi. Katër sulme të tjera goditën zonën Seiyana në Sanaa, kryeqytet, dhe dy sulme goditën provincën Dhamar. Zyra e mediave Huthi gjithashtu raportoi tre sulme ajrore në provincën Bayda, në juglindje të Sanaa.

Sulmet vijnë vetëm disa ditë pasi Huthët kërcënuan përshkallëzimin e operacioneve ushtarake që synonin Izraelin pasi ata me sa duket rrëzuan një dron ushtarak amerikan që fluturonte mbi Jemen . Dhe vetëm javën e kaluar, grupi mori përgjegjësinë për një sulm që synonte anijet luftarake amerikane.

Gruaja e plạgosur sot në Prishtinë është në gjendje të rëndë

Gruaja që u plagos sot aksidentalisht nga djali i saj polic, është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, ka deklaruar se gjendja e gruas është e rëndë.

“Njëherë për njëherë është gjendje e rëndë e saj, janë krye ekzaminimet, tash po priten intervenimet e ekipeve të anestezionit dhe kirurgjisë”, u shpreh ai për Indeksonile.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 12:20, kemi marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Mukadeze Lika-Muhaxheri” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga arma e zjarrit është lënduar një person. E lënduara është dërguar për tretman mjekësor”, tha Ahmeti.

Pas kësaj ngjarjeje IPK ka rekomanduar suspendimin e policit.

Situatë e rënduar në Shqipëri, përmbytje të mëdha në disa zona (PAMJE)

Reshje intensive shiu kanë përfshirë Shqipërinë këtë të premte. Në disa qytete ka pasur përmbytje të rrugëve duke shkaktuar trafik të rënduar.

Këto janë pamjet që vijnë nga qyteti i Vlorës. Siç mund të shihet, uji ka vërshuar nëpër rrugë duke krijuar mjaft probleme.

Klan News raporton se shumë automjete mbetën nën ujë në rrugën “Albano dhe Romina”, pasi pësuan defekte gjatë tentativës për të kaluar. Nga uji u mbuluan edhe automjetet e parkuara në të dyja anët e rrugës.

Ndërkohë, në të njëjtën rrugë u desh ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë nga një farmaci pronarët e saj, të cilët kishin mbetur të bllokuar brenda.

Meteorologët thonë se moti i keq do të vazhdojë deri në mesnatë ndërsa të shtunën do të ketë një përmirësim të lehtë. Të dielën do rinisin reshjet e shumta shiu.

Përmbytjet në Bosnjë, reagon Kryeministri Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka shprehur ngushëllime familjeve të personave që humbën jetën nga përmbytjet e shkaktuara sot në Bosnje dhe Hercegovinë.

Kurti tha se Kosova qëndron me Bosnjë dhe Hercegovinën në këto kohë të vështira, teksa i shprehu gatishmërinë për ndihmë.

“Në emër të popullit të Kosovës, u shpreh ngushëllimet më të thella familjeve dhe komuniteteve të prekura nga përmbytjet në Bosnje dhe Hercegovinë. Ne jemi me ju në këto kohë të vështira dhe jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë në çdo mënyrë që mundemi. Republika e Kosovës është me ju”, shkroi Kurti në “X”.

Ministri i Kurtit në Mitrovicën e Veriut me Halil Kastratin, “fjaloset” pak me një gazetare

Ministri i Administrimit e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka qëndruar sot në Mitrovicën e Veriut bashkë me kryetarin e kësaj komune, Erden Atiq.

Siç raporton KoSSev, Krasniqi ka qenë në shoqërinë edhe të Halil Kastratit nga shoqata “Jetimat e Ballkanit” në shëtitoren e Mitrovicës, afër një restoranti të ri që është hapur atje.

Krasniqi u pyet nga gazetarët lokalë atje se pse nuk ka njoftuar për vizitën e tij.

Pse të njoftoj?”, ka thënë Krasniqi.

“Ti je zyrtar, pse duhet të të ndjekim gjithmonë kështu? Është shumë komprometuese për ne dhe për ju”, i ka thënë një gazetare Krasniqit. Ndërsa thuhet se ai është përgjigjur: “Nuk ju kam  thirrur për të më ndjekur”.

Po ashtu, Krasniqi ankesës së gazetares për moslajmërim të vizitës i është përgjigjur se njëjtë vepron edhe 38 komunat tjera që i viziton dhe se nuk njofton askund.

Ky medium tha se Krasniqi ka qëndruar atje për një kohë të shkurtër dhe më pas ishte nisur për në Mëhallën e Boshnjakëve

Në Beograd del lajmi se shqiptari nga Kosova ka marrë furnizimin e projektit gjigant Belgrade Waterfront!

Në Serbi po qarkullojnë lajme të forta se një biznesmen shqiptar nga Kosova është bërë një nga furnizuesit kryesor të xhamave për projektin e madh Belgrade Waterfront, përmes bashkëpunimit me kompaninë ndërkombëtare të njohur AGC Glass Europe. Ky zhvillim është parë me interes të madh, duke treguar ndikimin në rritje të bizneseve shqiptare në projekte ndërkombëtare dhe veçanërisht në sektorin e ndërtimit.

Belgrade Waterfront, një projekt monumental me një vlerë prej miliarda eurosh, ka për qëllim të transformojë përgjithmonë fytyrën e Beogradit, duke përfshirë ndërtesa rezidenciale luksoze, hapësira komerciale, qendra argëtimi dhe ambiente publike moderne. Ky projekt ambicioz kërkon furnizim të materialeve ndërtimore të cilësisë më të lartë, dhe pikërisht këtu roli i kompanisë AGC, një nga prodhuesit më të mëdhenj të xhamit në botë, është i domosdoshëm.

Bledian Ramadani, biznesmeni shqiptar nga Kosova dhe pronari i kompanisë Gitor Shpk, është ai që përflitet të jetë në qendër të këtij bashkëpunimi, duke përdorur lidhjet e tij me AGC Glass Europe për të siguruar furnizimin e xhamave për këtë projekt të përmasave të mëdha. Ramadani është një figurë e njohur në industrinë e xhamit, dhe më parë ka arritur të largojë konkurrentët e tij në Ballkan përmes lëvizjeve të zgjuara në treg, duke kontrolluar pjesë të rëndësishme të importit të xhamit në rajon.

Kjo marrëveshje e përfolur ka shkaktuar reagime të ndryshme në Serbi, ku disa media dhe analistë po shohin me habi ndikimin e një shqiptari nga Kosova në një projekt kaq të madh dhe simbolik për Beogradin. Megjithatë, cilësia dhe përvoja e AGC në prodhimin e xhamave, e kombinuar me ndikimin e Ramadanit në rajon, e bëjnë këtë bashkëpunim të natyrshëm.

Belgrade Waterfront përfaqëson një nga investimet më të mëdha urbanistike në Ballkan, dhe përfshirja e kompanisë AGC, në të cilën Ramadani ka ndikuar përmes lidhjeve të tij të fuqishme, është një tregues i rritjes së ndikimit të bizneseve shqiptare jashtë kufijve të Kosovës.

Ky bashkëpunim i ri mund të shërbejë si një shembull për zhvillime të tjera në të ardhmen, ku biznesmenët shqiptarë do të kenë një rol më të madh në tregjet rajonale dhe globale.

Vjen paralajmërimi nga infektologu: Mund të paraqiten probleme serioze nëse uji i Badocit përdoret për pije

Shkak i rritjes së nivelit të manganit, është rekomanduar që të mos përdoret për pije uji nga Liqeni i Badocit. Sipas infektologëve, aspekti shëndetësor i konsumatorëve do të përkeqësohet, nëse ky ujë përdoret për më shumë se një javë.

Siç ndodh rëndom kur ndërrohen stinët, është rritur vlera e manganit në Liqenin e Badocit.

Rrjedhimisht, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, rekomandon që të mos përdoret për pije uji që vjen nga ky burim, duke treguar edhe hartën zonale

“Të dhënat e analizave të bëra dhe krahasimi i tyre me të dhënat e ditëve paraprake si dhe përvoja nga situata e vitit 2023, na tregojnë se gjatë kohëzgjatjes së këtij fenomeni, vlerat e manganit kanë tendencë të rritjes së vazhdueshme ditë pas dite, andaj IKSHPK për këtë periudhë rekomandon që uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale.”, thuhet në njoftim.

Nga KRU Prishtina, thonë se kanë marrë masat e nevojshme reaguese për këto raste.

“Ne menjëherë i kemi marrë masat e duhura, do të bëjmë shpërlarjen e gypave magjistral, shpërlarjen e gypave të grupacioneve sekondare, në mënyrë që të sigurojmë ujë për pije për konsumatorët në këtë zonë që furnizohen me ujë nga Liqeni i Badocit”, ka thënë zëdhënsja e KRU Prishtina, Arjeta Mjeku.

Mirëpo, sipas Mjekut, konsumimi i këtij uji nuk është shumë i rrezikshëm.

“Në momentin që është shumë nivel i lartë i manganit, ne e ndërprejmë edhe prodhimin e ujit që të mos shpërndahet asnjë pikë ujë. Por, duhet ta rrisim vigjilencën, të jemi më të vëmendshëm që mos ta përdorim për pijë por vetëm për higjienë”, theksoi Mjeku.

Rrezik për konsumatorët sipas infektologut, Hamdi Ramadani, mund të jetë nëse uji me sasi të larta të manganit përdoret për disa ditë.

“Për pije nuk mund të përdoret për shkak se nëse përdoret për një kohë të gjatë, bie fjala për shtatë ditë, tetë ditë ose nëntë ditë, atëherë mund të paraqiten probleme mendoj serioze, nga aspekti i shenjave dhe simptomave klinike nga inde dhe organe qoftë nga sistemi nervor, gastrointensinal e të tjera”, ka thënë Ramadani.

Edhe vitin e kaluar, një situatë e tillë ishte shfaqur në Liqenin e Badocit./Tëvë1

Selmanaj: LDK-ja më e gatshme se kurrë për zgjedhjet e 9 shkurtit, tranzicionit politik po i vjen fundi

Deputeti nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj është shprehur se partia e tij është më e gatshme se kurrë për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ndër të tjera, ai shton se me qeverisjen e fundit, ka ardhur dhe fundi i tranzicionit politik në Kosovë.

“Unë mendoj se qeveria aktuale ka dalë përtej pritjeve tona për së keqi, ne e kemi ditur që nuk munden, e kemi ditur që nuk dinë, kanë narrative populiste, pabaza e të paqëndrueshme, por nuk e kemi menduar se mund të shkojnë deri kaq, të demoluar në çdo aspekt. Jemi te sanksionuar, izoluar të demoluar”, tha deputeti.

“Por me punën që e ka bërë LDK-ja, me kandidatë për kryeministër, Lumir Abdixhikun, i cili besojmë se do jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës, mendojmë se jemi të gatshëm të marrim përgjegjësinë dhe një herë. Kemi dijen, potencialin, eksperiencën”.

“LDK-ja është me e gatshme se kurrë që t’iu hyjë këtyre zgjedhjeve. Mendoj se me qeverisjen e fundit të Albin Kurtit, po e shoh dhe fundin e një tranzicionit politik në Kosovë”, u shpreh Selmanaj në “DPT te Fidani”.