div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="home blog paged custom-background wp-custom-logo paged-56 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Kurti: S’është e drejtë ta shpallim Listën Serbe organizatë terroriste

SHBA-ja e vlerësoi vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe si një tentim “përçarës” dhe si një përpjekje me “vizion të ngushtë” nga ana e LVV-së.

Komisioni Qendror Zgjedhor sërish nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ-së, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi votuan kundër me argumentin se kjo listë përmban elemente terroriste.

LVV-ja në disa raste synoi të pengoi certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet përmes procedurave administrative në kuadër të KQZ-së. Në të gjitha rastet – sikur edhe në rastin e fundit – Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëroi KQZ-në që ta certifikojë Listën Serbe.

I pyetur për këtë çështje, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi se Lista Serbe është një subjekt politik dhe se Kosova nuk funksionon si shtet policor që qeveria të shpallë një parti politike si organizatë terroriste.

Një gjë të tillë, sipas tij, mund ta bëjnë vetëm gjykatat dhe se “nuk është e drejtë” që këtë ta bëjë qeveria.

“Unë besoj që nuk është e drejtë, na duhen vendime gjyqësore lidhur me një parti politike, se është dallim normativ midis organizatave si ‘Mbrojta Civile’ dhe ‘Brigada Veriore’ në njërën anë që figuronin në organogramin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe kishin paramilitarë të armatosur në Kosovë me partinë Lista Serbe”, tha Kurti.

Por pse ka kaq shumë insistim për moscertifikimin e Listës Serbe në KQZ, kur formulën se si mund të “eliminohet” Lista Serbe nga skena politike po e paska të njohur edhe vetë lideri?

Kufizimi i pjesëmarrjes së një partie politike, sipas ekspertëve ligjor, duhet të bëhet vetëm përmes një procesi gjyqësor dhe me bazë ligjore të qartë.

Sipas tyre, çdo parti e regjistruar certifikohet automatikisht, përveç në rastet kur nuk i plotëson kërkesat administrative ose kur kandidatët individualë kanë papërshtatshmëri juridike (p.sh., dënime penale efektive brenda tre viteve). Nuk ekziston asnjë akt që shpall Listën Serbe si organizatë terroriste, ndaj në praktikë, moscertifikimi i saj nuk ka bazë ligjore të fortë.

Për Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, KQZ-ja me këtë vendim i tejkaloi kompetencat e saj dhe ka hyrë në një fushë “që i takon vetëm institucioneve të drejtësisë dhe të sigurisë”.

“Ligji është i qartë: çdo parti e regjistruar certifikohet automatikisht, përveçse kur nuk i plotëson kërkesat administrative. Sa i përket kandidatëve individualë, kufizimet zbatohen vetëm nëse kanë papërshtatshmëri juridike, përfshirë dënime penale me burgim efektiv në tri vitet e fundit”, ka argumentuar ai.

Në vlerësimin e tij, përderisa nuk ka një akt që shpall një subjekt si organizatë terroriste, ai trajtohet si çdo pjesëmarrës tjetër që plotëson kriteret formale.

Në anën tjetër për analistët politikë ky vendim i cili nuk ka asnjë bazë ligjore do t’i konvenojë më së shumti pikërisht narratives së Serbisë për shkelje të të drejtave të serbëve në Kosovë.

Si interes strategjik për Serbinë, e ka cilësuar, komentatori politik, Petrit Zogaj, retorikën kundër Listës Serbe në Kosovë.

“E para, Kurti dhe të tijtë po e paraqesin Listën Serbe si problem për Kosovën, e jo Serbinë si të tillë. E dyta, duke e luftuar një parti politike minoritare, Serbia po e ka shumë të lehtë argumentimin se Kosova po i cenon të drejtat e pakicës serbe në vend”.

Me këtë vendim, beson Zogaj, Kosova, me vetëdije, po i shtyn serbët lokalë që asnjëherë të mos e konsiderojnë Kosovën si shtetin e tyre.

“E kjo i garanton Kosovës destabilitet të përhershëm, deri në ndonjë aranzhim tjetër administrativ. E gjithë kjo po bëhet vetëm e vetëm që Kurti të vazhdojë të qëndrojë në pushtet — pa asnjë kërkesë për llogaridhënie për qeverisjen e tij, apo qoftë edhe diskutim për bllokadën njëvjeçare”.

Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe Albert Krasniqi nga Demokracia Plus.

“Moscertifikimi i Listës Serbe në këtë fazë prodhon vetëm një efekt konkret: i jep Serbisë argument shtesë për të pretenduar se të drejtat politike të komunitetit serb në Kosovë po cenohen nga shumica shqiptare”.

Ky veprim i pamatur, që ndjek të njëjtin skenar të ditur paraprakisht që përfundon me dështim, beson ai, nuk është as serioz dhe as i përgjegjshëm.

“Po të ishte një qasje serioze, do të ndiqeshin rrugët institucionale dhe ligjore për shpalljen e saj organizatë terroriste dhe kjo temë do të mbyllej moti. Pikërisht sepse nuk është e tillë, kjo manovër procedurale që bëhet për një grusht votash, vetëm sa e dobëson pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe i hap rrugë forcimit të kompetencave të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – një rezultat tërësisht i kundërt me interesat strategjike të vendit”.

Për Afrim Kasollin, analistin politik, LVV-ja e ka shndërruar këtë kauzë në një mjet për përfitime politike dhe strategji për “burgosjen” e partive opozitare brenda narracionit të saj, në vend se ta trajtojë institucionalisht, proceduralisht dhe në përputhje me standarde ligjore diskulafikimin e Listës Serbe.

“Partia në pushtet deri më tani vetëm ka improvizuar lojëra momentale politike për ta shtuar adrenalinën elektorale”, thotë ai për Albanian Post.

Dhe, në vlerësimin e Kasollit, LVV-ja doli e suksesshme në këtë drejtim.

“Kjo u vërejt qartë me më mënyrën se si votuan partitë opozitare, duke abstenuar në KQZ kur ishte radha e certifikimit të Listës Serbe. Sot të gjitha partitë ‘tradicionale’ janë të ‘detyruara’ që të mos votojnë ashtu siç ka qenë deri më tani praktika parlamentare e zgjedhjes së nënkryetareve të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti pakicë, vetëm që t’i ruajnë virtytet patriotike në sytë e Lëvizjes Vetëvendosje, pavarësisht faktit se akte të tilla mund të jenë në antinomi me normat kushtetuese dhe ta thellojnë edhe me tej armiqësinë e Kosovës me Perëndimin”, potencon ai.

Në këtë kontekst, Kasolli beson se LVV-ja ka interes që sa më shumë të forcohet Lista Serbe në kuadër të komunitetit serb.

“Në mënyrë që të ketë edhe më shumë material politik elektoral për ta dominuar skenën politike në pjesën shqiptare si partia e vetme që po bënë përpjekje titanike për t’ia pamundësuar asaj qasjen në pushtet si në nivelin lokal ashtu edhe qendror”.

Në vlerësimin e ligjëruesit të medias dhe konfliktit në Universitetin Adger, Abit Hoxha, LVV-ja po ta shpallte organizatë terroriste Listën Serbe, një gjë e tillë do të krijonte probleme politike, andaj ajo, beson ai, po dëshiron që ta eliminojë një problem politik me mjete administrative.

“LVV mendoj se po tenton të kryejë dy punë me një veprim. Së pari, ta heqë Listën Serbe nga ekuacioni politik, si dhe të fajësojë institucionet ‘gjoja’ të kapura nga opozita”, thotë ai për AP.

Në anën tjetër për analistin politik, Avni Arifi, LVV-ja nuk e ka për qëllim primar mos-certifikimin e Listës Serbe, por krijimin e narracionit se Albin Kurti, është patriot, e të tjerët jo.

“Ta kish pasur përnjëmend, e kishte shpallur në mbledhje të qeverisë si organizatë kriminale dhe nuk e kishte deleguar këtë vendim në KQZ”, thotë ai për AP.

SHBA-ja e vlerësoi vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe si një tentim “përçarës” dhe si një përpjekje me “vizion të ngushtë” nga ana e LVV-së.

Veprime të tilla, sipas SHBA-së, minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rifillimin e dialogut strategjik për të avancuar mundësitë për bizneset amerikane dhe kosovare.

Për këtë rast, SHBA-ja e bëri përgjegjëse vetëm LVV-në, përkundër që Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar e Misioni i OSBE-së në Kosovë e shpërndan fajin edhe te partitë e tjera politike në vend, të cilat abstenuan gjatë votimit.

Sondazhi i fundit, sa % do t’i ketë VV në zgjedhje

Një analizë e gjerë online, e mbështetur në rreth 20 mijë respondente dhe në modele të avancuara statistikore, tregon se situata elektorale në Kosovë mbetet e ndërlikuar dhe me gjasa të larta për ngerç politik.

Sipas të dhënave të prezantuara, lëvizjet e votuesve nga 9 shkurti e deri më tani kanë qenë minimale, ndërsa vetëm 6% e qytetarëve deklarohen të pavendosur se kujt do t’ia japin votën.

Sipas këtij sondazhi online fituese e zgjedhjeve do të jetë Lëvizja Vetëvendosje me 40.8%.

Në vendin e dytë është PDK me 23.2%, ndërsa LDK në vendin e tretë me 17.2%.

AAK është në vendin e katërt me 8.6%.

Sqarim: Kjo matje është publikuar nga Bleron Baraliu.

Kunati i Albulena Haxhiut: Të kishim shtet, Kurti do të duhej të dënohej për vizitën e djeshme

Kandidati i AAK-së për deputet në Kuvend, Dardan Krasniqi ka kritikuar vizitën e Kurtit ku po kryhen punimet në pishinën e Podujevës, duke e cilësuar “abuzim me rregulla” e “shembull të shëmtuar”.

Krasniqi ka thënë se “kur kreu i ekzekutivit e një kryetar komune vepron kështu pa masa mbrojtëse në një punishte tregon se pse kemi kaq shumë vdekje të punëtorëve në punë”.

“Veç në këtë vit kemi mbi pesë (5) veteran të luftës që kanë vdekur si punëtor në ndertim! Pa helmet, pa këpucë mbrojtëse, pa syze, dorëza e xhaketë reflektuese”, tha ai.

Postimi i plotë:

Abuzimi me rregulla!

Shembull i shëmtuar!

Ky është shembulli më tipik se si abuzohët me rregullat në sigurinë në punë! Andaj kur kreu i ekzekutivit e një kryetar komune vepron kështu pa masa mbrojtëse në një punishte tregon se pse kemi kaq shumë vdekje të punëtorëve në punë! Veç në këtë vit kemi mbi pesë (5) veteran të luftës që kanë vdekur si punëtor në ndertim!

Pa helmet, pa këpucë mbrojtëse, pa syze, dorëza e xhaketë reflektuese!

Çka është: Siguria në punë është mbledhja e rregullave, masave dhe veprimeve që merren për të mbrojtur jetën, shëndetin dhe mirëqenien e punëtorëve gjatë kryerjes së punës.

🪖 1. Mbrojtja e kokës

• Helmetë mbrojtëse (sidomos në punishte metali, ndërtimi, ngritje peshe)

👓 2. Mbrojtja e syve dhe fytyrës

• Syze mbrojtëse kundër pluhurit, copëzave, shkëndijave

• Mburojë fytyre (për saldim, prerje, bluarje)

😷 3. Mbrojtja e frymëmarrjes

• Maskë kundër pluhurit (P1, P2, P3)

• Maskë kundër avujve kimikë (bojëra, tretës)

🧤 4. Mbrojtja e duarve

• Doreza pune (lëkurë, gome, kundër prerjes, kundër nxehtësisë)

• Kujdes: nuk përdoren doreza pranë makinerive rrotulluese

👂 5. Mbrojtja e dëgjimit

• Tapa për veshë

• Kufje mbrojtëse kundër zhurmës

👕 6. Veshje mbrojtëse

• Rroba pune rezistente

• Përparëse mbrojtëse (saldim, kimikate)

• Jelek reflektues (nëse ka lëvizje mjetesh)

👞 7. Mbrojtja e këmbëve

• Këpucë sigurie me hundë metalike

• Tabane kundër rrëshqitjes dhe shpimit

Në një shtet normal Inspektoriati është dashur ta denon Kryeministrinë, Kryetarin e Komunës, Kompaninë dhe Mbikqyrësinë e punimëve!

Po ne jemi #pashtet

Sulmohen policia e Kosovës

Një incident serioz ka ndodhur paraditen e 12 dhjetorit 2025 në fshatin Zhegër të Gjilanit, ku dy persona janë arrestuar nën dyshimin për sulm ndaj personit zyrtar.

Sipas informatave, rreth orës 10:00, patrulla policore e Zhegrit kishte ndaluar një veturë të tipit Golf për kundërvajtje në trafik. Nga vetura kanë dalë drejtuesi A.N, rreth 26-vjeçar dhe bashkudhëtari Sh.Z., rreth 27-vjeçar, të cilët fillimisht kanë refuzuar të paraqesin dokumentet personale.

Burimet bëjnë të ditur se situata ka eskaluar shpejt, pasi të dyshuarit kanë përdorur fjalor fyes dhe kërcënues ndaj zyrtarëve policorë. Gjatë tentativës për shoqërimin e tyre në Stacion Policor, të dyshuarit kanë sulmuar fizikisht njërin nga zyrtarët policorë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Për ta vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin sprej OC, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar në vendngjarje.

Si pasojë e incidentit, dy zyrtarët policorë dhe dy të dyshuarit kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe janë pajisur me raporte mjekësore nga Spitali Rajonal i Gjilanit.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, A.N dhe Sh.Z janë dërguar në qendrën e ndalimit për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar dhe po trajtohet si “Sulm ndaj personit zyrtar”. Hetimet janë në vazhdim.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

E rëndë: Gjendet pa shenja jete një 29-vjeçare, dyshohet se ishte me grip ditë më parë

Një ngjarje e rëndë është raportuar pasditen e djeshme në Prishtinë, ku një grua e re është gjetur pa shenja jete në banesën e saj, në rrugën “Ismet Jashari”, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas informatave të para, rreth orës 15:00 Policia ka pranuar njoftim për një person të dyshuar të vdekur. Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, ku kanë hasur G. Sh, rreth 29-vjeçare të shtrirë në tokë. Në lokacion ka intervenuar edhe ekipi i emergjencës, i cili ka konstatuar vdekjen e saj.

Burimet bëjnë të ditur se viktima dyshohet se kishte qenë me grip disa ditë më parë dhe kishte marrë tretman mjekësor në shtëpi. Në vendngjarje është intervistuar edhe një familjare e saj, e cila ka dhënë deklaratë lidhur me gjendjen shëndetësore të së ndjerës ditët e fundit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë tërhequr trupin e pajetë për ekzaminim të mëtejmë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e plota që çuan në këtë rast tragjik.

Peci numëron pesë vendimet e para që do t’i bëjë si kryetar i Mitrovicës së Jugut

Pas betimit në seancën inauguruese të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, kryetari i ri Faton Peci në një deklarim për media tha se vendimet e para që do të ndërmarrë do të fokusohen në mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe në prioritetet arsimore të komunës.

Ai paralajmëroi formimin e një komisioni të posaçëm komunal për vlerësimin e nevojave të tyre dhe theksoi se arsimi do të jetë fusha e parë ku do të nisë angazhimi i tij institucional.

“Pesë vendimet e para janë vendime të vullnetit të mirë. Vendimi i parë është themelimi i komisionit komunal për vlerësimin e nevojave të fëmijëve të cilët kanë nevoja të veçanta për të pasur të qartë se sa asistentë në mbështetje dhe në përkrahje të fëmijëve për nevoja të veçanta është në sistemin arsimor të komunës. Arsimi do të jetë njëra nga prioritetet e mia të para, vizitën e parë do ta kemi në kopshtin e qytetit të hënën bashkë me presidenten Vjosa Osmani”, tha ai.

Më tej ai tha se “unë do të jem në mbështetje të koalicionit të LVV për shkak se na duhet partneriteti edhe mbështetja e qeverisë për të implementuar një pjesë të konsiderueshme të programit dhe zotimeve që kam pasur për Mitrovicën”.

I pyetur për mungesën në seancë të ish-kandidatit të PDK-së për kryetar të Komunës, Arian Tahiri, Peci theksoi se nuk e di arsyen e mos pjesëmarrjes, duke shtuar se e ka përshëndetur në fjalimin e tij.

“Unë fjalimin tim e kam pasur një përshëndetje për të, ai mungoi, por megjithatë nuk i di arsyet, mund të jenë rrethana objektive”, tha Peci.

Ish-deputetja e VV’së e quan manipulues Kurtin: Nëse nuk pajtohet me gjuhën e Kurteshit, pse nuk e shkarkon?

Shqipe Pantina, kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputete në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti pasi ia tha se distancohet nga gjuha e anëtarit të partisë së tij në KQZ, Sami Kurteshi.

Në një postim publik, Pantina e ka quajtur Kurtin manipulues.

“Një herë manipulues, gjithmonë manipulues, zanatin nuk e harron.”

Ajo ka shtuar se distancimi i vërtetë nga gjuha e urrejtjes dhe kërcënimet ndaj gazetarëve nuk bëhet vetëm me një deklaratë në media, duke pyetur pse Kurti nuk ndërmerr veprime konkrete nëse nuk pajtohet me veprimet e emëruarit të tij.

“Sami Kurteshi në KQZ është emëruar nga VV-ja, partia e kryesuar nga Kurti. Nëse Kurti vërtet nuk pajtohet me gjuhën dhe veprimet e tij, atëherë pse nuk e shkarkon?”, tha ajo.

 

Shqiprim Arifi i bën ftesë publikisht Albin Kurtit: “Baba” juaj të dal në debat me mua ku të dojë dhe kur të dojë

Kryetari Shqiprim Arifi, ka publikuar një reagim të gjatë në rrjetet sociale, ku ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit që ai e quan “Baba” i kësaj partie, duke e akuzuar për qasje autoritare dhe për izolimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Arifi ka kujtuar se, sipas tij, për herë të parë ishte pozicionuar ndryshe ndaj VV-së në vitin 2017, kur siç thotë ai kishte vërejtur “qasje destruktive, diktatoriale dhe imponuese”.

Ai shton se që nga ajo kohë ishte përballur me “kërcënime, sharje dhe komente banale”, sidomos pas pretendimit të tij se “Baba i VV-së është non-grata në SHBA”.

Postimi i plotë:

Ofertë publike për “Babën” e VV-së!

Gjatë vitit 2017, për herë të parë jam pozicionuar NDRYSHE në drejtim të VV-së, pasi atë kohë hasëm në një qasje përveç destruktive e diktatoriale, poashtu dhe imponuese (siç vërehet qartësisht sot tek pushteti aktual në Preshevë – i nënshtruar ndaj VV-së).

Që atëherë, më kanë vërshuar kërcënimet dhe sharjet banale, me komente të ulëta në faqen time, apo në faqet e mediave anembanë shqiptarëve. Sidoqoftë, ndër të parët ju solla informacione në raport me aleatin tonë historik SHBA, se “Babai” i VV-së është “Non-Grata” në Amerikë, me ç`rast jam kërcënuar e sharë në gjitha mënyrat. Tani askush nuk ka dyshim se atë që e bëra publik vite më parë është faktike, sepse “Baba” është izoluar si askush më parë dhe ka izoluar Republikën e Kosovës si kurrë më parë në qarkun diplomatik, e sidomos atë të SHBA-së. I paprecedentë është një konsensus i demokratëve dhe republikanëve të SHBA-së se “Baba” është duke sharruar Republikën drejtë humnerës së iluzioneve dhe eksperimenteve të tij patologjike.

Falë qasjes suaj të pa rezervë, “Baba” juaj ka filluar të ndjehet superior dhe i pakonkurrent, besa mendjemadh edhe arrogant, duke i ikur çdokujt që mendon ndryshe nga ai, veçanërisht mediave që tanimë në baza ditore kanë material që e shpërfaqin në mënyrë të qartë keqqerverisjen e keqpërdorimet në pushtet. Tani ka pesë vite pushtet absolut, zotëron pothuajse të gjitha institucionet publike e gjysëm publike. Por, ja që ai bashkë me kukavajkat e tij ditë e natë ankohet se nuk po mundet të punojë, “sepse Kosovën në 20 vitet e fundit e paskan rrënuar të tjerët”, ndërkohë Kosova për 20 vite doli e djegur nga lufta dhe kaloi nëpër proceset më të rëndësishme shtetndërtuese, duke kulminuar me shpalljen e pavarësisë, të cilën i ashtuquajturi “Baba” e kundërshtoi.

“Baba” kurrë në jetë nuk ka punuar për të mbajtur familjen sikurse 2 milion shqiptarë të tjerë në Kosovë, kurse përnjëherë i ra në hise që t’i “menaxhoj” rreth 25 miliardë Euro të Buxhetit të Kosovës, të cilat kryesisht rrëshqitën drejt xhepave të klikës së tij. Shihet qartë se është peng i botës paralele ku jeton ai dhe mendja e tij e “ndritur”.

Prandaj, sot vi me një ofertë publike:

Ju kritikues, opinionistë, militantë, të papunë, kafexhinj, komunistë, ateistë, analfabetë, spiuna e UDB-asha, pseudopolitikanë, e të tjerë, ftojeni “Babën” tuaj të dalë në debat publik me mua, ku të dojë dhe kur të dojë!

Mihali lavdëron Kurtin: Aktivisti, politikani dhe intelektuali par excellence shqiptar

Koordinatorja e Komiteteve brenda Vetëvendosjes e cilëson kryeministrin si figurë të rrallë politike dhe intelektuale, me ndikim të madh në zhvillimin e Kosovës.

Koordinatorja e Komiteteve brenda Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka shprehur vlerësime të larta për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të spikatura shqiptare në politikë dhe në botën intelektuale.

Mihali ka deklaruar se Kurti nuk është vetëm një drejtues i angazhuar për Kosovën, por edhe “aktivisti, politikani dhe intelektuali par excellence shqiptar”. Ajo theksoi se ai dallohet jo vetëm për “intelektin e rrallë”, por edhe për “mirësinë e pamatë dhe guximin e çmuar”.

Sipas saj, personaliteti i Kurtit ka ndikuar dukshëm në zhvillimin e pakthyeshëm të Kosovës, duke e pozicionuar atë si një zë autentik, të dallueshëm dhe të dobishëm në skenën ndërkombëtare.

Mihali shtoi se Kurti është një nga figurat shqiptare që i flet botës “me një gjuhë autentike”, duke e forcuar rolin e tij si lider me ndikim të madh në rajon.

Këto lavdata erdhën pas intervistës së gjatë të Kurtit në Kanal 10 me Kushtrim Sadikun.

Postimi origjinal:

Albin Kurti nuk është vetëm Kryeministri më i vyeshëm për Kosovën por dhe aktivisti, politikani, intelektuali par excellence shqiptar.

Ai nuk ka vetëm intelekt të rrallë por mbi të gjitha njeri me mirësi të pamatë dhe guxim të çmuar.

Personaliteti me të cilin Kosova zhvillohet pakthyeshëm dhe i flet botës me një gjuhë autentike, të dallueshme dhe të dobishme.

Aksident fatal mes një kamioni dhe veture – Vdes shoferi i automjetit, dy të lënduar

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në magjistralen Prizren – Suharekë, duke rezultuar në fatalitet. Si pasojë e përplasjes, shoferi i një automjeti ka humbur jetën, ndërsa dy persona të tjerë, një pasagjer dhe shoferi i kamionit, kanë pësuar lëndime të rënda, raporton Sinjali.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar Togeri i Policisë në Prizren, Tahir Kabashi.

“Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rreth orës 07:30 është pranuar informacioni për një aksident të rëndë në aksin rrugor Prizren – Suharekë. Në përplasjen e shkaktuar, janë përfshirë një kamion me targa vendore dhe një automjet pasagjerësh me targa të Republikës së Shqipërisë. Shoferi i automjetit pasagjerë ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa pasagjeri dhe shoferi i kamionit janë transportuar menjëherë në spital për trajtim mjekësor. Policia ka dalë në vendngjarje, ndërsa ekipet emergjente mjekësore konfirmuan vdekjen e shoferit të automjetit pasagjer”, ka thënë ai për Sinjalin.

Ndihma e shpejtë dhe hetimet në vazhdim

Në vendngjarje janë angazhuar edhe njësitë e zjarrfikësve, të cilët kanë ofruar ndihmën e nevojshme, ndërsa ekipet e Policisë kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

Kabashi, nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Prizren, konfirmoi se Prokurori i Shtetit është njoftuar për rastin dhe hetimet janë duke vazhduar.