Berat Buzhala: Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje – “Nëse pushteti do të vriste dikë, do ta vriste Albin Kurtin, jo një aktivist anonim”

Në përvjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, gazetari dhe ish-deputeti, Berat Buzhala ka bërë një reagim të gjatë në rrjetet sociale, ku ka thënë se rasti Dehari është keqpërdorur politikisht nga pushteti aktual.

Buzhala thotë se është e vërtetuar si nga ekspertët vendorë ashtu edhe nga ata ndërkombëtarë se Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje në burg, dhe se pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje për vrasje janë “komike dhe tragjike”.

“Astrit Dehari ka bërë vetëvrasje në burg dhe kjo është konstatuar edhe nga ekspertët vendorë edhe nga ata ndërkombëtarë. Arsyet mund të jenë të ndryshme, mirëpo ka dyshime të bazuara se Astriti ka pasur presion nga partia që të mos bashkëpunojë me organet e hetuesisë lidhur me sulmin me zollë ndaj Kuvendit të Kosovës,” ka shkruar ai.

Sipas Buzhalës, një mundësi tjetër është që Dehari të ketë qenë në depresion dhe ta ketë marrë vetë jetën, “ashtu siç kishte bërë edhe vëllai i tij, Arbnori”.

Ai kritikon ashpër narrativën e Vetëvendosjes, duke thënë se po përdoret për qëllime politike:

“Tregimi i LVV-së dhe Kurtit se Astrit Deharin e kanë vrarë në burg është komik dhe tragjik. Po të donte pushteti të vriste dikë, do ta vriste Albin Kurtin, e jo një aktivist anonim. Astrit Dehari nuk ka qenë askush që të ketë arsye dikush ta vrasë në burg.”

Buzhala thotë se për herë të parë kishte dëgjuar për Astrit Deharin vetëm pasi ishte bërë publik lajmi për vdekjen e tij, dhe sipas tij, që nga ajo kohë pushteti aktual ka vazhduar “abuzimin politik” me figurën e Astritit dhe familjen e tij.

Në fund të reagimit, ai i referohet një thënie italiane “Cui bono?” (Kush përfiton?), duke shtuar se përfituesit më të mëdhenj të ngjarjes kanë qenë vetë drejtuesit e sotëm të Vetëvendosjes.

“Pra, kush ka përfituar më së shumti nga vetëvrasja e Astritit? Ka përfituar Albin Kurti dhe ata që sot janë ministra,” shkroi Buzhala.

Ai shton se nuk do të ishte marrë me këtë temë nëse, siç thotë ai, “pushteti nuk do të gënjente çdo vit”, duke paralajmëruar se do të vazhdojë të flasë “për të vërtetën” çdo përvjetor të rastit Dehari.