Kurti e merr një vendim për mërgatën në prag të zgjedhjeve, ndan dy milionë euro
Qeveria në detyrë ka mbajtur mbledhje elektronike, ku ndër të tjera ka marrë vendim që t’i ndajë dy milionë euro për mbështetjen e linjave të fluturimit për destinacionet që shërbejnë mërgatën.
“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar sot mbledhje elektronike, në të cilën ka: Ndarë mjete buxhetore në shumë prej 2,000,000.00 euro (dy milionë euro), për zbatimin e Masës 4.5 ”Mbështetja e Mërgatës” të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për mbështetjen e linjave të fluturimit për destinacionet që shërbejnë mërgatën tonë”, thuhet në njoftimin e qeverisë, shkruan Insajderi.
Në mesin e vendimeve të tjera, Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës i janë ndarë 8,000 euro për pjesëmarrjen në Olimpiadën e 67-të Ndërkombëtare të Matematikës 2026, e cila do të mbahet më 21 korrik 2026 në Shanghai të Kinës.
Po ashtu, “Kosova Global Talent Center” do të mbështetet me 70,876.79 euro për pjesëmarrjen e 26 nxënësve në finalen e NEO Science Olympiad, që do të mbahet në korrik 2026 në New York të SHBA’ve.
Ndërkohë, Shoqatës së Kimistëve të Kosovës i janë ndarë 3,500 euro për pjesëmarrje në Olimpiadën Ndërkombëtare të Kimisë 2026, e cila do të zhvillohet nga 10 deri më 19 korrik në Tashkent.
Qeveria gjithashtu ka aprovuar listën e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
