Ndalim prej 48 orësh për të gjithë të shoqëruarit për manipulim me vota në Prizren
Burime të besueshme bëjnë me dije se është konfirmuar masa e ndalimit prej 48 orësh për të gjithë personat e shoqëruar sot në Polici, në kuadër të hetimeve për manipulim të procesit të votimit në Prizren, ku mijëra vota dyshohet se janë transferuar nga një kandidat për deputet tek tjetri.
Sipas burimeve, masa e ndalimit pritet të zbatohet për të gjithë të ftuarit, me përjashtim të rasteve specifike, si persona me probleme serioze shëndetësore dhe ndonjë grua shtatzënë, ku mund të vendoset trajtim i ndryshëm procedural.
Megjithatë, sfida kryesore për organet e ndjekjes mbetet sistemimi i të ndaluarve, pasi siç mësohet nuk ka kapacitete të mjaftueshme në qendrat e ndalimit në Kosovë për një numër kaq të madh personash.
Burimet thonë se plani paraprak është që një pjesë e tyre të sistemohen në një sektor të burgut të Lipjanit, në hapësirën ku më parë ishin mbajtur edhe të ndaluarit në rastin e skandalit të BKS, si dhe në qendra të tjera të ndalimit ku mund të sigurohet vend.
Megjithatë, vendimi përfundimtar për vendosjen dhe shpërndarjen e tyre pritet të merret në koordinim të plotë mes Prokurorisë dhe Policisë, në varësi të numrit përfundimtar të personave që do të përfshihen në masën e ndalimit.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë, ndërkohë që burimet konfirmojnë se organet kompetente kanë në dispozicion edhe prova elektronike dhe filmime, që sipas tyre dokumentojnë dyshimet për ndërhyrje të organizuar në procesin e numërimit.
