Deputeti i LVV-së voton me dy duart kundër mbështetjes financiare për ish-krerët e UÇK-së në Hagë
Me katër vota për, tri kundër dy abstenime Komisioni për Buxhet i ka dhënë përkrahje amandamentit për dyfishim të mbështetjes financiare për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë. Ky amandament u propozua nga Partia Demokratike e Kosovës.
Për votuan deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, deputetët e PDK-së, Kujtim Gashi e Mërgim Lushtaku, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa dhe deputeti i AAK-së, Duat Haradinaj.
Ndërsa, me 6 vote për, një kundër dhe asnjë abstenim Komisioni për Buxhet miratoi edhe projekt-buxhetin e vitit 2026 në lexim të dytë.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri tha se propozimi i kësaj partie është në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi.
Ai shtoi se dyfishimi i buxhetit mundëson mbështetje të dinjitetshme nga Kosova për ish-krerët e UÇK-së.
“Propozohet që të dyfishohet mbështetja për të akuzuarit tanë në Hagë dhe bëhet fjalë për një çështje shumë të rëndësishme identitetin reputacionin e vendit tonë dhe duke pas parasysh se ka nevojë për mbështetje më të avancuar dhe më të lartë të shtetit të Kosovës është në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi iu kërkoj me respektin maksimal që të votojmë për në mënyrë që të krijohet mundësia të ketë mbështetje të dinjjtetshme nga Kosova për një proces që si shtet edhe si shoqëri e kemi mbështetjen ndaj tyre”, tha ai.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se marrë parasysh që procesi gjyqësor në Hagë është drejt fundit, 8 milionë eurot e ndara janë të mjaftueshme.
Megjithatë, ai shprehu gatishmërinë për mjete shtesë në rast nevoje dhe sipas tij kjo mund të shqyrtohet gjatë rishikimit të buxhetit.
Kurse, kryetari i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti duke shprehur besimin se ish-krerët e UÇK-së, do të kthehen së shpejti të lirë në Kosovë, tha se po të jetë e nevojshme institucionet do të ndajnë mjete shtesë.
Deputeti i Vetëvendosje, Faton Geci u shpreh kundër dyfishimit të mbështetjes për katërshen e UÇK-së, duke thënë se ata nuk janë themelues të shtetit.
“Ata nuk janë themelues të shtetit siç tha deputeti Tahiri, meqenëse është në përfundim nuk konsideroj se është e arsyeshme për me vazhdua për mbrojtje të tyre”, tha ai.
Tahiri iu kundërpërgjigj Gecit duke i thënë se kush është themelues i shtetit të Kosovës është histori, dhe se mbështetja shtesë për ish-krerët e UÇK-së është e nevojshme.
Përkrahje për këtë amandament kërkoi edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, i cili e quajti si infuzion të fundit nga shtetit për katërshen e UÇK-së.
“Jemi në fund të atij procesi edhe natyrisht mirënjohje e pafund për të gjithë ata që ishin në shesh aty duke filluar nga kryeministri që dha përkrahje, presidentes, gjithkush kush e njeh atë histori të Tribunaleve e dinë që ka kosto të madhe të papërballuesnme sa i përket ekipeve mbrojtëse duke e ditur që është në tre muajt e fundit në këtë kuptim kisha kërkuar që të votojmë për dhe t’ua japim infuzionin e fundit kisha menduar me bindjen që do të jenë në Kosovë të pafajshëm”, tha ai.
