21.1 C
Pristina
E hënë, 25 Gusht, 2025

Kandidati i VV-së kapet me plantacion kanabisi në Gjilan

Njëri prej të arrestuarve në aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës në Zhegoc të Gjilanit, ku u zbuluan rreth 500 bimë të llojit “kanabis sativa”, është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale në Novobërdë, Rinas Zeqiri.

Kandidatura e tij ishte bërë publike nga Abdyl Gashi, kandidat për kryetar të komunës së Novobërdës dhe bartës liste i VV-së, raporton Paparaci.

Pas arrestimit, Gashi reagoi duke konfirmuar lajmin dhe duke shprehur keqardhje për rastin.

”Të nderuar qytetarë të Artanës. Dua t’ju njoftoj se, sipas raportimeve në media, kandidati për Asamble komunale nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Rinas Zeqiri, është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për përfshirje në mbjelljen e bimëve narkotike. Rinasi i është bashkuar listës sonë vetëm para rreth një muaji, me iniciativë personale dhe dëshirë për të kontribuar. Ai nuk ka qenë më parë aktivist apo anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. E kemi njohur së fundi dhe kemi besuar se si i ri, me gatishmëri për të punuar, mund të jepte një kontribut në Asamble. Për fat të keq, prezantimi i tij rezultoi ndryshe nga pritshmëritë tona. Megjithatë, ne mirëpresim veprimin e Policisë së Kosovës dhe besojmë se drejtësia do të veprojë. Për këtë akt, kërkojmë përgjegjësi të plotë dhe të qartë nga çdo veprim i kundërligjshëm”.

Operacioni policor ishte zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, Njësia në Gjilan, në koordinim me institucionet e tjera të sigurisë. Bimët ishin të mbjella në katër sera dhe ndodheshin në një fazë të avancuar zhvillimi.

Gjatë kontrollit, policia ka konfiskuar edhe një armë të gjatë dhe dëshmi të tjera që lidhen me rastin.

“Tre persona të dyshuar janë arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, njoftoi PK-ja.

Policia bëri të ditur se shkatërrimi i bimëve narkotike do të kryhet në koordinim me prokurorinë kompetente.

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here