div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-10 category-paged-10 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Komisioni për Buxhet miraton Ligjin mbi ndarjet buxhetore

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026, duke i dhënë dritën jeshile një projektbuxheti prej rreth 4 miliardë eurosh.

Ligji u miratua me 6 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim. Në të njëjtën seancë u shqyrtuan edhe disa marrëveshje ndërkombëtare për financime dhe kredi, përfshirë projektet për forcimin e sistemit të shëndetësisë, edukimin në fëmijërinë e hershme dhe instrumentin për reforma dhe rritje në Ballkanin Perëndimor.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, kërkoi nga deputetët që të përfundojnë procedurat sa më shpejt për të mundësuar zbatimin e buxhetit dhe marrëveshjeve.

Mblidhet sërish Kuvendi, kjo është pika kryesore e rendit të ditës

Deputetët do të mblidhen nga ora 15:00 në Kuvend për të shqyrtuar dhe ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare.

Janë pesë marrëveshje ndërkombëtare që presin ratifikim, ndërsa edhe buxheti për vitin 2026 do të mundë të shqyrtohet në parim.

Nga ato është edhe Marrëveshja e Financimit për Programin e Parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrushmërinë dhe Rritjen e Gjelbër” mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Bankës Botërore).

Sot 13 shkurt, është dita e fundit kur Kuvendi i Kosovës ka kohë të ratifikojë këtë marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë prej 90.3 milionë eurosh.

Në rend janë Projektligji për ratifikimin e “Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje;

Projektligjit nr. 10/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër” në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për zhvillim;

Projektligji nr. 10/L-005 për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, punës dhe transfereve, dhe asociacioni ndërkombëtar për zhvillim për projektin “kompas” – qasja gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë;

Projektligji nr. 10/L-006 për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe asociacioni ndërkombëtar për zhvillim (anzh) për projektin “edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”;

Projektligji nr. 10/L-004 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për “instrumentin për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si huadhënës, dhe Kosovës si huamarrës dhe bankës qendrore të Kosovës si agjent i huamarrësit.

Sherri në studio me Buzhalën, reagon Albatros Rexhaj

Shkrimtari e analisti Albatros Rexhaj ka reaguar edhe njëherë tjetër për “sherrin” me analistin Berat Buzhala.

Përmes një video-selfie, Rexhaj ka sqaruar në detaje ngjarjen, duke potencuar se nuk ka pasur asnjë lloj kontakti fizik mes tij dhe analistit Buzhala.

Sipas Rexhajt, ai vetëm se e ka larguar kokën anash ndërsa nuk ka marrë asnjë goditje nga Buzhala.

“Pavarësisht se si duket në video situata në studio ishte ndryshe, nuk ka pasur kontakt mes meje dhe Beratit, ai thjesht i nervozuar ngritet nga karrige e tij dhe vjen në drejtim timin rrin aty nja dy sekonda dhe shkon, unë thjesht e largoj kokën anash. Ju e keni parë që unë nuk kam lëvizur fare”, thuhet në sqarimin e Rexhajt.

51-vjeçari Rexhaj ka thënë se nuk i ka dëgjuar fyerjet e Buzhalës në studion e Opinion, megjithatë shprehet i bindur se edhe nëse do t’i dëgjonte do të vepronte po njësoj.

“Në video i dëgjova edhe disa të shara por në studio skam pasur mundësi por më mirë që nuk i kam dëgjuar por edhe nëse do t’i kisha dëgjuar do të kisha vepruar njësoj. Ne jemi intelektual, arma jonë është fjala, në studio ishim për të debatuar, unë konsiderova se nuk ishte vendi të diskutohej për Albin Kurtin dhe Berati e mori emocionale, por kjo është çështje e tij”, ka thënë Rexhaj.

Ai ka sqaruar më pas se me Buzhalën janë pajtuar dhe ka thënë se për të kjo është çështje e mbyllur.

“Në pauzë pati sqarim dhe unë ia shtriva dorë, unë nuk jam njeri i konflikteve, koha e përpalasjeve fizike i takon rirnisë sime. Të gjithë kemi probleme, kërkoj ndihmë dhe trajtohem për ato probleme, por në debat tregohem i përmbajtur. Njerëzit duhet të jenë të lirë të shprehen ashtu si mendojnë. Për të gjithë ata që më kanë shkruar, ju them se kjo për mua është çështje e mbyllur”, ka përfunduar Rexhaj.

LDK e quan të paplotë rezolutën për Specialen

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar sot lidhur me rezolutën e miratuar mbrëmë në Kuvendi i Republikës së Kosovës, e cila ka të bëjë me angazhimin dhe respektimin e ligjit dhe të drejtës ndërkombëtare nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Në deklaratën e saj, LDK theksoi se Kuvendi ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm për drejtësinë dhe jo përmes rezolutave që, sipas tyre, mbeten të pjesshme dhe selektive.

Sipas LDK-së, drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar dhe duhet të vlejë për të gjithë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës beson se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, të plotë dhe të drejtë për drejtësinë, jo me rezoluta të pjesshme dhe selektive.

LDK e mbështet fuqishëm parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese e ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës. Kjo është vlerë themelore e shtetit ligjor dhe e orientimit euro-atlantik të Republikës sonë.
Megjithatë, drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar. Ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj. Për këtë arsye, deputetët e LDK-së kërkuan që Rezoluta të përfshinte qartë dhe pa ekuivoke edhe obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë vrasjet politike. Ky është borxh ndaj viktimave, ndaj shoqërisë dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës.
Refuzimi për ta përfshirë këtë kërkesë e bëri Rezolutën të paplotë në thelb dhe të mangët në mesazh. Përballë kësaj, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk pranon të legjitimojë një qasje të njëanshme ndaj drejtësisë.
Ky qëndrim është aktiv dhe parimor. LDK nuk shmanget nga përgjegjësia, por e ushtron atë. Nuk hesht për drejtësinë, por kërkon që ajo të jetë e plotë. Nuk relativizon historinë, por refuzon instrumentalizimin e saj politik.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë: drejtësi për të gjithë viktimat; procese të drejta dhe të paanshme; dhe një shtet që ka guximin të përballet me të vërtetën, jo ta përzgjedhë atë”, thuhet në deklaratën e LDK-së.

Rezoluta e paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës u miratua mbrëmë me 90 vota për dhe një kundër. Dokumenti përmban shtatë pika dhe synon të kërkojë nga institucionet e drejtësisë në Hagë respektimin e standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare, si dhe garantimin e transparencës dhe llogaridhënies.

Vota e vetme kundër rezolutës u dha nga deputeti i Lëvizja Vetëvendosje, Fato Geci.

Pas paralajmërimeve për grevë, Trafiku Urban del me këtë vendim

Ndërmarrja Publike Komunale, “Trafiku Urban”, ka njoftuar se nuk do të ketë grevë dhe se shërbimi i transportit publik në Komunën e Prishtinës do të vazhdojë pa ndërprerje.

Punëtorët e “Trafikut Urban” patën paralajmëruar grevë nga 13 shkurti (nesër) për shkak se nuk u mbajt premtimi për rritjen e pagave.

Por sipas njoftimit në Facebook të enjten (12 shkurt), menaxhmenti i ndërmarrjes, në bashkëpunim me përfaqësuesit e punëtorëve dhe sindikatës, pas konsultimeve dhe dialogut të vazhdueshëm, ka arritur dakordim për vazhdimin e rregullt të punës.

Sa i përket kërkesave të punëtorëve për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave, “Trafiku Urban” ka theksuar se mbetet i përkushtuar që, në përputhje me mundësitë financiare, të ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e mirëqenies së punonjësve.

Menaxhmenti dhe sindikata janë pajtuar që diskutimet e detajuara për realizimin e kërkesave të zhvillohen gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026.

Në njoftim thuhet se kërkesat do të mbeten në shqyrtim aktiv dhe se, sapo të përmirësohet gjendja financiare e ndërmarrjes dhe të sigurohen të ardhura të mjaftueshme për zhvillim të qëndrueshëm, ato do të trajtohen me prioritet, në bashkëpunim me sindikatën dhe organet kompetente.

Për nëntë ditë vitin e kaluar “Trafiku Urban” dhe transportuesit privatë kishin ndërprerë shërbimet shkaku i borxheve të pashlyera nga Komuna. Zgjidhje ishte gjetur vetëm pas vendimit të Kuvendit Komunal për bartjen e mjeteve, pas të cilit vendim nisi alokimin e Ministria e Financave. Puna e transportuesve pati nisur më 3 dhjetor.

“Ëndrra” e paplotësuar për ministër – Haxhi Avdyli mbetet jashtë Qeverisë Kurti 3, kjo është detyra që iu besua

Edhe pse u vlerësua lart nga kolegët e partisë “Guxo” dhe u përfol gjatë si kandidati më i denjë për postin e Ministrit të Shëndetësisë, Haxhi Avdyli nuk ka arritur të bëhet pjesë e kabinetit ekzekutiv as në Qeverinë Kurti 3, shkruan Insajderi.

Zërat për emërimin e tij në krye të shëndetësisë kishin nisur që para tre vitesh, pas largimit të Rifat Latifit, por as atëherë e as sot, Avdyli nuk arriti ta marrë timonin e këtij dikasteri.

Në tetor të vitit 2022, drejtuesit e Partisë “Guxo” kishin konfirmuar interesimin e tyre që Avdylit t’i besone përgjegjësia ekzekutive, duke vlerësuar pasionin dhe përgatitjen e tij profesionale.

Megjithatë, marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje ka prodhuar një tjetër rezultat.

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, konfirmoi se kanë propozuar Haxhi Avdylin për kryetar të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, detyrë kjo që është miratuar edhe nga Kuvendi i Kosovës.

Pavarësisht se mbeti jashtë qeverisë, deputeti Avdyli e ka mirëpritur detyrën e re.

Përmes një shkrimi në “Facebook”, ai u zotua për angazhim maksimal në reformimin e sistemit.

“Me propozimin e grupit tonë parlamentar dhe me votën e Kuvendit, nga sot jam emëruar Kryetar i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi. Bashkë me kolegët e të gjitha partive, do të punojmë shumë për avancimin e reformës legjislative, rritjen e përkrahjes për pacientët dhe punëtorët shëndetësorë, për një mbulim universal shëndetësor”, shkroi Avdyli.

Ndërkaq, pozita e ministrit të Shëndetësisë iu besua sërish Arben Vitisë./Insajderi

Votoi kundër rezolutës për Specialen, Geci: Shumë krenar për veprimin, jam kundër individëve në Hagë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka dalë hapur kundër rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Kosovës lidhur me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke e cilësuar atë si një dokument që synon mbrojtjen e individëve.

Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 90 vota për dhe vetëm një kundër, pikërisht atë të Gecit.

Rezoluta përmban shtatë pika dhe kërkon që Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të veprojnë në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare, duke garantuar një proces të drejtë dhe të paanshëm, si dhe duke rritur transparencën dhe llogaridhënien.

Megjithatë, në Debat Plus Geci e ka kritikuar përmbajtjen e saj.

“Në tërësi jam kundër krerëve, jo të UÇK-së por të individëve dhe jam shumë krenar për veprimin që e bëra. Teksti flet për mbrojtjen e individëve të cilët janë në Hagë, në Gjykatën Speciale”, ka thënë Geci.

Pse LDK nuk votoi për rezolutën për Gjykatën Speciale?

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë në votimin për miratimin e rezolutës së Gjykatës Speciale, e cila u propozua nga Partia Demokratike e Kosovës.

Rezoluta e cila kërkon respektim të ligjit dhe drejtës ndërkombëtare nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, u votua nga 90 deputetë, por jo edhe nga ata të LDK-së.

Jehona Lushaku, shefe e Grupit Parlamentar të LDK-së, kërkoi nga Kuvendi që në rezolutën ndaj Speciales të përfshihet edhe një pikë shtesë.

Përmes kësaj pike, LDK-ja kërkoi që të zbardhen vrasjet politike gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

“Kërkojmë nga të gjitha institucionet dhe organet e rendit të Republikës së Kosovës, si dhe inkurajojmë mbështetjen ndërkombëtare për intesfikimin drejt zbardhjes së plotë të vrasjeve të pazbuluara të ndodhura gjatë dhe pas luftës në Kosovë me qëllim që të zbardhet e vërteta”, tha Lushaku në fjalën e saj.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë në votim, ashtu sikurse edhe deputetët e Listës Serbe që nuk ishin prezent në sallë.

Kuvendi miraton rezolutën për Gjykatën Speciale

Në një mbledhje të jashtëzakonshme një ditë pas konstituimit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën për Gjykatën Speciale.

Përmes kësaj rezolute, Kuvendi ka kërkuar angazhim dhe respektim të ligjit dhe drejtës ndërkombëtare nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Për rezolutën të cilën e ka propozuar Partia Demokratike e Kosovës votuan 90 deputetë, kurse një deputet i LVV-së votoi kundër, ndërkaq LDK nuk mori pjesë në votim.

Jehona Lushaku, shefe e Grupit Parlamentar të LDK-së, kërkoi që në rezolutë të shtohet edhe një pikë përmes së cilës kërkohej hetimi dhe gjykimi i vrasjeve politike të pasluftës.

Rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës përmban gjithsej shtatë pika.

  1. KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, duke respektuar gjithashtu parimet e transparencës, llogaridhënies dhe kultivimit të besimit të publikut në drejtësi.
  2. KËRKON nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të akuzuarve, përfshirë edhe detyrimet që burojnë nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
  3. KËRKON nga Ombudspersoni i Dhomave të Specializuara, përgjegjësia ekskluzive e të cilit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, që të veprojë me pavarësi dhe paanësi të plotë në ushtrimin e këtij funksioni, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe aktet e standardeve ndërkombëtare lidhur me këtë funksion.
  4. INKURAJON të gjitha shtetet demokratike, përfshirë ato financuese dhe mbështetëse të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të bashkohen në thirrjen tonë për respektimin e plotë të standardeve ndërkombëtare për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm – standarde këto që burojnë nga tradita kushtetuese e të gjitha shteteve demokratike dhe akteve e rekomandimeve të miratuara nga mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë, por pa u kufizuar, nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
  5. INKURAJON mekanizmat monitorues për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare e vendore, për monitorim të shtuar të pajtueshmërisë së funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore në procese gjyqësore dhe raportimin e shkeljeve të evidentuara.
  6. KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin për sigurimin e të gjitha mekanizmave, përfshirë ato financiare, në mbështetje të të drejtave të mbrojtjes së udhëheqësve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara.
  7. KONFIRMON zotimin dhe përkushtimin e plotë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për afirmimin e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shenjtërisë së historisë mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës.

Një rezolutë të tillë e ka miratuar më herët edhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

ZPS ka kërkuar 45 vjet për secilin, 180 në total, për 10 pikat e Aktakuzës duke mos hequr dorë nga asnjëra prej tyre pas gati 3 vitesh gjykim.

Fitore Pacolli, ministre: “Do ta përmirësoj cilësinë e jetës së qytetarëve”

Fitore Pacolli e Vetëvendojses ka hyrë zyrtarisht në zyrë si ministre.

Detyrën ia dha Hysen Durmishi, ish-Ministër i Infrastrukturës dhe Mjedisit, tash në dikastere të ndara.

Pacolli tha se një ndër detyrat e saj si ministre do të jetë “përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve në Kosovë”.