Pozoi me Kurtin pa ‘aminin’ e kryetarit, vjen hakmarrja e Abdixhikut ndaj “Xhafës”
“Më mbani për fjale, më pritni pas datës 9 nëntor se nuk e lë pa e trajtu këtë rast”, kishte deklaruar Lumir Abdixhiku në një paraqitje televizive kur ishte pyetur për veprimet që do të ndërmerrte ndaj anëtarit të kryesisë Xhafer Tahiri, pasi ai kishte lidhur koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Edhe pse me pesë muaj vonesë, kryetari Abdixhiku nuk i ka harruar veprimet e Tahirit.
Abdixhiku ka vendosur t’i hakmerret ‘Xhafës’ me largim nga kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Të mërkurën, LDK bëri të ditur se kanë bërë ndryshimin e kryesisë së partisë. Në listën me emrat e rinj të kryesisë nuk figuron edhe emri i Xhafer Tahirit, i cili për shumë vite ishte pjesë e kësaj listë.
Përpos Xhafer Tahirit, kryetari Abdixhiku ka lënë jashtë kryesisë edhe emra tjerë të njohur të partisë si Driton Selmanaj, Besa Gaxherri, Arben Gashi e Rrezarta Krasniqi.
Lumir Abdixhiku e Xhafer Tahiri e kishin prishur miqësinë e tyre pas zgjedhjeve të fundit lokale në tetor të vitit që lamë pas.
Xhafer Tahiri, i cili kishte kandiduar për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, kishte arritur marrëveshje për koalicion në balotazh me kandidatin e LVV-së, Sylejman Mehollin.
Marrëveshja mes dy partive LDK e LVV ishte nënshkruar gjatë një ceremonie në qendër të qytetit në prezencë të kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Kreu i LDK-së, Abdixhiku kishte thënë se Tahiri nuk kishte marrë leje nga niveli qendror i partisë për ujdinë me Vetëvendosjen dhe se kjo do t’i kushtonte me përjashtim nga partia.
“Më mbani për fjale, më pritni pas datës 9 [nëntor] se nuk e lë pa e trajtu këtë rast”, tha Abdixhiku në paraqitjen e tij në Debat Plus më 23 tetor. “S’ka më me qenë në LDK, e prapa shpinës një kryetar të një partie tjetër. S’ka më!”, kishte deklaruar Abdixhiku në një paraqitje në Debat Plus.
Përkundër se kishte caktuar një datë, Abdixhiku nuk kishte marrë një vendim zyrtar kundër Xhafer Tahirit.
