Nuk u mbijetoi plagëve, ky është 39-vjeçari që humbi jetën aksidentalisht në Pejë

Ka përfunduar tragjikisht aksidenti i rëndë që ndodhi më 23 qershor në fshatin Zahaq të Pejës, pasi këmbësori që ishte goditur nga një veturë nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është Diamant Goska, 39-vjeçar, i cili kishte qëndruar për disa ditë në gjendje të rëndë shëndetësore, por pasditen e së enjtes ka ndërruar jetë.

Sipas hetimeve fillestare, aksidenti kishte ndodhur në rrugën Pejë–Klinë, në afërsi të “Swiss Oil” në fshatin Zahaq. Dyshohet se drejtuesi i një automjeti Volkswagen, Bashkim Kuqi, 51-vjeçar, duke mos e përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, e kishte goditur këmbësorin në momentin kur ai po e kalonte rrugën.

Si pasojë e goditjes, 39-vjeçari kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe ishte dërguar për trajtim mjekësor, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit po vazhdojnë nga Njësia Rajonale e Hetimeve të Aksidenteve në Pejë.

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.

Policia jep detaje lidhur me plagosjen në Podujevë

Gjatë ditës së djeshme në qytetin e Podujevës ndodhi një plagosje me armë zjarri.

Sipas Policisë në këtë rast kanë mbetur të plagosur 4 persona, tre të përfshirë në rast dhe një kalimtar i rastit.

Lidhur me rastin kanë intervenuar menjëherë zyrtarë policor dhe njësitë relevante policore, të cilat në vendngjarje kanë gjetur dhe sekuestruar tri armë zjarri dhe 28 gëzhoja.

Po ashtu është bërë e ditur se në vendngjarje ka dalë stafi i lartë menaxhues i PK-së, ekipet mjekësore dhe prokurori i rastit, me vendim të të cilit janë bastisur edhe pronat e të dyshuarve ku janë gjetur dhe sekuestruar dy karikatorë me 58 fishekë, dy karikatorë të tjerë me 27 fishekë, dy armë të shkurta me 82 fishekë dhe një armë gjuetie me 49 fishekë.

Rasti i është nënshtruar procedurave të mëtejme hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Humb jetën një i ri aksidentalisht në Pejë

Aksidenti i rëndë që ndodhi më 23 qershor në fshatin Zahaq të Pejës ka marrë epilog tragjik. Këmbësori i cili ishte lënduar rëndë pasi u godit nga një veturë nuk ka arritur t’u mbijetonte plagëve dhe ka ndërruar jetë të enjten, pas disa ditësh trajtim në spital.

Viktima është D. G, 39 vjeç, i cili kishte qëndruar për disa ditë në gjendje të rëndë shëndetësore. Pavarësisht trajtimit mjekësor, ai ka ndërruar jetë pasditen e së enjtes.

Lajmin për vdekjen e viktimës e ka konfirmuar për Indeksonlinen zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

“Jemi informuar se personi i lënduar ka ndërruar jetë. Më 23 qershor 2026, në fshatin Zahaq, ka ndodhur një aksident trafiku, ku një këmbësor është goditur nga një veturë. Viktima kishte qëndruar për disa ditë në trajtim mjekësor, por si pasojë e lëndimeve të marra nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

Personi i dyshuar vazhdon të jetë nën hetim, ndërsa njësitet kompetente janë duke vazhduar hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”. ka deklaruar Rugova.

23-vjeçarja i jep fund jetës me fotoksinë, dyshohet se shkak ishte i fejuari

Një ngjarje e rëndë është raportuar në fshatin Xhyherinë, Vlorë, ku një 23-vjeçare, Ola Metani, dyshohet se ka konsumuar fotoksinë dhe ka humbur jetën.

Dyshohet se ajo jetonte me të fejuarin e saj.

Në lidhje me vdekjen e saj ka reaguar edhe xhaxhai i saj i cili tha:

“O Ola e xhaxhit. Menduam që mjaft i kemi pasur lotët, por ikja jote na hidhëroi shpirtin. Ishte një lule e bukur dhe e tillë do të mbetesh gjithë jetën, o yll i bukur, që na loton zemrën dhe shpirtin. Lamtumirë, o yll i xhaxhit”,shkruan xhaxhai në Facebook.

Deri tani lidhur me ngjarjen policia nuk ka reaguar dhe nuk ka dhënë asnjë detaj.

Ndërkohë një mikeshë e saj shkruan se shkak mund të ketë qenë i fejuari.

Në një fshat të Vlorës ka vdekur një 23 vjeçare. Mendohet se shkak ka qenë i fejuari”, shkruan shoqja e të ndjerës në rrjetin social facebook.

Mirena tallë hipokrizinë: Vetëvendosja nga ‘Duaje tëndën’ në ‘Duaje Vuk Hamoviqin’

Gazetari e komentatori politik, Ilir Mirena, ironizoi me ndërhyrjet dhe qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje në sektorin privat pas inspektimit të sotëm në qumështoren ‘Vita’, transmeton Gazeta Metro.

“Kampanjat e VV’se, nga “Duaje tenden” ne…”

AUV ndërhy me një bataljon inspektorësh në qumështoren ‘Vita’ me dramë që u mësua se ishte urdhër i ministrit në largim Armend Muja./gazetametro.net