Ndahet nga jeta 25-vjeçarja e plagosur nga zjarri i hotelit në Vlorë
Ka ndërruar jetë 25-vjeçarja që kishte mbetur e plagosur rëndë nga zjarri që përfshiu hotelin “Brooklyn” në Lungomare të Vlorës, më 16 gusht.
E reja kishte pësuar djegie në rreth 85 për qind të trupit dhe ndodhej në gjendje kritike.
Pas trajtimit fillestar në Shqipëri, ajo ishte transferuar në Turqi për mjekim të specializuar, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
25-vjeçarja jetonte me familjen në zonën e Shkozetit në Durrës, shkruan Euronews.
Zjarri në hotel kishte shpërthyer në orët e para të mëngjesit të 16 gushtit, duke lënë të plagosur gjashtë persona, mes tyre edhe shtetas nga Kosova.
Për shkak të përhapjes së flakëve, disa prej personave që ndodheshin brenda hotelit ishin detyruar të largoheshin përmes ballkoneve në përpjekje për të shpëtuar.
Rrethanat e plota të shpërthimit të zjarrit mbeten objekt hetimi.
