div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-16 category-paged-16 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Gjendet i vdekur një person

Një burrë është gjetur i vdekur sot pas mesditës në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

Rastin për Insajderin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës Enis Pllana derisa tha se vdekjen e viktimës e ka konfirmuar ekipi mjekësor në vend të ngjarjes.

“Rreth orës 14:30 kemi pranuar informatën se një person pa shenja jete gjendet në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vend ngjarje”, ka deklaruar Pllana teksa shtoi se Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen si dhe po vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Aksidenti tragjik në Dollc: Njëri nga djemtë e viktimës në gjendje të rëndë

Një udhëtim familjar që duhej të përfundonte me kthim në shtëpi, u shndërrua në tragjedi për familjen Haliti nga Peja, pasi 43-vjeçari Driton Isa Haliti humbi jetën në vetaksidentin e rëndë që ndodhi sot në Dollc të Klinës.

Në aksident u lënduan edhe bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij, ndërsa gjendja më e rëndë raportohet të jetë ajo e njërit prej djemve të viktimës.

Për gjendjen e të lënduarve, për Sinjali ka folur shefi i Emergjencës, Naser Syla.

“Politraumë e rëndë, gjendje e rëndë dhe jostabile. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme, kirurgjia spinale dhe ortopedët janë duke u marrë me rastin”, tha ai.

Sipas Sylës, djali i 43-vjeçarit ndodhet në gjendje të rëndë dhe po trajtohet nën kujdes intensiv mjekësor, ndërsa dy familjarë të tjerë janë liruar për trajtim në shtëpi.

Një tjetër i lënduar po vazhdon trajtimin në Spitalin Rajonal të Pejës.

Një grua sulmon policinë, lëndohen dy zyrtarë

Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të “Sulmit ndaj personit zyrtar” dhe “Lëndimit të lehtë trupor”, që ka ndodhur në Prizren.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur më 17 maj 2026 rreth orës 23:20, ku një grua e dyshuar fillimisht kishte fyer e më pas kishte sulmuar fizikisht një zyrtar policor, duke e goditur me shqelm derisa ai ishte duke hyrë në marketin e një pompe të derivateve.

Policia bën të ditur se e dyshuara ka shfaqur rezistencë edhe gjatë arrestimit, me ç’rast dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Të dyshuarës i është ofruar trajtim mjekësor në stacion policor, ndërsa zyrtarët policorë kanë marrë tretman mjekësor.

Me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje për 24 orë.

Ishin bashkë në makinë, 43-vjeçari që vdiq në aksidentin në Dollc, la pas vetes gruan me 3 fëmijë

43-vjeçari Driton Isa Haliti, ka vdekur si pasojë e një vetaksidenti që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Dollc të Klinës.

Siç raporton Klan Kosova i ndjeri në makinë gjendej së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët e mitur.

“Ai ka qenë në makinë së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët e mitur. Të katër këta janë dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa njëri nga ta është dërguar në QKUK, e një tjetër ka vazhduar trajtimin në spital. Dy të tjerë janë liruar për në shtëpi”, tha Hasani

Burime të televizionit thonë se familja po kthehej nga pushimet në Turqi.

E dhimbshme: Ndahet nga jeta ish-luftëtari i UÇK-së

Është ndarë nga jeta ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Tafilaj.

Brigada 133 “Adrian Krasniqi”, ka dhënë lajmin e hidhur përmes një postimi në Facebook.

Në njoftim bëhet e ditur se veterani do të varroset këtë të hënë në varrezat e fshatit Jabllanicë e Madhe.

“Ngushëllime familjes dhe shokëve të Brigadës 133 Adrian Krasniqi!”, thuhet në njoftim.

Aksident tjetër me fatalitet, humb jetën një 60-vjeçar

Një aksident i rëndë mes dy veturave ka ndodhur rreth orës 12:15 në fshatin Koshare të Ferizaj.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënës polici për rajonin e Ferizaj, Kanun Veseli, ku bëri të ditur se si pasojë e aksidentit një person i moshës 60-vjeçe ka humbur jetën.

Veseli ka njoftuar se vdekjen e tij është konfirmuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor.

“Sot rreth orës 12:15 kemi pranuar informatën se në fshatin Koshare të Ferizajt ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë dy vetura me targa vendore. Si pasojë e ketij aksidenti ka humbur jetën një person, mashkull, i moshës 60-vjeç, vdekja e të cilit është konfirmuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor. Per informata shtesë do të njoftoheni me raport vijues”, ka thënë Veseli.

Këta pritet të jenë drejtorët e rinj të klinikave në QKUK

Procesi i përzgjedhjes së drejtorëve të rinj në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) po shkon drejt finalizimit, ndërsa tashmë janë bërë të ditur emrat e disa prej udhëheqësve që pritet të marrin drejtimin e klinikave kryesore.

Indeksonline ka mësuar emrat që pritet të udhëheqin klinikat e QKUK-së, ndërsa në disa raste procesi ende nuk është përmbyllur ose ka dështuar.

Burime të indeksonlinet kanë thënë se në Klinikën e Kirurgjisë Torakale pritet të zgjedhet dr. Afrim Tahiri, ndërsa dr. Arsim Gashi pritet të drejtojë Institutin e Psikiatrisë Forenzike në QKUK. Ismet Jusufi pritet ta udhëheqë Klinikën e Anesteziologjisë, derisa Edmond Komoni po ashtu pritet të udhëheq Klinikën e Neurologjisë.

Ndërsa Klinikën e Gjinekologjisë do të vazhdojë ta udhëheqë dr. Zef Nderaj, ndërsa dr. Shpëtim Thaçi pritet të jetë drejtori i ri i Klinikës së Pulmologjisë.

Dr. Fakir Spahiu pritet të përzgjedhet shef në Repartin e Mjekësisë Nukleare.

Ndërkohë, konkursi për drejtor të Klinikës së Radiologjisë ka dështuar, pasi procesi nuk ka nxjerr një kandidat fitues.

Ka dështuar edhe përzgjedhja për drejtor të Institutit Paraklinik.

Në listë ishte vetëm një kandidat, dr. Jeton Shatri, mirëpo procesi nuk ka rezultuar me emërim.

Sa i përket Klinikës së Alergologjisë, gara ende nuk është mbyllur.

Në konkurrim për pozitën e drejtorit janë dr. Leonora Sfarça dhe dr. Bardha Selmanaj-Bislimi, ndërsa vendimi final pritet të merret në ditët në vijim.

Aksident fatal në Klinë: Humb jetën zyrtari i Gjykatës Themelore

Driton Haliti, 43-vjeçar, vdiq sot në fshatin Dollc të Klinës, vendin ku shkaktoi një vetaksident me veturë.

Si pasojë e plagëve të marra nga përplasja e veturës, Haliti vdiq në vendin e ngjarjes sot rreth orës 05:00 të mëngjesit.

Vdekjen e 43-vjeçarit e konstatoi një ekip mjekësor që iu përgjigj thirrjes për intervenim në aksident, bëri të ditur Policia e Kosovës në një njoftim për media.

Katër persona të tjerë u lënduan si pasojë e aksidentit, sipas policisë.

Policia tha se katër të lënduarit janë dërguar për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë dhe se të njëjtit janë jashtë rrezikut për jetë.

Driton Haliti ishte i diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit Haxhi Zeka në Pejë dhe punonte si zyrtar në Gjykatën Themelore në këtë qytet.

Kosova e dyta më e varfër në Evropë, Murati: Kemi përparim, në qeverisjet e kaluara ishim të fundit

Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për vitin 2025 të publikuar nga Platforma WolrdAtlas, Kosova renditet e dyta si vendi më i varfër në Evropë, pas Moldavisë.

Lidhur më këtë ka folur ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati, duke thënë se në qeverisjet e kaluara Kosova ka qenë e fundit, duke shtuar se Kosova tash ka shënuar ngritje.

“Po të ishte gazetaria si duhej do ta kishte shpërfaq gjithë trendin si ka qenë, pra Kosova ka qenë e fundit kur ne kemi marrë qeverisjen dhe tash kemi ngritje më lartë në atë tabelën e rangimit. Në fakt nëse shihet viteve të kaluara, pra deri në vitin 2019 diferenca e Kosovës me vendet e tjera ka shku duke u rrit, pra vendet e tjera i kanë ikë Kosovës, kurse tashti lëre që e kemi ngushtu diferencën por edhe e kemi kalu një shtet dhe presim që shumë shpejtë ky trend të vazhdojë dhe nëse vazhdon ky trend dhe qeverisja e mirë t’i kalojmë edhe shtetet e tjera”, ka thënë Murati.

Sipas tij, Kosova ka përparim në raport me shtetet e tjera.

“FMN-ja aty ka raporturar të ardhurat për kokë banori të bazuar në fuqinë blerëse. Unë nuk po bëj vlerësime, unë vetëm e thash që nëse shikohet trendi, pyetja do të mund të ishte shtruar pak më ndryshe sepse trendi tregon që Kosova ka përparim në raport me shtetet e tjera, pra kemi qenë në vendin e fundit gjatë qeverisjeve të kaluara, tash po kemi kaluar Moldavinë dhe presim t’i kalojmë edhe shtetet tjera nëse vazhdohet ky trend”, ka deklaruar Murati.

Hamza: Kosova po rrëshqet drejt varfërisë, duhet kthesë urgjente për shtetin dhe qytetarët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas raportimeve të fundit për mirëqenien dhe zhvillimin ekonomik në Evropë, duke ngritur shqetësimin për gjendjen sociale dhe ekonomike në vend.

Hamza ka deklaruar se Kosova është renditur ndër dy vendet më të varfra në Evropë, me vetëm Ukrainën, e cila ndodhet në gjendje lufte, para saj.

“Kosova u rendit ndër dy vendet më të varfra në Evropë, me vetëm Ukrainën, e cila është në gjendje lufte, para nesh. Një lajm që duhet të na shqetësojë të gjithëve, sepse tregon qartë kah po rrëshqet vendi ynë”, ka shkruar Hamza.

Sipas tij, kjo gjendje po reflektohet drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve dhe familjeve kosovare, të cilat po përballen me vështirësi ekonomike, rritje çmimesh dhe mungesë perspektive për të ardhmen.

 

Ai ka kritikuar qeverisjen e viteve të fundit, duke thënë se fokusi i pushtetit ka qenë në përçarje dhe propagandë, në vend të zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve.

“Viteve të fundit, energjia e pushtetit është harxhuar në përçarje, propagandë dhe konflikte të pafundme politike, ndërkohë që qytetarët kanë mbetur të vetmuar përballë çmimeve të larta, pasigurisë dhe mungesës së perspektivës”, ka theksuar ai.

Kreu i PDK-së ka bërë thirrje për një kthesë të madhe politike dhe shoqërore, duke kërkuar rikthim te bashkëpunimi, puna, zhvillimi dhe partneriteti me aleatët ndërkombëtarë.

Hamza ka shtuar se Kosovës i duhen institucione serioze që punojnë për mirëqenien e qytetarëve, stabilitetin e shtetit dhe krijimin e një jete më të mirë për familjet kosovare.

“Ky vend meriton më shumë. Dhe unë besoj se bashkë mund t’ia kthejmë Kosovës drejtimin e duhur, para se të bëhet tepër vonë”, ka përfunduar Hamza.