Ky është punëtori që humbi jetën tragjikisht në aksidentin me vinç

Një aksident i rëndë në vendin e punës ka ndodhur paraditen e së hënës në lagjen Arbana të Prizrenit, ku një punëtor ka humbur jetën si pasojë e një incidenti me vinç.

Viktima është identifikuar si Valmir Morina, 26 vjeç, nga fshati Drenoc i Komunës së Malishevës.

Ngjarja ka ndodhur në një punishte, ku dyshohet se punëtori është zënë nga një vinç i cili është rrëzuar gjatë punës, duke i shkaktuar lëndime fatale.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipet emergjente, të cilat kanë konfirmuar vdekjen e tij dhe kanë nisur hetimet për sqarimin e rrethanave të plota të aksidentit.

Viktima raportohet se ishte djali i vetëm i familjes dhe mbajtësi kryesor i saj, pasi babai i tij kishte ndërruar jetë disa vite më parë pas një sëmundjeje të rëndë.

PZAP refuzon ankesat e Haxhiut dhe Kryeziut për rinumërim të plotë të votave

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pabazuara ankesat e kandidatëve për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, të cilët kishin kërkuar rinumërimin e plotë të votave preferenciale të kandidatëve të këtij subjekti politik pas rinumërimit të 185 vendvotimeve të rregullta, raporton Ekonomia Online.

Sipas dy vendimeve të siguruara nga EO, PZAP vlerësoi se pretendimet e kandidatëve nuk janë mbështetur me prova konkrete që do të dëshmonin ekzistimin e parregullsive sistematike në procesin e numërimit, ndërsa ndryshimet e evidentuara gjatë rinumërimit nuk cenojnë integritetin e përgjithshëm të procesit zgjedhor.

Në vendimin për ankesën e Bekim Haxhiut, PZAP thekson se rinumërimi i 185 vendvotimeve ishte realizuar si pjesë e mekanizmit kontrollues të paraparë me legjislacionin zgjedhor dhe jo si rezultat i konstatimit të parregullsive sistematike.

Sipas vendimit, Haxhiu kishte argumentuar se pas rinumërimit janë evidentuar gjashtë vota shtesë në favor të tij dhe se diferenca me kandidatin e renditur para tij mbetet 102 vota, duke kërkuar që të verifikohet në tërësi saktësia e numërimit të votave preferenciale të kandidatëve të PDK-së në të gjitha vendvotimet.

Megjithatë, PZAP konstatoi se ankuesi nuk ka identifikuar asnjë vendvotim konkret apo qendër numërimi ku mund të dyshohej për parregullsi dhe nuk ka paraqitur prova materiale që do të mbështesnin pretendimet e tij.

“Pretendimi i ankuesit se mund të ekzistojnë gabime edhe në vendvotimet e tjera mbetet në nivel të supozimit dhe nuk mbështetet në prova konkrete”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Po ashtu, PZAP vlerësoi se diferenca prej 102 votash, ndonëse mund të jetë relevante për interesin individual të kandidatit, nuk përbën bazë ligjore për urdhërimin e një rinumërimi të përgjithshëm.

Në një vendim tjetër, PZAP refuzoi si të pabazuar edhe ankesën e kandidatit të PDK-së, Qëndrim Kryeziu.

Kryeziu kishte pretenduar se rinumërimi i 185 vendvotimeve kishte sjellë 589 vota shtesë në favor të tij dhe se kjo krijonte dyshim objektiv për saktësinë e numërimit edhe në vendvotimet e tjera që nuk ishin përfshirë në procesin e rinumërimit.

Megjithatë, PZAP arriti në përfundimin se rezultatet e rinumërimit nuk kanë evidentuar ndonjë model sistematik të pasaktësive dhe se ndryshimet në votat e kandidatëve janë shpërndarë në të dy drejtimet, me kandidatë që kanë fituar dhe të tjerë që kanë humbur vota.

Paneli vlerësoi se një masë e jashtëzakonshme si rinumërimi i plotë i votave preferenciale në nivel vendi nuk mund të urdhërohet mbi bazën e pretendimeve hipotetike, por vetëm kur ekzistojnë prova objektive që tregojnë se rezultati zgjedhor është cenuar seriozisht.

PZAP theksoi se as Haxhiu dhe as Kryeziu nuk kanë ofruar prova konkrete, formularë rezultatesh, raporte vëzhguesish apo dokumente të tjera që do të mbështesnin pretendimet për parregullsi të përhapura në procesin e numërimit.

Për rrjedhojë, paneli vendosi që të dyja ankesat të refuzohen si të pabazuara.

Punëtori 26-vjeçar humb jetën në Prizren pasi u zu nga vinçi i rrëzuar në vendin e punës

Një aksident tragjik në vendin e punës ka ndodhur paraditen e së hënës në Prizren, ku një punëtor 26-vjeçar nga Komuna e Malishevës ka humbur jetën pasi u zu nga një vinç që ishte rrëzuar në një punishte.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen Arbana të Prizrenit, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipet emergjente.

Për Sinjalin, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar rastin, duke bërë të ditur se viktima ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra në incident.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa pritet të përcaktohen edhe shkaqet që çuan në rrëzimin e vinçit.

Rasti po trajtohet nga organet kompetente.

Deputeti socialist: S’ka hajvanllëk më të madh se sa të vish nga Kosova për të rrëzuar qeverinë në Tiranë

Në vijim të reagimit të kryeministrit Edi Rama për pjesëmarrjen e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat e Tiranës, deputeti socialist Ulsi Manja, i bëri thirrje qeverisë së Kosovës të distancohet nga prania e tyre në protestë.

Manja u shpreh se “nuk ka hajvanllëk më të madh” sesa të vish nga Kosova për të rrëzuar qeverinë në Tiranë.

“Dakord Kryeministër dakord, me ty jam, po nëqoftëse Albin Kurti nuk paska lidhje me këtë çorbë qensh dhe ishalla s’ka, pse nuk distancohet qeveria e tij nga ky turp me gjoja “diasporë”?! Gjithsesi unë mendoj se nuk ka hajvanllëk më të madh se sa të vish nga Kosova për të rrëzuar qeverinë në Tiranë. Jo vetëm se nuk e rrëzon dot, por i jep një dorë të madhe armiqve të Kosovës që do thonë ja, shikojini kush janë, nuk rrinë dot pa rrëmujë e pa konflikt as me Shqipërinë që e kanë pjesë të kombit të tyre!!!”, shkruan Manja.

“O engjëj, mezi pritët me ardh”, postimi prekës i xhaxhait të motrave që vdiqën në Gjermani

Dy motrat, Erza dhe Aulona Zubaku nga Topanica e Kamenicës, kanë humbur jetën tragjikisht pas një aksidenti të rëndë që ndodhi të shtunën në Gjermani.

Familjarët kanë publikuar fotografi të të ndjerave, ndërsa dhimbja për humbjen e tyre është e papërshkrueshme, raporton Klankosova.tv

“Herët na ikët, o engjëjt e axhës, Erza dhe Aulona. Allahu iu gradoftë me Xhenet. Me gëzim ju pritëm për pushim dhe për të shkuar në dasmën e Bardhit, por nuk paska qenë e shkruar. Do të na mungoni shumë”, thuhet në postimin prekës të një familjari të tyre.

Ndërkohë për rastin e rëndë, policia gjermane ka dhënë detaje për Klankosova.tv.

Sipas autoriteteve gjermane, dy aksidente u raportuan në të njëjtin vend, ku i pari ndodhi pak pas orës 11:30 pranë zonës së pushimit Renchtal.

Po ashtu, pengesat e krijuara nga aksidenti i parë detyruan drejtuesit e automjeteve që po lëviznin pas tyre të frenonin papritur. Si pasojë, pranë nyjës së Appenëeierit ndodhi një aksident tjetër i rëndë, ku u përfshinë pesë automjete.

E trishtë: Këto janë dy motrat që humbën jetën tragjikisht në Gjermani

Janë identifikuar viktimat nga Topanica e Kamenicës që humbën jetën në një aksident fatal trafiku në Gjermani.

Bëhet fjalë për dy motrat Erza Zubaku, 24 vjeçe, dhe Aulona Zubaku 18 vjeçe.

Policia gjermane po ashtu ka dhënë detaje për Klanin rreth përplasjes fatale në autostradën A5, që i mori jetën dy të rejave.

Në përgjigjet për redaksinë, autoritetet gjermane bëjnë të ditur se dy aksidente u raportuan në të njëjtin vend, ku aksidenti i parë ndodhi pak pas orës 11:30 pranë zonës së pushimit Renchtal.

“Dy automjete u përplasën gjatë një manovre ndërrimi korsie, nga korsia e mesme në atë të majtë. Për shkak të shpejtësisë së lartë, drejtuesit humbën kontrollin mbi automjetet, të cilat u ndalën në rrugë. Një person mbeti i plagosur rëndë”, thuhet në përgjigje.

Pengesat e krijuara nga aksidenti i parë detyruan drejtuesit e automjeteve që po lëviznin pas tyre të frenonin papritur. Si pasojë, pranë nyjës së Appenweierit ndodhi një aksident tjetër i rëndë, ku u përfshinë pesë automjete, ka bërë të ditur policia gjermane.

Autoritetet bëjnë të ditur se katër nga pesë automjetet e përfshira nuk patën të lënduar, por dy vajzat që udhëtonin në një automjet tip Smart humbën jetën në vendngjarje për shkak të plagëve të rënda.

Për shkak të operacioneve të shpëtimit, hetimeve dhe pastrimit të rrugës, drejtimi verior i autostradës A5 u mbyll për disa orë. Më vonë, policia njoftoi se të gjitha veprimet në vendngjarje kanë përfunduar dhe qarkullimi është rikthyer në normalitet.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidenteve janë në vazhdim, ndërsa dëmi material paraprak vlerësohet të jetë mbi 100 mijë euro.