div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive tag tag-featured tag-36 custom-background wp-custom-logo wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Arian Tahiri kandidat për deputet zgjedhjet e 28 dhjetorit

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, në një intervistë për “Infokus Live”, ka zbuluar disa nga emrat e rinj që pritet të jenë pjesë e listës së PDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke konfirmuar se partia ka pasur interesim të madh nga profesionistë dhe personalitete të njohura.

Gruda tha se edhe vetë do të rikandidojë si deputet në këto zgjedhje

“Po, unë do të jem sërish pjesë e listës së PDK-së për deputet,” u shpreh ai.

Ai zbuloi disa nga emrat e rinj që PDK pritet t’i prezentojë si pjesë të listës zgjedhore.

“Do të ketë figura të reja… ka pasur goxha shumë interesim nga të rinj dhe personalitete të shumta që të hyjnë në listë. Shpresoj të mos na idhnohen sepse nuk mund të vendosim të gjithë, por pa dyshim do të jetë lista më e mirë në këto zgjedhje,” tha Gruda.
Ndër emrat e konfirmuar, ai përmendi:

Arben Mustafa – ekonomist, i doktoruar në Londër

Besa Kabashi – eksperte e sigurisë

Arian Tahiri – i cili hyn për herë të parë në garë për deputet”

Gruda theksoi se PDK është duke përgatitur një listë “të fortë dhe profesionale”, që sipas tij do të përfaqësojë më së miri pritjet e elektoratit në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Zhvillime dramatike: Ish-kryeministri i Kosovës aderon në AAK

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po përgatitet fuqishëm për zgjedhje.

Partia e Ramush Haradinajt do të futet në zgjedhje me dy ish-kryeministra, liderin Haradinaj dhe ish-kryeministrin Agim Çeku.

Ky i fundit do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Më 2 mars të vitit 2006, pas dorëheqjes së kryeministrit Bajram Kosumi, partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e propozoi Çekun për kryeministër.

Me 65 vota për, 33 kundër dhe 5 abstenime, Kuvendi i Kosovës e zgjodhi atëbotë ushtarakun si kryeministër të vendit.

Vuçiq i përgjigjet Osmanit pasi tha se Beogradi ka kërcënuar me përshkallëzim konflikti

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka hedhur poshtë deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që Beogradi zyrtar ka kërcënuar me përshkallëzim konflikti me Prishtinën.

“Nuk e kemi angazhuar asnjë ushtar, nuk e kemi nisur asnjë makineri, as nuk na shkon mendja, ne duam të punojmë, të ndërtojmë”, ka thënë Vuçiq më 12 korrik.

Dy ditë më parë, më 10 korrik, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ka “informacion të besueshëm” se presidenti amerikan, Donald Trump e ka “parandaluar së fundmi” një përshkallëzim të mundshëm të situatës së sigurisë të drejtuar nga Serbia në Kosovë.

“Sa i përket Vjosa Osmanit, që kinse jemi duke u përgatitur për konflikte, këtë mëngjes e kam pasur një takim me përfaqësuesit më të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit që janë duke e vizituar Serbinë… a mendoni që mund të bëhet diçka pa e ditur amerikanët dhe kinezët se çfarë po ndodh?”, ka pyetur Vuçiq.

Ai ka përmendur më herët gjatë ditës se në takim me përfaqësuesin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan kanë diskutuar për çështje globale, marrëdhënie bilaterale dhe sigurinë e Ballkanin Perëndimor.

“E theksova që Serbia mbetet e vendosur për ruajtje të paqes dhe stabilitetit, dhe që dialogun e shohim mënyrën e vetme për zgjidhje të çështjeve të hapura dhe për respektim të ligjit ndërkombëtar”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Facebook, duke përmendur se me diplomatin amerikan ka diskutuar edhe për situatën në Ballkan.

Në postimet e tij në rrjetet sociale, Vuçiq nuk ka ofruar hollësi nëse ka diskutuar me zyrtarin amerikan për deklaratat e fundit të presidentes Osmani apo ato të presidentit Trump.

Qeveria në detyrë e Kosovës dhe as Ministria në detyrë për Punë të Brendshme nuk u janë përgjigjur kërkesave të Radios Evropa e Lirë për të treguar më në hollësi për rrezikun e sigurisë nga Serbia dhe se për çfarë përshkallëzimi të situatës bëhet fjalë.

Beogradi zyrtar ka thënë se deklaratat e Osmanit janë “të rreme”.

Pretendimet e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, se ka parandaluar një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë, kanë tërhequr vëmendje, por edhe kanë krijuar konfuzion, pasi në opinionin publik mungojnë detaje – të tilla si periudha kohore në të cilën ka mundur të ndodhte një përshkallëzim i tillë.

Çfarë tha Trump?

Presidenti Trump, shkroi në rrjetin Social Truth më 15 qershor se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia po “shkonin drejt një konflikti serioz” dhe se lufta ishte në prag të shpërthimit, por se ai e ndaloi atë.

Ai e akuzoi pasardhësin e tij të atëhershëm, ish-presidentin Joe Biden, se “ka dëmtuar perspektivën afatgjate me disa vendime shumë të pakuptimta”, por se ai “do ta rregullojë sërish”.

“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po luftonin ashpër, siç kishin bërë për dekada të tëra, dhe ky konflikt i gjatë kërcënonte të përshkallëzohej në luftë. Unë e ndalova atë”, shkroi Trump.

Pastaj, në një konferencë për mediat në Shtëpinë e Bardhë më 29 qershor, ai tha se, në muajt e fundit, SHBA-ja ka ndaluar ose parandaluar konflikte midis disa palëve, përfshirë Serbinë dhe Kosovën.

“Serbia, e dini, po përgatitej për luftë, me një grup që as nuk do ta përmend, sepse nuk ndodhi. Ne arritëm ta parandalonim, por kam një mik në Serbi që tha se do të shkojë përsëri në luftë. Nuk do të them se është Kosova, por është Kosova. Ata po përgatiteshin për një luftë serioze, ne e parandaluam. E parandaluam për tregti. Ata donin të tregtonin me Shtetet e Bashkuara. Unë thashë: ne nuk tregtojmë me ata që luftojnë”, tha Trump.

Pastaj, më 9 korrik, ai përsëriti se e kishte ndaluar luftën në rajon, duke kërcënuar se do ta pezullonte tregtinë.

“Kam arritur të zgjidh shumë situata, si ajo me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Thashë: a do të luftoni? Ne nuk do të bëjmë tregti. Dhe, duket se kjo ka qenë mjaft e suksesshme”, tha Trump.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të larta, sidomos në veri të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe.

Përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës kulmoi në shtator të vitit 2023 kur një grup i armatosur serbësh, i udhëhequr nga Millan Radoiçiq – ish-nënkryetar i Listës Serbe – sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë dhe vrau një rreshter policie.

Kosova e përshkroi sulmin si terrorist dhe e akuzoi Serbinë se qëndron pas tij – gjë të cilën Beogradi zyrtar e mohoi.

Osmani e përmendi këtë sulm në Uashington, duke thënë se ngjarjet e tilla konfirmojnë se ekziston një rrezik real për incidente të ngjashme në të ardhmen, prandaj, tha ajo, është e rëndësishme që të ketë jo vetëm frenim ushtarak, por edhe politik të Serbisë nga planet e tilla./REL/

Kurti: Kosova dëshmi se zhvillimi ekonomik e progresi demokratik ecin bashkë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti një grup studentësh nga Universiteti francez Sciences Po, Universiteti i Humboldt, Universiteti i Shkupit dhe Universiteti i Ri i Bullgarisë. Ai theksoi se Kosova është një dëshmi ku zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik mund të ecin paralelisht.

Në një komunikatë për medie, Kurti tha se Kosova është dëshmia që tregon se zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik mund të shkojnë dorë për dore. Ai theksoi se Kosova ka arritur një rritje ekonomike mesatare prej 6% në katër vitet e fundit, ndërkohë që ka bërë përparime të konsiderueshme në indekset ndërkombëtare për demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.

“Përveç rritjes ekonomike, qeveria jonë ka punuar në mënyrë aktive për ta shpërndarë këtë rritje drejt qytetarëve, përmes subvencioneve për fermerë, arsimit publik falas, shtesave për fëmijë dhe nënat e reja, si dhe rritjes së pagës minimale dhe pagave në sektorin publik dhe privat”, u shpreh kryeministri.

Kurti gjithashtu theksoi se punësimi, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë, është rritur, duke kontribuar në uljen e papunësisë nga mbi 25% në nën 11%. Ai theksoi gjithashtu mbështetjen ndaj bizneseve, të cilat kanë rritur qarkullimin e tyre dhe kanë kontribuar në lidhjen e ekonomisë me tregun e punës përmes arsimit dual.

Gjithashtu, kryeministri theksoi investimet në fusha kyçe dhe strategjike, duke përfshirë sigurinë dhe mbrojtjen, si dhe orientimin dhe aspiratat për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Gjatë takimit me studentët, Kurti iu përgjigj pyetjeve të tyre që përfshinin marrëdhëniet me Serbinë, masat për sigurinë dhe mbrojtjen, kërcënimet hibride dhe rritjen e fashizmit në Evropë, si dhe sfidat për t’u përballuar me këto kërcënime. Biseda gjithashtu përfshiu autorët e filozofisë politike dhe sociologjisë.

E quajti ‘gjeneral të vetëshpallur’, Haradinaj i përgjigjet Donika Gërvallës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar me ashpërsi ndaj deklaratave të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës, e cila në një tubim në Deçan i referohet disa figurave si “gjeneralë të vetëshpallur”.

Haradinaj, duke folur për KP, theksoi se gradën e tij e ka marrë nga NATO dhe që ajo iu dha nga një oficer gjerman, Klaus, në vendin ku është rritur Gërvalla.

“Ua kam hequr maskat edhe tash po iu prishën matematikat, po shohin se nuk e kanë punën mirë. Kuptohet, jam bërë nervoz, por detyra ime është kjo, unë jam opozitar, ka qenë detyra ime me iu hequr maskat – me ia qit ashtu si janë dhe po e shihni se çfarë janë. Hero janë dëshmorët e ata, për gjeneral, gradën e dytë e kam pikërisht prej NATO-s dhe atë prej një oficeri gjerman, atje ku është rritur kjo zonja, gjeneralit Klaus, ma ka dhënë me dorën e vet”, deklaroi Haradinaj.

Reagime kundër deklaratave të Gërvallës erdhën edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Në një deklaratë, organizata i bëri thirrje që të ndalen me fyerjet dhe veprimet keqdashëse kundër luftës çlirimtare dhe pjesëmarrësve të UÇK-së.

“Sepse një ditë, jo të largët, vet populli do t’u pështyjë surratin e do t’u hedh në kosha plehrash”, u theksua në deklaratë.

Më herët, gjatë një tubimi në Deçan, ministrja Gërvalla kishte thënë se Kosova nuk do të hyjë në NATO as me “gjeneralë të vetëshpallur” e as me një buxhet prej katër milionë euro në vit për ushtri, siç ishte rasti më parë./

Qeveria mban mbledhje elektronike, merr këto vendime

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar dje një mbledhje elektronike në të cilën ka marrë disa vendime.

Në këtë mbledhje janë miratuar nëntë vendime të ndryshme.

“Miratuar nismën për “Amendamentimin e Traktatit Bazë të Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP)”.

Miratuar vendimin me të cilin nga 1 janari i vitit 2025 shtetasit e Bosnjë e Hercegovinës do mund të udhëtojnë me letërnjoftim biometrik drejt Kosovës për hyrje, transit dhe qëndrim afatshkurtër në territorin e Republikës së Kosovës deri në 90 ditë brenda një periudhe gjashtëmujore, sipas Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.

Miratuar vendimin për të kërkuar nga presidentja e Republikës së Kosovës për dhënien e autorizimit ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë”.

Miratuar vendimin për të kërkuar nga presidentja e Republikës së Kosovës për dhënien e autorizimit ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “ Efiçenca e energjisë në ndërtesa publike”.

Miratuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për transfer të mjeteve buxhetore në nenin 30.3 të Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë.

Aprovuar kërkesën e Komunës së Zubin-Potokut për aprovimin e buxhetit pas miratimit të buxhetit për vitin 2025 nga kuvendi komunal.

Aprovuar kërkesën e Ministrisë së Mbrojtjes për rialokim të mjeteve deri nën 25% të ndarjes së ndikuar negativisht nga kategoria e shpenzimeve e investimeve kapitale.

Aprovuar kërkesën e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për transfer të mjeteve buxhetore në nenin 30.3 të Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë.

Miratuar vendimin me të cilin institucionet e Republikës së Kosovës mund të japin me qira ose në shfrytëzim pronat publike për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë nga burimet e ripërtëritshme bazuar në një proces të ofertimit konkurrues të organizuar nga Ministria e Ekonomisë.

“Një pjesë e vogël e sasisë…”, Kurti publikon pamjet e armatimit të ri që është blerë për FSK-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në profilin e tij në Facebook ka publikuar pamjet nga njëra nga depot ku janë vendosur furnizimet e fundit me armatim për ushtrinë e Kosovës.

Ai tha se ky armatim modern është në kuadër të blerjeve dhe furnizimeve të vazhdueshme që janë bërë për ushtrinë e Kosovës.

Sipas Kurtit, kjo është vetëm një pjesë fare e vogël e sasisë më të madhe të armatimit të këmbësorisë që ndonjëherë është blerë.

“Mbrëmë së bashku me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci vizituam njërën nga depot ku janë vendosur furnizimet e fundit me armatim për ushtrinë tonë.

Ky armatim modern është në kuadër të blerjeve dhe furnizimeve të vazhdueshme që jemi duke i bërë për forcën tonë dhe është vetëm një pjesë fare e vogël e sasisë më të madhe të armatimit të këmbësorisë që ndonjëherë kemi marrë.

Ngritja e kapaciteteve tona ushtarake ka qenë dhe do të jetë gjithnjë në shërbim të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit tonë territorial dhe të ruajtjes së paqes dhe sigurisë”, ka shkruar Kurti.

VIDEO

Qeveria mban mbledhje elektronike, merr disa vendime

Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike, gjatë të cilës ka marrë disa vendime.

Zyrës për informim e Kryeministrit, bënë të ditur se në mbledhjen e së hënës, Qeveria ka ndryshuar dhe plotësuar vendimin e saj për emërimin e Komisionit Ad-Hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim për Pozitën e Kategorisë së Lartë Drejtuese: Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Bëhet e ditur se Qeveria ka ndarë mjeteve buxhetore për Komunën e Kamenicës për organizimin e vizitës ne Belfast.

“Qeveria ka ndarë mjeteve buxhetore Komunës së Kamenicës për organizimin e vizitës ne Belfast më qëllim të promovimit të sistemit të arsimit të përbashkët ndërmjet komuniteteve dhe shkëmbimit të përvojave”, thuhet në njoftimin e sotëm të zyrës për informim të Kryeministrit

Ndërsa, vendimi i tretë që është marrë është aprovimi i Kërkesës së Ministrinë së Punëve të Brendshme për transfer dhe rialokim të mjeteve buxhetore deri nën 25% të ndarjes së ndikuar negativisht në total të kategorive të shpenzimeve për vitin 2024.

Qeveria e Kosovës mban mbledhje elektronike, merr këto dy vendime

Në një mbledhje elektronike të mbajtur të dielën, Qeveria e Kosovës ka miratuar dy nisma që synojnë forcimin e bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut.

Sipas njoftimit, e para lidhet me nismën për lidhjen e Protokollit për Implementimin e Marrëveshjes për Pikat e Përbashkëta të Kalimit Kufitar Hani i Elezit – Bllacë dhe Glloboqicë – Jazhincë.

Gjithashtu, Qeveria miratoi nismën për lidhjen e një Memorandumi të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë së Kosovës dhe Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale të Maqedonisë së Veriut.

Ky memorandum ka për qëllim bashkëpunimin në sektorin e energjisë, në përputhje me politikat dhe strategjitë kombëtare të të dy vendeve.

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, vjen lajmi i fundit

Pas një jave pauzë, javën e ardhshme do të vijojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dosja “Thaçi dhe të tjerët” do të trajtohet nga e hëna deri të enjten në Gjykatën Speciale në Hagë, me seancat që do të fillojnë në orarin e zakonshëm – nëntë të mëngjesit, shkruan IndeksOnline.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi do të dalin përpara trupit gjykues për të 171-tën herë, që nga arrestimi i tyre në nëntor të 2020-tës.

Kujtojmë se ZPS-së i kanë mbetur edhe 43 dëshmitarë për t’u deklaruar lidhur me rastin, pasi në fillim të këtij muaji u njoftua se nuk do të thirren 12 dëshmitarë.