Kandidatura e Rushitit për Presidente, nga PDK-ja dalin me këtë qëndrim
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar në një konferencë para seancës për zgjedhjen e presidentit, duke kërkuar tërheqje nga gara dhe respektim të rendit kushtetues.
Ajo tha se PDK e vlerëson angazhimin në shoqërinë civile, por sipas saj, në këtë moment veprimi më i duhur do të ishte tërheqja nga gara për të ruajtur dinjitetin institucional.
“Si PDK e çmojmë angazhimin e saj në shoqëri civile, mirëpo sot, puna më e rëndësishme që mund t’i bëjë vetes dhe nderi më i madh që mund t’i bëjë vendit, është të largohet nga kjo garë”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo theksoi se Kushtetuta, ligjet dhe rregullorja nuk mund të interpretohen sipas interesave ditore politike, duke akuzuar kryeministrin për shkelje të vetëdijshme të rendit kushtetues.
“Kur një kryeministër zgjedh me vetëdije të plotë të shkel Kushtetutën për pushtet të përkohshëm, ai bëhet rrezik edhe për vetë themelet e shtetit”, u shpreh ajo.
“Këto veprime janë sinjale të qarta se pushteti po vendoset mbi Kushtetutën dhe ligjet dhe këtë nuk do ta lejojmë. Së bashku me qytetarët e Kosovës do ta ndalojmë”, ka përfunduar ajo.
