Osmani “shkrihet” në LDK me njerëzit e vetë, udhëheq listën e kësaj partie më 7 qershor

Vjosa Osmani pritet të jetë bartëse e listës së LDK-së, në zgjedhjet e 7 qershorit.

Ish presidentja planifikohet se do të jetë edhe kandidate e kësaj partie për presidente të shtetit, në çfarëdo kalkulimi eventual në të cilin Lidhja Demokratike mund të përfshihet, pas zgjedhjeve, për postin më të lartë institucional në vend.

Në anën tjetër, kryetari aktual Lumir Abdixhiku është paraparë të konfirmohet edhe njëherë si kandidat për kryeministër i LDK-së.

Kështu ka deklaruar për KosovaPress një burim i mirinformuar për ecurinë e bisedimeve të subjektit të tretë politik në vend, me ish presidenten.

Sipas tij, nëse nuk ndodh “befasi” në ndërkohë, Osmani planifikohet se do të bashkohet më LDK-në, më së largu në fund të kësaj jave, por jo duke bërë koalicion parazgjedhor si pjesë e ndonjë nisme a liste të veçantë nga Lidhja Demokratike.

“Ajo sigurisht që do të ketë një mori të emrave për të cilët do të kërkojë të futen në listën zgjedhore të LDK-së. Pra, nuk pritet të ketë koalicion të LDK-së me një nismë që udhëhiqet nga Vjosa Osmani. Ajo thjesht pritet të vijë me njerëzit e saj për t’u bërë pjesë e listës së LDK-së dhe për të qenë bartëse e kësaj liste”, tha burimi.

Vetë Osmani nuk ka dashur të tregojë, të martën, se si do të jetë partneriteti i saj politik me LDK-në.

“Nuk është mirë me spekulu. Unë nuk kam kërkuar kurrë asnjë pozitë nga askush”, tha ajo. “Kurdo që kemi diçka për t’ju thënë do t’ju themi …”, shtoi ish presidentja.

“Fshesa e Ramës”, shkarkohet edhe një drejtor i LDK-së në komunën e Prishtinës

Samir Shahini bën të ditur se mandati i tij si drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës ka përfunduar.

Përmes një postimi, ai ka thënë se ky vendim është marrë nga i pari i kryeqytetit, Përparim Rama, raporton KosovaPress.

Tutje, ai është shprehur “puna që kemi nisur nuk ishte e zakonshme dhe nuk duhet të trajtohet si e tillë”.

Drejtori i deritanishëm i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini ka thënë se ka sfiduar mënyra të vjetra të funksionimit, ku në vijim ka numëruar edhe punët e deritanishme

– kemi inicuar procesin e analizimit e largimit të ngarkesës administrative për mësimdhënësit,

– kemi shpërndarë mbi 300 tabela digjitale në dhjetëra shkolla për më pak se 1 vit,

– kemi filluar Ligen e Shkollave për djem, e këtë vit edhe për vajza,

– kemi nënshkruar rreth 40 marrëveshje bashkëpunimi me OJQ dhe biznese në të mirë të sistemit të arsimit,

– kemi kërkuar matje reale të dijes, dhe kemi shtyrë përpara përgjegjësinë në çdo nivel – nga drejtori te klasa.

Këto asnjë nuk janë procese të lehta. Por janë të domosdoshme.

Për këtë rrugë që kemi hapur, për gjithë punën e përkushtimin tim gjatë kësaj kohe jam jashtëzakonisht krenar, e sot largohem me kokën lart.

Dhe mbi të gjitha, jam mirënjohës për ju që nuk keni zgjedhur rrugën më të lehtë, por atë që i shërben më së miri nxënësit.

Ndryshimi në arsim nuk vjen nga vendimet e një dite. Vjen nga qëndrueshmëria në procese. Nga guximi për të mos u kthyer mbrapa.

Prandaj, vazhdoni.

Mos e ulni standardin. Mos e ndalni ritmin.

Sepse në fund, nuk është çështje mandati. Është çështje e së ardhmes së fëmijëve tanë.

I juaji,

Samir Shahini

E rrahu të dashurën, biznesmeni vdes nga sulmi në zemër pas vendimit gjyqësor

Një biznesmen i cili rrahu të dashurën e tij aq shumë sa ajo humbi gjysmën e kafkës së saj, ka vdekur pasi mësoi se do të burgosej ose do të duhej të shkonte të luftonte në Ukrainë.

Anzhelika Tartanova, 33 vjeç, pësoi lëndime të rënda në kokë, dëmtime të rënda në tru dhe probleme të qëndrueshme njohëse pasi Dmitry Kuzmin, 41 vjeç, e rrahu atë në Rusi.

Kuzmin tani ka vdekur papritur nga një atak i dyshuar në zemër, pasi mësoi për dënimin e tij.

Modelja doli në TV katër muaj më parë për të zbuluar tmerret e lëndimeve të saj.

Fillimisht, biznesmeni Kuzmin shpresonte të shmangte një dënim me burg dhe madje iu lejua të vizitonte Tartanovën në spital, pavarësisht se i kishte shkaktuar lëndime. Por më pas ai u akuzua për tentativë vrasjeje.

Modelja nuk ishte në gjendje të fliste për muaj të tërë pas sulmit nga manjati i ndërtimit të rrugëve.

Ajo zbuloi se shërimi i saj ka qenë i ngadaltë nga sulmi i 23 nëntorit të vitit të kaluar dhe të folurit e saj nuk është rikuperuar plotësisht.

“Për një kohë të gjatë nuk iu afrova pasqyrës, isha shumë e frikësuar”, tha ajo, shkruan Metro.

Mjekët thonë se sulmi shkaktoi trauma shkatërruese në tru, duke kërkuar një ndërhyrje kirurgjikale urgjente për t’i shpëtuar jetën.

Abdixhiku mbledh partinë, pritet të merret ky vendim

Anëtarët e Kryesisë dhe kryetarët e degëve të Lidhjes Demokratike vendosin sot me votë për bashkimin me ish-presidenten Vjosa Osmani.

Mbledhja ku do të miratohet marrëveshja e arritur nga kryetari Lumir Abdixhiku me ish-presidenten, mbahet të martën në orën 16:00, ka mësuar Paparaci nga burime të afërta me LDK-në.

Paparaci merr vesh se anëtarësia e LDK-së është pro bashkimit me Osmanin për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.

Zyrtarizimi i marrëveshjes vjen disa ditë pas takimit mes Abdixhikut dhe Osmanit në një restorant në Prishtinë, ku palët u pajtuan për atë që është proklamuar si  “bashkimi i madh i LDK-së”.

Ka disa javë prej se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nisur iniciativën për bashkimin e LDK-së, të cilin shpesheherë e ka etiketuar si “bashkimi i të djathtës politike”.

Në thelb, nisma e Lumir Abdixhikut synon ribashkimin nën ombrellën e LDK-së të njerëzve të larguar nga partia gjatë viteve të fundit, me një pjesë të madhe që kishte kaluar në Lëvizjen Vetëvendosje.

Rreth dy javë më parë, në mesin e procesit politik të zgjedhjes së presidentit, Abdixhiku tha se fokusi kryesor i tij ishte përqendruar pikërisht te nisma rreth “bashkimit të së djathtës” nën një strehë politike.

Ish-presidentja Osmani është emri që peshon më së rëndi nga të larguarit nga LDK-ja.

Ajo pritet të rikthehet në Lidhjen Demokratike të Kosovës gati shtatë vjet pasi e braktisi partinë për shkak të mosmarrëveshjeve me lidershipin e asokohshëm.

Osmani mbetet gruaja më e votuar në histori të Kosovës në zgjedhje parlamentare, pasi në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021 – si bartëse e listës së koalicionit LVV-Guxo – siguroi 300 mijë vota.

Përparim Rama sfidon LDK-në, konfirmon koalicionin me PDK-në

Përparim Rama ka konfirmuar koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës, duke e emëruar Besianë Musmuratin e kësaj partie, si nënkryetare të Prishtinës.

Rama ka sfiduar edhe LDK-në që orë më parë mohoi se ka koalicion me PDK-në për kryeqytetin.

Rama ka thënë se bashkëpunimi po bëhet për të mirën e qytetarëve.

“Po fillojmë një bashkëpunim të ri politik në Kryeqytet edhe me Partinë Demokratike të Kosovës me qëllim zhvillimin e Prishtinës, për të mirën e qytetarëve të saj dhe të Kosovës”, ka thënë Rama.

“Zotohemi për qeverisje që tejkalon interesat partiake, duke vënë në dispozicion kapacitetet profesionale dhe njerëzore për realizimin e projekteve strategjike në dobi të qytetarëve dhe të mirës publike”, është arsyetuar ai.

Ai lavdëroi Musmuaratin.

“Nga sot, Besianë Musmurati emërohet në pozitën e Nënkryetares së Kryeqytetit, duke sjellë me vete përvojë të gjerë institucionale dhe ndërkombëtare. Me një angazhim mbi një dekadë në fusha si diplomacia, politika publike dhe menaxhimi institucional, ajo ka kontribuar në avancimin e proceseve vendimmarrëse dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Rama.

“Përvoja e saj në Kryeqytet, veçanërisht në drejtimin e Arsimit, ka lënë gjurmë në përmirësimin e cilësisë dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit. I urojmë suksese në këtë përgjegjësi të re, në shërbim të qytetarëve të Kryeqytetit”, ka shkruar ai.

Kurti jep lajmin e mirë për prindërit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë të ditur se qytetarët nuk do të kenë më nevojë të lëvizin nga një institucion në tjetrin për procedurat e regjistrimit pas lindjes së një fëmije.

Sipas njoftimit, të dhënat për të porsalindurin dhe prindërit regjistrohen në mënyrë digjitale përmes tabletit që në institucionin shëndetësor, dhe më pas barten automatikisht në sistemet përkatëse.

Ky integrim përfshin sistemin shëndetësor, regjistrin civil, skemat e benefiteve për fëmijë dhe lehona, si dhe institucionet e tjera relevante, duke eliminuar dokumentet fizike dhe aplikimet e ndara.

Njoftimi i plotë i Kurtit:

 

LDK: Nuk kemi asnjë marrëveshje me PDK-në për bashkëqeverisje në Prishtinë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mohuar se ka koalicion qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës në Prishtinë.

Përmes një komunikate, ka thënë se LDK-ja nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për ndonjë marrëveshje bashkëqeverisëse politike deri më tani, shkruan KOHA.

Postimi i plotë:

KOMUNIKATË PËR MEDIE

LDK njofton opinionin publik se nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti tjetër politike në Prishtinë për bashkëqeverisje. LDK nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për ndonjë marrëveshje bashkëqeverisëse politike deri më tani.

LDK ka strukturat e veta partiake, organet vendimmarrëse lokale dhe më gjerë; dhe këto struktura nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse.

Çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si e tillë, ajo nuk krijon obligime politike për LDK-në dhe nuk mund të konsiderohet si vullnet i organizuar i saj. Palët dhe subjektet e tjera politike e dinë shumë mirë se si ndërtohen marrëveshjet ndërpartiake me LDK-në; përmes strukturave zyrtare, transparencës dhe vendimmarrjes institucionale. Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë rrugë nuk përbën marrëveshje me LDK-në.

Për çështjet tjera lokale, LDK do të angazhohet pas zgjedhjeve nacionale. Në këtë fazë, LDK dhe anëtarësia e saj janë të angazhuar plotësisht në procesin e ringritjes së përbashkët. Asnjë agjendë tjetër nuk mund ta zbehë këtë përkushtim.

MINT publikon çmimet e derivateve për sot në Kosovë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur çmimet tavan për derivatet e naftës që do të jenë në fuqi gjatë ditës së sotme.

Sipas këtij vendimi, çmimi maksimal për naftën (dizel) është caktuar në 1.68 euro për litër, një cent më lirë se dje, ndërsa benzina do të tregtohet deri në 1.49 euro për litër.

Ndërkaq, çmimi i gazit është përcaktuar në 0.82 euro për litër.

 

E rëndë: Ky është 30-vjeçari që humbi jetën pasi u ther me thikë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjakovë, ku një i ri ka humbur jetën pasi u ther me thikë pas një konflikti, mëson Sinjali.

Rasti ka ndodhur më 5 maj 2026 rreth orës 02:20, në rrugën “Mbretëresha Teuta”, ndërsa viktima Rexhë Brahimaj është paraqitur fillimisht në QKMF me plagë të rënda në gjoks.

Sipas stafit mjekësor, viktima kishte ende shenja jete dhe vetëdije, por gjatë transportimit me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal “Isa Grezda”, gjendja e tij është përkeqësuar dhe rreth orës 03:10 ka ndërruar jetë.

Nga dëshmitarët e intervistuar, mësohet se ngjarja ka nisur si konflikt verbal, i cili ka eskaluar në përleshje fizike. Në një moment, i dyshuari dyshohet se ka nxjerrë thikë dhe e ka goditur viktimën në gjoks.

Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe ka ndërmarrë veprimet hetimore, ndërsa janë intervistuar disa dëshmitarë që kanë qenë të pranishëm në momentin e incidentit.

“Lidhesh për krejt jetën…”- Fatos Geci rikthehet me një koment tjetër të rëndë ndaj Thaçit

Deputeti i Guxo-s, pjesë e ish-grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka bërë një tjetër koment të rëndë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.

Këtë e ka bërë në ‘Facebook’, nën një postim të IndeksOnline për intervistën e Thaçit nga Haga në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut.

Në postimin ku citohej deklarata e Thaçit se “më është mbyllur goja për të folur dhe më janë lidhur duart për të shkruar”, Geci komentoi: “Mire qe koke pergadit se tash me 19 maj lidhesh per krjet jeten”