Studentët që punojnë a do t’i marrin nga 200€, tregon Murati
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që pensionistët, fëmijët, studentët aktivë dhe punëtorët e sektorit privat të përfitojnë nga 100 euro mbështetje financiare në prag të festës së Kurban Bajramit.
Vendimi është bërë publik nga kryeministri në detyrë Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë, në kuadër të pakos “Përballje me Inflacionin 2.0”.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka sqaruar kriteret e përfitimit, duke bërë të ditur se studentët që njëkohësisht janë të punësuar nuk do të mund të përfitojnë dy herë nga kjo masë.
Sipas Muratit, në rastet kur një student është edhe i punësuar në sektorin privat, ai do të marrë vetëm një pagesë prej 100 eurosh dhe jo 200 euro.
Qeveria ka bërë të ditur se pensionistët dhe fëmijët nuk do të kenë nevojë të aplikojnë, pasi institucionet tashmë posedojnë listat e përfituesve.
Ndërsa studentët dhe punëtorët e sektorit privat do të duhet të aplikojnë përmes procedurave që pritet të hapen gjatë ditëve në vijim.
