I papritur qe lajmi i ndarjes nga jeta të gazetarit të mirënjohur Artur Zheji.
Ishte policia që dha detajet e para për ngjarjen e ndodhur rreth orës 16:00 në Sarandë.
E media që Zheji drejtonte deri sot ka ndarë detaje të tjera.
Mësohet se gazetari Artur Zheji ishte duke drekuar me bashkëshorten dhe djalin ku dyshohet se ka pësuar arrest kardiak, shkruan 360gradë.al.
Më pas është transportuar me autoambulancë drejt urgjencës së spitalit “Petro Nako” të Sarandës, por pa jetë.
Zheji ishte djali i eruditit të shquar shqiptar Petro Zheji dhe aktores së njohur shqiptare Besa Imami, duke u rritur në një familje me traditë të thellë kulturore e intelektuale.
Zheji është angazhuar për dekada në fushën e gazetarisë dhe publicistikës në Shqipëri. Veprimtaria e tij përfshin analiza politike, shkrime editoriale dhe drejtimin e programeve televizive.
Që nga viti 2017, ai është drejtues i emisionit politik dhe analitik “360 Gradë” në ABC News.