Miratohet në lexim të parë Projektbuxheti i vitit 2026
Në Kuvendin e Kosovës është mbledhur për të vazhduar seancën e jashtëzakonshme të ndërprerë të premten, me një pikë të rendit të ditës “Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026”.
Me 66 vota për, Kuvendi ka miratuar në lexim të parë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit 2026.
32 deputetë votuan kundër, ndërsa pesë abstenuan.
Projektligji për ndarjet buxhetore për vitin 2026 ishte në rend dite në seancën e mbajtur të premten, mirëpo Lëvizja Vetëvendosje s’arriti të siguronte shmangien nga afatet për ta shqyrtuar atë në parim.
Buxheti i propozuar është në vlerë prej 4 miliardë eurosh, dhe për hyrjen në fuqi si Ligj, duhet të miratohet edhe në lexim të dytë.

