Kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka stil prej provokatori, raporton Gazeta Demos.
Në një shkrim në rrjetin social Facebook, e ka quajtur të papranueshëm arrestimin e politikanit serb Aleksandër Arsenijeviq nga Policia e Kosovës, në veri, pasi i kishte vërshëlluar me filikaq.
Molliqaj e cilësoi se kjo vepër e ka emrin shtypje dhe se sipas tij e tillë duhet kundërshtuar pa hezitim e kalkulim.
Postimi i plotë i Molliqajt:
Stil prej një provokatori profesional ka kryeministri i Kosovës. Përderisa policinë e ktheu në vegël politike, duke ushtruar presion e frikësim ndaj komunitetit serb në veri, me prezencë të shtuar, në emër të sovranitetit, tani ka vendosur të ndërtojë stacione policore. Për ta hedhur një lopatë beton, si fillim fushate, ai injoron kontekstin ku ai nuk është lideri i pakontestuar.
Ai u prit me protestë demokratike, ndërsa protestuesit me brutalitet policor. Dhuna ndaj Arsenijeviq dhe Orloviq, për shkak të protestës së tyre civile e paqësore, është e papranueshme. E drejta për protestë, duke qenë elementare në ushtrimin e bindjeve, nuk guxon t’i mohohet asnjërit. Demokracia matet me mënyrën se si shumica, në këtë rast pushteti institucional, sillet me ata që nuk i binden.
Kjo sjellje, që nuk duron as fishkëllimën më të vogël, ka emrin shtypje dhe si e tillë duhet kundërshtuar pa hezitim e kalkulim.