Një foshnje e porsalindur gjendet e vďekur në një grumbull mbeturinash – kërkohen nëna
Policia britanike në West Midlands i ka bërë thirrje publike nënës së një foshnje të sapolindur, e cila u gjet e vdekur në një grumbull mbeturinash në një depo në Rowley Regis, pranë Birminghamit, që të paraqitet menjëherë.
Foshnja, që besohet të jetë vajzë, u gjet në mbeturina që ishin transportuar në një zonë industriale në Rowley Regis, pranë Birminghamit, të enjten, ka bërë të ditur Policia e West Midlands. Policia po përpiqet të identifikojë nënën e foshnjës, nga shqetësimi për gjendjen e saj shëndetësore, pasi ajo mund të ketë nevojë për kujdes mjekësor.
Hetimet po vazhdojnë, përfshirë ekzaminimet forenzike, për të identifikuar vajzën dhe për të zbuluar se si ka vdekur ajo.
Oficerët besojnë se foshnja është “transportuar pa dijeni” nga një operator privat i mbeturinave deri në vendin ku u gjet, në Station Road, të mërkurën, raporton skynews – transmeton Sinjali.
Operatori privat që ka transportuar mbeturinat ku u gjet foshnja vepron në zonat e West Midlands, Staffordshire, Warwickshire dhe West Mercia.
Ndërmarrja nuk po lidhet me vdekjen e foshnjës.
Detektive Kryeinspektore Kylie Westlake nga Njësia për Mbrojtjen Publike e Policisë së West Midlands tha: “Ndërsa ende nuk e dimë se çfarë ka ndodhur, ajo që dimë është se duhet të ketë një nënë që ka nevojë reale për ndihmë – dhe ajo është prioriteti ynë absolut në këtë moment.
