Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se duhet një strategji e qartë për të forcuar pozicionin tonë diplomatik dhe për të ndërtuar partneritete të qëndrueshme.
Tahiri ka thënë se anashkalimi i Kosovës, i shoqëruar me mesazhet nga vizitat e Presidentit Macron dhe Kryeministrit Scholz në Serbi, është një sinjal i keq për ne.
“Anashkalimi i Kosovës, i shoqëruar me mesazhet nga vizitat e Presidentit Macron dhe Kryeministrit Scholtz në Serbi, është një sinjal i keq për ne. Me sanksionet evropiane ende në fuqi, ne po paguajmë një kosto të lartë për eksperimentet politike dhe diplomatike të qeverisë aktuale. Mos harroni, përderisa Serbia po i thellon raportet e saj bilaterale me shumë shtete të BE-së, lidershipi ynë operon në një realitet virtual dhe pa vizion të forcimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtar. Thellimi i tyre nuk ndodh pa pasoja dhe efekte negative kundër Kosovës. Ndërkohë, Kosova po portretizohet si një vend në krizë. Kjo nuk mund të vazhdojë pafundësisht”, ka thënë Tahiri.