div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-94 category-paged-94 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Aksion i madh i Policisë, arrestohen disa persona

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se është finalizuar me sukses një operacion kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit.

Ai ka thënë se në këtë aksion janë arrestuar disa zyrtarë. Sipas tij mes të arrestuarve është edhe një ish-ministër, por nuk ka dhënë emër, vetëm inicialet F.I, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë.

“Në këtë rast janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë: kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, J. M.; zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D.; ekspertin e gjykatës Sh. T.; zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve; zyrtari i ATK G.L si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F. I.”, ka shkruar ai.

Sveçla tha se bazuar në të dhënat e siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe pas një hetimi disa mujor të kryer nga Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante, sot janë arrestuar disa zyrtarë të lartë në institucione, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës dhe korrupsion, të lidhur me procesin e shpronësimit të pronave private.

Sipas dyshimeve, personat e lartpërmendur kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës. Ky grup dyshohet të ketë iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011–2015, për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike.

Ai përgëzoi institucionet për këtë sukses dhe vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe qytetar në luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

“Vullneti politik, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ai qytetar po japin rezultate konkrete për ndërtimin e një shteti ligjor, të zhvilluar dhe të pacenueshëm nga çdo formë krimi,” ka shkruar Sveçla.

Ekskluzive: Arrestohet ish-ministri

Bazuar në të dhënat e siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, pas një hetimi disamujor të kryer nga Policia e Kosovës dhe institucionet tjera relevante, sot janë arrestuar disa zyrtarë të lartë në institucione, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion, të ndërlidhur me procesin e shpronësimit të pronave private.

Në këtë rast janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë: kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, J. M.; zyrtarë nga avokatura N. K., M. D. dhe B. D.; ekspertin e gjykatës Sh. T.; zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve; zyrtarin e ATK-së, G.L.; si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F. I.

Gazeta Insajderi merr vesh se i arrestuar në këtë rast është ish ministri i Tregtisë, Fadil Ismajli.

Sipas dyshimeve, personat e lartpërmendur kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës.

KOSTT kërkon nga qytetarët të ulet konsumi, paralajmëron reduktime

KOSTT ka thënë se gjatë sezonit dimëror po përballet me rritje të ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht në orët e pikut. KOSTT ka thënë se krahasuar me vitin e kaluar, konsumi ka shënuar rritje prej 14.33 për qind, ndërsa ngarkesa maksimale arriti dje në 1468 MW.

“Kjo u arrit në kushte kur temperaturat nuk kanë qenë shumë të ulëta, çka tregon se në ditët më të ftohta konsumi mund të rritet edhe më tej”, ka thënë KOSTT.

KOSTT i ka ftuar qytetarët, institucionet dhe bizneset, që të ndërmarrin veprime praktike për të ndihmuar në uljen e konsumit dhe ngarkesës së sistemit.

“Kjo përfshin përdorim më të kujdesshëm të pajisjeve elektrike, zhvendosje të konsumit jashtë orëve të pikut dhe përdorim sa më efikas të energjisë në përgjithësi”, ka thënë KOSTT.

Kërkesa më e lartë për energji elektrike regjistrohet në intervalet 16:00–20:00 dhe 22:00–23:00.

Sipas të dhënave të sistemit, siç ka njoftuar KOSTT, ditëve të fundit zonat me ngarkesë më të lartë janë nënstacionet Rahovec (përfshirë zonën e Malishevës), Prizreni 1, Gjilani 1 dhe Lipjani.

“Në këto zona kërkohet kujdes i shtuar dhe bashkëpunim i qytetarëve për të shmangur mbingarkesat dhe për të ruajtur furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike. Operimi i sistemit në kushte mbingarkese mund të imponojë zbatimin e reduktimeve të kontrolluara dhe të përkohshme të furnizimit, si masë teknike e domosdoshme për mbrojtjen e stabilimenteve dhe aseteve kritike të sistemit elektro-energjetik, të cilat sigurojnë furnizimin me energji elektrike. Në këto raste, qytetarët udhëzohen me mirëkuptim që të largojnë pajisjet elektrike nga rrjeti deri në rikthimin e furnizimit, me qëllim mbrojtjen e tyre dhe mundësimin e rikthimit sa më të shpejtë dhe të sigurt të furnizimit normal”, ka njoftuar KOSTT.

Veturat e blera nga Evropa, Kurti jep lajmin e mirë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili është edhe kandidat për kryeministër nga Vetëvendosje, ka publikuar programin qeverisës.

Në programin e publikuar nga VV, ka një lajm të mirë për personat që blejnë vetura nga Bashkimi Evropian.

“Për veturat e importuara nga shtetet e Bashkimit Evropian do të hiqet taksa doganore prej 10%, gjë që do të mundësojë kosto më të ulët për qytetarët për blerjen e veturave”, thuhet në programin e VV-së.

Kurti rikthehet te gjuha e ashpër, ‘kunja’ për Hamzën dhe Abdixhikun: Kush i ka dhënë mësim, ndoshta kanë ikur prej orës

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, arriti që vetëm për një ditë të mbajë një gjuhë “të butë” karshi kandidatëve të tij politikë në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Gjatë tubimit të Lëvizjes Vetëvendosje në Therandë, Kurti i është kthyer gjuhës së vjetër.

Me ‘kunja’ drejtuar kreut të PDK-së, Bedri Hamzës, Kurti ngriti dyshime për profesionalizimin e tij në fushën e ekonomisë.

Ish-kryeministri i Kosovës shkoi edhe më tij, duke përqeshur premimet e Bedri Hamzës së Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të cilët pyeti “kush u ka dhënë ekonomi” dhe se “kanë ikur prej ore”. Kjo referuar premtimeve për rritje 50% të pagave dhe ulje të tatimeve. Kjo, tha ai, ka ndodhur në qeverinë e tij, “që e kam rritur buxhetin për pagat në sektorin publik për 40%”.

“Të dashur qytetarë, kur dëgjoni dikë duke thënë se do t’i zvogëlojmë tatimet e do t’i rrisim shpenzimet, vetëm mendoni a thua kush i ka dhënë mësim këtij personi. Ose, ndoshta ka ik prej orës, nuk bënë me përjashtu këtë mundësi. Pra, zvogëlojmë tatimet e rrisim shpenzimet. Papërgjegjësia e tillë është e mundshme pikërisht për shkak se e dijn se nuk do të testohen, por shikoni punën tonë e cila flet e jo fjalët e tyre për punën që nuk do të ndodhë”, ka thënë mes të tjerash Kurti.

Ai kritikoi edhe planin e Bedri Hamzës për rritjen prej 50 për qind të pagës si dhe pensioneve, duke thënë se një premtim i tillë nuk është i mundur.

Përkundër se Hamza në të kaluarën kishte marrë vendime për rritje të pagave, Kurti tha se ata nuk kishin marrë kësi vendime derisa ishin në qeverisje.

Hykmete Bajrami i reagon VV-së: Mashtruesit po lavdërohen për heqjen e masave

Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas deklaratave që erdhën rreth heqjes së masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës deri në fund të janarit.

Ajo në një postim në llogarinë e saj në Facebook ka thënë se përgjegjësinë për  900 ditëshin nën masa askush nuk e ka mbajtur.

“A i keni parë mashtruesit tek lavdërohen për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së. Po përgjegjësinë se ishim nën masa plotë 900 ditë kush do ta mbajë? Për gati tri vjet Kosova humbi mundësinë t’i shfrytëzoj mbi 600 milionë Euro projekte, lë anash koston e imazhit të vendit e cila s’mund të matet me asnjë vlerë montare”, ka shkruar Bajrami.

Njëherësh, ajo ka listuar pesë projekte që i kanë kushtuar vendit si pasojë e masave

“Këtu po i listoj vetëm vetëm 5 projekte (vetëm në tri fusha: 1.ujë të pijshëm, 2.trajtim i ujërave të zeza, ricikilm i mbeturinave dhe 3.bujqësi) të cilat për shkak të qeverisjes Kurti që na solli deri ta masat ndëshkuese të BE-së nuk kanë ndodhë në 2023, as në 2024, as në 2025 dhe ende nuk dihet nëse do të fillojnë në 2026-të. Shuma e financimit vetëm për këto projekte është rreth 293 milionë Euro”, tha mes tjerash Bajrami.

Më poshtë postimi i plotë i saj:

A i keni parë mashtruesit tek lavdërohen për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.

Po përgjegjësinë se ishim nën masa plotë 900 ditë kush do ta mbajë?

Për gati tri vjet Kosova humbi mundësinë t’i shfrytëzoj mbi 600 milionë Euro projekte, lë anash koston e imazhit të vendit e cila s’mund të matet me asnjë vlerë montare.

Këtu po i listoj vetëm vetëm 5 projekte (vetëm në tri fusha: 1.ujë të pijshëm, 2.trajtim i ujërave të zeza, ricikilm i mbeturinave dhe 3.bujqësi) të cilat për shkak të qeverisjes Kurti që na solli deri ta masat ndëshkuese të BE-së nuk kanë ndodhë në 2023, as në 2024, as në 2025 dhe ende nuk dihet nëse do të fillojnë në 2026-të. Shuma e financimit vetëm për këto projekte është rreth 293 milionë Euro.

– Grante për bujqësi ku më shumë se 500 farmerë dhe agrobiznese do të mund të përfitonin nga fondi prej 27. millionë euro:

7 mil. euro nga EU,

10 mil. euro MAFRD

10.2 mil. euro BMZ

– Projekti i riciklimit të mbeturinave të regjionit të Prishtinës, Dukagjinit, Gjilanit, Prizrenit, Gjakovës dhe Mitrovicës.

9.95 mil. euro IPA

3 mil. euro SIDA

8 mil. euro kontributi i BMZ

– Projekti për trajtimin e ujit dhe mbeturinave: Investime në fabrika për trajtim të ujit dhe mbeturinave, projekti me i madh infrastrukturor.

20 mil. euro të IPAs

90 mil. euro të WBIF

42 mil. euro shtesë të BMZ ishin të zotuara

– Trajtimi i mbeturinave në Prishtinë, Prizren, Gjakovë dhe Pejë ka mbetë pa filluar – duke rrezikuar kështu shëndetin publik, ujërat nëntoksor dhe sigurinë ushqimore.

24 mil. Euro IPA

20 mil. euro shtesë të BMZ ishin të zotuara.

– Rehabilitimi i rrjetit të KOSTT-it

9.2 mil. euro të të WBIF,

15 mil. euro të IPAs (potencialisht)

25 mil. euro BMZ ishin të zotuara

Me 28 dhjetor, ata që ndeshkuan shtetin e qytetarin duhet të ndëshkohen me votë

Vdes çętniku serb, simbol i rrethimit famëkeq të Sarajevës

Slavko Aleksiq, vojvoda famëkeq çetnik dhe komandant i formacionit paramilitar “Çeta çetnike e Novo Sarajevës”, ka vdekur këtë mëngjes në Trebinje të Bosnjë e Hercegovinës, raporton N1 në Sarajevë.

Aleksiq, siç kujton N1, është një nga personat më kontroversë dhe më famëkeq që lidhen me luftën në Bosnjë e Hercegovinë dhe rrethimin shumëvjeçar të Sarajevës.

Emri i Aleksiqit në opinionin publik të Bosnjë e Hercegovinës ka mbetur i lidhur përgjithmonë me periudhën e rrethimit të kryeqytetit boshnjak, ku kujtohet si simbol i terrorit snajperist dhe ushtarak ndaj popullsisë civile. Bëhet fjalë për një person, veprimtaria e të cilit konsiderohet si një nga kapitujt më të diskutueshëm dhe më të errët të historisë bashkëkohore të Sarajevës dhe të shtetit të BeH.

I lindur në vendbanimin Bogdashiqi në vitin 1956, Aleksiq pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Sarajevë, ku punoi dhe studioi për drejtësi. Në fund të viteve tetëdhjetë dhe në fillim të viteve nëntëdhjetë ai u përfshi aktivisht në struktura nacionaliste, ndërsa në vitin 1990 ishte ndër personat që morën pjesë në ringjalljen e lëvizjes çetnike në Sarajevë. Po atë vit u bë anëtar i Partisë Radikale Serbe.

Pas vrasjes së krushkut të vjetër përpara Kishës së Vjetër Ortodokse në Bashçarshija, më 1 mars 1992, Aleksiq merr rolin e komandantit të “Çetës çetnike të Novo Sarajevës”, selia e së cilës ishte në Grbavicë. Gjatë luftës ai veproi në kuadër të forcave që morën pjesë në rrethimin e Sarajevës dhe lidhet veçanërisht me vijat e demarkacionit në zonën e Grbavicës dhe të Varrezave Hebraike, një nga pikat më të rënda dhe më të përgjakshme të përplasjes midis ushtrisë së Republika Srpskas dhe ushtrisë së Bosnjë e Hercegovinës.

Asnjëherë nuk u dënua

Formacionet nën komandën e Aleksiqit ishin të pranishme në pozicionet nga të cilat qyteti ishte i ekspozuar ndaj zjarrit të vazhdueshëm, ndërsa dëshmi të shumta të civilëve dhe pohime nga raporte të ndryshme i lidhnin njësitë e tij me sulme ndaj popullsisë civile dhe përhapjen e frikës ndër banorët e Sarajevës gjatë rrethimit shumëvjeçar. Edhe pse emri dhe veprimtaria e tij shpesh lidhen me shkelje të rënda të së drejtës së luftës, Slavko Aleksiq asnjëherë nuk u procedua përfundimisht para gjykatave vendore apo ndërkombëtare.

Gjatë luftës ai u plagos disa herë dhe, krahas njësive vendore, komandoi edhe një detashment vullnetarësh rusë në zonën e atëhershme të “Sarajevës Serbe”.

Pas bombardimeve të NATO-s dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, në mars të vitit 1996 ai udhëhoqi tërheqjen e forcave serbe dhe të një pjese të popullsisë nga Grbavica, si dhe mori pjesë në aktet simbolike që atëherë shoqëruan largimin nga lagjet e Sarajevës.

Pas përfundimit të luftës, Aleksiq u tërhoq në Hercegovinën lindore, kryesisht në zonën rreth Bileqës, ku vazhdoi veprimtarinë politike dhe ideologjike përmes organizatave çetnike dhe ravnogorase. Ai merrte rregullisht pjesë në tubime me karakter radikal dhe revizionist, ku shpesh glorifikoheshin ngjarjet e luftës dhe roli i tij personal gjatë rrethimit të Sarajevës.

“Safari i Sarajevës” dhe vullnetari Aleksandar Vuçiq

Në vitet e fundit emri i tij u shfaq sërish në opinionin publik në kontekstin e hetimit të njohur si rasti “Safari i Sarajevës”, i cili po zhvillohet para institucioneve gjyqësore në Milano dhe lidhet me pretendime për veprimtari të organizuar snajperiste ndaj civilëve në Sarajevën e rrethuar.

Disa media rajonale e lidhnin këtë rast edhe me presidentin aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili në kohën e luftës ishte vullnetar pikërisht në njësinë e Aleksiqit.

Vuçiq u përgjigj ndaj akuzave duke thënë se “kurrë nuk ka pasur asnjë snajper, as pushkë” dhe se në Pale e kishin dërguar “ekskluzivisht si gazetar, sepse dinte anglisht”.

Rrethimi i Sarajevës

Vdekja e vojvodës çetnik Slavko Aleksiq ka rihapur çështjet e përgjegjësisë, krimeve të pandëshkuara dhe qëndrimit ndaj trashëgimisë së rrethimit të Sarajevës, një nga periudhat më të rënda në historinë e re të Bosnjë e Hercegovinës, thekson N1.

Rrethimi i Sarajevës zgjati 1.425 ditë, nga 5 prilli 1992 deri më 29 shkurt 1996, dhe konsiderohet rrethimi më i gjatë i një kryeqyteti në historinë moderne, ndërsa snajperistët ishin një nga instrumentet kryesore të terrorit.

Gjatë gati katër vjetëve, qyteti ishte plotësisht i rrethuar nga forcat e ushtrisë së Republika Srpskas, i ekspozuar ndaj granatimeve të përditshme, zjarrit snajperist dhe terrorit sistematik ndaj popullsisë civile.

Sipas të dhënave të institucioneve relevante dhe qendrave kërkimore, gjatë rrethimit në Sarajevë u vranë më shumë se 11.500 civilë, ndër të cilët mbi 1.600 fëmijë. Dhjetëra mijëra qytetarë u plagosën, ndërsa e gjithë popullsia jetonte pa kushte elementare për jetë – pa ujë të rregullt, energji elektrike, ngrohje dhe lëvizje të sigurt. Veprimtaria snajperiste, veçanërisht në rrugët e frekuentuara të qytetit, ura dhe hyrjet drejt shkollave, tregjeve dhe spitaleve, u bë përditshmëri, për çka Sarajeva në opinionin ndërkombëtar u cilësua si qytet nën terror të vazhdueshëm.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në disa vendime ka konstatuar se rrethimi i Sarajevës përfaqësonte një fushatë të organizuar kundër popullsisë civile, me qëllim përhapjen e frikës dhe detyrimit, gjë që u kualifikua si krim lufte dhe krim kundër njerëzimit.

Rrethimi ka lënë pasoja të thella demografike, psikologjike dhe urbanistike, ndërsa emri i Slavko Aleksiqit në diskursin publik në BeH lidhet pikërisht me këtë formë krimi lufte dhe në Sarajevë kujtohet si simbol i terrorit snajperist.

Ministria e Financave ‘lëshon dorën’, jep 300 mijë euro për…

Kompania InterAdria, e cila gjatë viteve të fundit ka përfituar dhjetëra kontrata nga institucionet publike, ka fituar edhe një tender të ri nga Ministria e Financave, në vlerë prej rreth 300 mijë euro.

Gazeta Insajderi

“Furnizimi me paisje të teknologjisë informative për nevojat e Thesarit”, është kontrata që do i kushtojë buxhetit të shtetit 300 mijë euro.

Ky tender u dha nga Ministria e Financave për kompaninë InterAdria L.L.C.

Në dosje të tenderit janë dhënë edhe detaje se çka përfshin kjo kontratë.

Operatori duhet të ofroj të gjitha pajisjet dhe pjesët tjera përcjellëse të cilat duhet të konfigurohen në mënyrë që të bëhet implementimi i tyre për funksionalizim të plotë: instalimi i sistemeve operative Windows server 2025, instalimi i update të fundit dhe komponenteve tjera të nevojshme duke përfshirë edhe konfigurimi i Failover Cluster“.

Kompania InterAdria fitoi kontrata vazhdimisht nga pushteti

InterAdria vazhdon të jetë një nga kompanitë që përfituan kontrata të shumta nga institucionet publike. Vetëm gjatë vitit 2025, kjo kompani ka marrë miliona euro nga buxheti i shtetit.

Në platformën e prokurimit del se kjo kompani ka dhjetëra kontrata të lidhura, shkruan Insajderi.

Ministria e Punëve të Brendshme i ka dhënë dy tendere. Një kontratë u dha në vlerë afro gjysmë milioni me 09.12.2025.

E njëjta ministri kompanisë “InterAdria” ia ka besuar edhe tenderin për “Furnizimi me Licenca për Platformën Network Access Control”.

Vlera është 128 mijë euro.

Përveç këtyre, InterAdria ka kontrata aktive edhe me MPJD-në, Ministrinë e Mbrojtjes, Doganën, Policinë e Kosovës dhe institucione të tjera publike.

“Ftesë/arrestim i menjëhershëm”, ky është e-maili që po shqetëson qytetarët në emër të Policisë së Kosovës

Ka disa javë që qytetarët e Kosovës po pranojnë një e-mail të rremë në emër të Policisë së Kosovës.

Tashmë Policia ka njoftuar qytetarët të kenë kujdes nga këto e-maile, pasi nuk janë dokumente zyrtare të Policisë, shkruan Zeri.info.

“NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-maile/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara.

Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth përsëritjes së qarkullimit të e-mail-eve të tilla, po kryen hetime intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale”, ka thënë Policia.

Por çfarë thuhet në ketë e-mail që po dërgohet në emër të drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha?

Një e-mail të tillë e ka siguruar edhe “Zëri”, ku në të bëhet thirrje që pranuesi të paraqitet në Polici, pasi pretendohet se keni kryer krime kibernetike, shkruan Zeri.info.

“Me kërkesë të drejtorit të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha dhe Agjencisë së Sigurisë Kibernetike të Kosovës, po ju kontaktojmë në lidhje me disa krime kibernetike dhe vepra të paligjshme të drogës të gjetura brenda hapësirës suaj kibernetike.

Disa agjenci kombëtare dhe ndërkombëtare të zbatimit të krimit kibernetik kanë identifikuar aktivitetet tuaja të paligjshme në internet, të tilla si……

* Pornografia me fëmijë.
* Homoseksualiteti.
* Pornografia në internet.
* Ekzibicionizmi.
* Seksi komercial.
* Trafikimi i drogës”, shkruhet në e-mailin e rremë.

Në fund, pranuesit të këtij dokumenti të rremë i bëhet thirrje të paraqitet në Polici ose të dërgoj një e-mail të menjëhershëm.

Policia tashmë u ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e dezinformatave/mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së info@kosovopolice.com për trajtim dhe kompetencë të mëtejme. /Zëri

Image
Haliti: Më 28 dhjetor Albin mashtruesin do ta çojmë në shtëpi

Kandidati i PDK-së thotë se nga Prizreni nisi rrugëtimi për fitoren dhe kthimin e normalitetit në Kosovë.

Kandidati për deputet të Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka bërë deklarata të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se më 28 dhjetor ai dhe partia e tij synojnë ta largojnë atë nga pushteti.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haliti ka shkruar se nga Prizreni ka nisur rrugëtimi drejt, siç e ka quajtur ai, “fitores së madhe të PDK-së”, me synimin për t’i kthyer vendit normalitetin dhe qytetarëve shpresën.

“Më 28 dhjetor, Albin mashtruesin do ta çojmë në shtëpi, për t’ia kthyer vendit normalitetin dhe qytetarëve shpresën”, ka shkruar Haliti.

Ai ka theksuar se nisja e fushatës nga Prizreni ka simbolikë të veçantë, duke e quajtur atë qytet të vendimeve të mëdha kombëtare.

“Nga Prizreni historik, qyteti i vendimeve të mëdha kombëtare, e nisëm rrugëtimin për fitoren e madhe të PDK-së, për të mirën e Kosovës dhe të qytetarëve tanë”, ka theksuar Haliti.