Gazetarja dhe moderatorja e emisionit të lajmeve Magazine në RTK, Blerta Foniqi-Kabashi, ka thënë se të premten, në fund të orarit, ajo dhe disa kolegë të saj kanë marrë një njoftim të paparalajmëruar dhe joligjor, me të cilin përjashtohen nga moderimi i emisioneve, përkatësisht i magazinës së orës 17:00 dhe lajmeve të orës 23:00.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se ajo dhe kolegët Meneta Zekaj Nushi, Jehona Zhitia, Edona Musa, Arton Mulliqi dhe Valon Bajrami, kanë kërkuar takim me menaxhmentin e RTK-së, por s’kanë marrë përgjigje.
“Tendenca është e qartë dhe e shpërfaqur hapur. Këtë e vërteton edhe fakti i paralajmërimeve për heqjen nga skema programore të magazinave informative, sa herë që në këto magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional”, ka shkruar ajo.Gazetarja ka shtuar se ky është një alarm shumë serioz për funksionimin e Transmetuesit Publik dhe për demokracinë në vend, teksa ka thënë se “do t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e të drejtave tona, ndërsa do të vazhdojmë të punojmë të panënshtruar, në mënyrë objektive dhe profesionale”.
Postimi i saj i plotë:
Reagim publik për përjashtimin arbitrar dhe censurën alarmante në RTK!
Të premten, në fund të orarit të punës, ne të poshtëshënuarit morëm një njoftim të paparalajmëruar dhe joligjor, me të cilin përjashtohemi nga moderimi i emisioneve, përkatësisht i magazinës së orës 17:00 dhe lajmeve të orës 23:00. Lidhur me këtë situatë, kemi kërkuar edhe takim me menaxhmentin e RTK-së, por nuk kemi marrë përgjigje.Tendenca është e qartë dhe e shpërfaqur hapur. Këtë e vërteton edhe fakti i paralajmërimeve për heqjen nga skema programore të magazinave informative, sa herë që në këto magazina janë realizuar intervista me të ftuar nga partia në pushtet, të cilët kanë shprehur pakënaqësi nga ballafaqimi profesional.
Vendimi arbitrar për ndërhyrjen në skemën programore, duke hequr tani Magazinën e orës 17:00 dhe muaj më parë Magazinën “Lajmet e fundit”, është edhe i paligjshëm, pasi skema programore mund të ndryshohet vetëm nga Bordi, ndërsa aktualisht RTK nuk ka Bord funksional.Ne, në vazhdimësi, jemi përballur me presion dhe akuza të pabaza nga eprorët, por asnjëherë ata nuk kanë pranuar t’i evidentojnë ato në mënyrë elektronike. Andaj, ushtrimi i detyrave tona të punës është bërë i vështirë, gati i pamundur.
Nisur nga këto, vendimi i fundit arbitrar ka vetëm një qëllim: heshtjen e zërit të panënshtruar dhe profesional brenda Transmetuesit Publik.Ky është një alarm shumë serioz për funksionimin e Transmetuesit Publik dhe për demokracinë në vend.
Andaj, ne do t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e të drejtave tona, ndërsa do të vazhdojmë të punojmë të panënshtruar, në mënyrë objektive dhe profesionale.Blerta Foniqi Kabashi
Meneta Zekaj NushiJehona Zhitia
Edona MusaArton Mulliqi
Valon Bajrami
