Hoti thërret protestë për mbështetjen e projektit të gazit amerikan
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për organizimin e një proteste demokratike në mbështetje të projektit të Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG) me prejardhje amerikane dhe për ruajtjen e aleancës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hoti ka deklaruar se refuzimi i projektit nga Qeveria e Kosovës po vazhdon pavarësisht kërkesave të përsëritura të zyrtarëve amerikanë, duke paralajmëruar se Kosova rrezikon të mbetet jashtë një projekti rajonal me rëndësi strategjike.
Sipas tij, projekti buron nga Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020 dhe kundërshtimet ndaj tij kanë ardhur kryesisht nga Lëvizja Vetëvendosje.
Hoti ka thënë se arsyetimet e Qeverisë për refuzimin e projektit janë të natyrës ekonomike, por sipas tij ato janë të pabazuara.
Sipas Hotit, refuzimi i projektit po prodhon pasoja ekonomike për qytetarët dhe bizneset, duke theksuar se në katër vitet e fundit janë paguar qindra miliona euro për import të energjisë elektrike.
