Pezullohet drejtori i një shkolle në Gjakovë, dyshohet se ngacmoi seksualisht një 17-vjeçare
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka njoftuar se është pezulluar nga detyra drejtori i shkollës fillore “Pjetër Bogdani” në fshatin Demjan, N.P., pas dyshimeve për ngacmim seksual ndaj një 17-vjeçareje.
Emisioni “Piranjat” ka raportuar se si N.P., i ka dërguar 17-vjeçares tekste me përmbajtje erotike.
Në një reagim publik, Gjini, i cili është edhe kandidat për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka deklaruar se rasti është i papranueshëm dhe tejet i rëndë.
“Në emër të Komunës së Gjakovës dhe në emrin tim personal, distancohem plotësisht dhe pa asnjë rezervë nga ky individ dhe çdo veprim i tij i turpshëm, i cili bie ndesh me moralin njerëzor dhe misionin e shenjtë të arsimit. Personi në fjalë është pezulluar menjëherë nga pozita e drejtorit të shkollës sipas procedurave ligjore në fuqi, ndërsa komuna ka ofruar dhe do të vazhdojë të ofrojë bashkëpunim të plotë e të pakushtëzuar për organet e rendit dhe prokurorinë me qëllim që ky rast të marrë dënimin maksimal ligjor”, ka deklaruar Gjini.
Gjatë emisionit është përmendur se i dyshuari është pjesë e AAK-së, duke u publikuar edhe një fotografi me Gjinin.
Megjithatë, kryetari i Gjakovës ka thënë se personi në fjalë nuk ka qenë pjesë e strukturave të Aleancës që nga viti 2021.
“Dua të sqaroj opinionin publik se personi në fjalë nuk ka qenë pjesë e strukturave të Aleancës që nga viti 2021. Megjithatë, si kandidat për Kryeministër dhe nënkryetar i Aleancës, kam kërkuar menjëherë konfirmimin zyrtar nga kryetari i Degës në Gjakovë, Flamur Fetahaj, për të siguruar se ky individ nuk ka asnjë lloj lidhjeje apo angazhimi me ne”, ka shtuar ai.
Gjini ka theksuar se institucionet arsimore në Gjakovë do të mbeten të sigurta për nxënësit dhe se çdo shkelje e tillë do të përballet me ligjin.
“Dua të siguroj të gjithë qytetarët, prindërit dhe nxënësit se sistemi arsimor në Gjakovë do të mbetet një mjedis i sigurt për fëmijët tanë, dhe kushdo që tenton ta cenojë këtë siguri do të përballet me forcën më të rreptë të ligjit dhe me largim të menjëhershëm nga institucionet tona”, ka përfunduar Gjini.
Lidhur me rastin është aktivizuar Prokuroria.
“Policia e Kosovës dhe në koordinim me autoritetet përkatëse, janë duke u ndërmarrë veprimet dhe verifikimet e nevojshme lidhur me këto informacione. Prokurori i Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme”, thuhet në reagimin e prokurorisë.
