E mori rrjedha e ujit, gjendet pas 1 muaji trupi i pajetë i 30-vjeçarit

Pas rreth një muajsh kërkime, është gjetur këtë të shtunë (7 shkurt) trupi i pajetë i Jurgen Karajt.

Trupi i 30-vjeçarit u gjet në liqenin e Ulzës.

Ngjarja ka ndodhur më 10 janar ku automjeti me të cilin Jurgen Karaj ishte pasagjer ra në përrua.

E rëndë: Kjo është viktima e aksidentit tragjik sot në Loxhë të Pejës

Sot rreth orës 07:50 ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku në fshatin Loxhë të Pejës, si pasojë e të cilit ka mbetur e vdekur një grua dhe janë lënduar dy persona tjerë, raporton GazetaDemos.

Siç merr vesh GazetaDemos nga burimet e veta, viktimë e këtij aksidenti ka mbetur e reja A. Kastrati.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, nga ku u bë e ditur se në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura.

Nga ekipi mjekësor është konstatuar se e aksidentuara nuk ka mundur t’i përballojë plagët dhe ka humbur jetë.

“Sot rreth orës 07:50 Policia është njoftuar për një aksident trafiku në fshatin Loxhë të Pejës, ku të përfshira janë dy vetura dhe si pasojë, përveç dëmeve të konsiderueshme materiale, janë edhe dy persona të lënduar, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor,” ka thënë Driton Rugova, zëdhënës i Policisë në Pejë.

Hisen Berisha i bindur: VV-ja i vodhi votat, të garantoj që Kurti kurrë s’fiton

Hisen Berisha, ish-deputet i PDK-së, ka folur në lidhje me zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Berisha është shprehur i bindur se VV-ja ka vjedhur votat.

“Këtu ekziston një mekanizëm shumë i sofistikuar i vjedhjes së votave në mënyrë industriale nga VV-ja…Është votë e vjedhur…Nuk ka mundësi me fitu, sepse kurrë nuk fiton ky” – tha Berisha, ndër të tjera.

“Vučić” vozit lirshëm nëpër Mitrovicë të Jugut

Një ngjarje e rrallë që ka habitur qytetarët është vënë re sot në Mitrovicë.

Siç raporton portal “Inovacioni.net” në njërën nga rrugët kryesore të qytetit, farë afër sheshit “Adem Jashari” është parë një autobus me mbishkrimin “Prevoz Vučić”

Sipas një hulumtimi në internet del se kjo kompani transporti e udhëtarëve është nga Bosnja e Hercegovina.Mbiemri Vučić (Vuçiq në shqip) nuk pëlqehet aspak në mesin e shqiptarëve gjithandej, për faktin se atë  mban edhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar, i cili është kundërshtar i ashpër i pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës.

“Trafiku Urban” hyjnë në grevë, nga kjo datë

Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban” në Prishtinë kanë njoftuar se do të hyjnë në grevë më 13 shkurt 2026, nëse deri atëherë nuk merrin përgjigje nga institucionet për kërkesat e tyre.

Sipas një komunikate të dorëzuar menaxhmentit, ata theksojnë se më 26 janar 2026 kanë paraqitur një paralajmërim për grevë, por deri më 6 shkurt nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga organet përgjegjëse.

Në dokumentin e dorëzuar, përmendet se vendimi për grevë bazohet në Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Grevat, duke u siguruar që do të ruhet minimumi i aktiviteteve të punës për të mos dëmtuar interesat publike dhe sigurinë e qytetarëve.

Punëtorët e “Trafikut Urban” kanë njoftuar se greva do të realizohet në përputhje me legjislacionin dhe se ky njoftim është një paralajmërim përfundimtar ligjor.

“Faji është te Albin kryehajni, qeveri kriminale-antishqiptare” – Protestuesit të nevrikosur me çmimet e larta të rrymës

Ka filluar të mbahet protesta para selisë qendrore të KEDS-it, ku janë mbledhur një numër i madh qytetarësh. Një prej protestuesve është arrestuar nga Policia.

Pas këtij momenti, protestuesit e pranishëm kanë shfaqur revoltën e tyre ndaj këtij veprimi të Policisë.

Në vijim mund t’i shihni pamjet

25-vjeçari për të cilin u mblodhën 50 mijë euro për shërim, tenton ta vrasë me sëpatë prindin

Gati katër vjet pas përballjes me një sëmundje të rëndë, për shërimin e së cilës u mblodhën 50 mijë euro, 25-vjeçari nga fshati Isniq i Deçanit, Kanun Musshabanaj është rikthyer sërish në vëmendje publike – këtë herë për një ngjarje të rëndë kriminale.

Të enjten, mediat raportuan se Musshabanaj u arrestua për tentim-vrasjen e babait të tij.

25-vjeçari dyshohet se e goditi me sëpatë babain e tij, veteranin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Musshabanajn.

Agim Musshabanaj, veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

I ati u dërgua me urgjencë në spital, ndërsa autoritetet njoftuan të enjten se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Djali është ndaluar me urdhër të prokurorit të shtetit.

Në prill të vitit 2022, para afër katër vitesh, emri i Kanun Musshabanajt ishte përmendur gjerësisht në publik, por për arsye krejt të tjera.

Asokohe, rasti i të riut nga Isniqi i Deçanit kishte ngjallur dhembshuri, pasi familja kishte kërkuar ndihmë financiare për shërimin e një sëmundjeje të rëndë me të cilin ai ballafaqohej. Nevojiteshin 50 mijë euro për shërim jashtë vendit.

Kërkesa kishte mobilizuar qytetarë brenda e jashtë vendit, shoqata bamirësie e institucione.

30 mijë euro ishin mbledhur që në javën e parë të aksionit, njoftonte më 8 prill, 2022, kryetari i Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj.

Ramosaj njoftonte se një fondacion me emrin “Dhuro edhe ti”, në bashkëpunim me Komunën e Deçanit, kishte arritur të mblidhte shumën prej 12 mijë eurove. Të tjerat ishin grumbulluar nga aksione në qytetin e Deçanit, ndihmat nga individë brenda e jashtë vendit, si dhe nga shpalljet në rrjet nga shoqata të tjera bamirësie.

Shuma e plotë e mjeteve të kërkuar ishte mbledhur brenda pak ditësh. Musshabanaj besohet se ishte shëruar pas trajtimit në institucionet spitale jashtë vendit.

Muhamedin Kullashi propozohet si alternativë për President të Kosovës

Analisti Bardhyl Meta ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me debatet për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm të Kosovës, duke kritikuar, siç thotë ai, nivelin e spekulimeve dhe “hamendësimeve” që po qarkullojnë në studio dhe opinion.

Meta përmes një postimi në Facebook ka propozuar si alternativë figurën akademike të Dr. Prof. Muhamedin Kullashi.

Në postimin e tij, Meta rendit karrierën e gjatë akademike dhe diplomatike të Kullashit, duke theksuar se “Kosova ka pasur President me kritere të larta intelektuale e akademike, që nga viti 1992! Mos e ktheni rrotën historike prapa…!?”.

Postimi i plotë:

“Kriza per President!?
Dr. Prof. Muhamedin Kullashi!

(Opsionet publike ne studio: Vjosa, Vjosa, Gllauku, fam. Jashari – Ramush Haradinaj… pse jo edhe edhe Familja Gani Gecit e Bajraktart e Llaushes etj, krejt kane qef e ambicie !?

Hajgare a!?

Dr. Prof. Muhamedin Kullashi!

Nga viti 1992 ligjëron në Departamentin e Filozofisë në Universitetin Parisi 8. Në vitin 1994, pranë këtij universiteti, mbrojti Habilitimin për udhëheqjen e hulumtimeve shkencore (HDR) para jurisë të përbërë nga : Claude Lefort, Jacques Rancière, Gérard Raulet, Jacques Poulain dhe Michel Roux.

Në vitin 1992, mori pjesë në themelimin e Komitetit të Kosovës në Paris, pranë revistës Esprit, bashkë me intelektualët e shquar francezë Olivier Mongin, Antoine Garapon, Pierre Hasner, Pascal Bruckner, André Glucksmann, Véronique Nahoum-Grapp etj. Anëtarë nderi të këtij Komiteti ishin edhe filozofët Paul Ricoeur, Edgar Morin, Claude Lefort. Ky Komitet zhvilloi aktivitete në mbështetje të Kosovës deri në vitin 2015.
Nga viti 2008 deri në vitin 2016, ishte Ambasador i Kosovës në Francë. Në vitin 2012 u zgjodh anëtar aktiv i Akademisë evropiane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Salzburg të Austrisë. Në vitin 2016, u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Botoi në revista shkencore të Prishtinës, Tiranës, Zagrebit, Beogradit, Romës, Parisit, Vienës, Madridit, Montrealit etj. Mori pjesë në një numër të madh konferencash shkencore në Francë, Belgjikë, Zvicër, Itali, Bullgari, Hungari, Kanada, Turqi, Tunizi, Argjentinë, Urugvaj etj. Mori pjesë në projekte hulumtuese kushtuar temave të ndryshme nga historia e filozofisë, etika dhe filozofia politike.

** Në Fakultetin filozofik të Zagrebit studioi filozofinë dhe letërsinë franceze. Nga viti 1974 deri më 1991 ligjëroi në Degën e Filozofisë dhe të Sociologjisë të Univerzitetit të Prishtinës. Me 1983, në Fakultetin filozofik të Zagrebit, mbrojti disertacionin e doktoranturës kushtuar koncepcionit të metafilozofisë të Henri Lefebvre-it. Në vitin 1991 u dëbua nga Universiteti i Prishtinës, bashkë me kolegët tjerë shqiptarë, nga regjimi i atëhershëm serb.

Kosova ka pas President me kritere te larta Intelektuale e Akademike, qe nga Viti 1992! Mos e ktheni rroten historike prapa…!?

P.S. Kerkoje ndjesë Prof, se s’ju kam kontaktuar as konsultuar, por ta risim nivelin e “hamendesimeve”!

Sot protestohet kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike

Dy organizata të shoqërisë civile, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata “Përpjekja”, kanë paralajmëruar për sot protestë kundër rritjes së mundshme të çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar këtë proces si të padrejtë dhe të dëmshëm për qytetarët e Kosovës.

Protesta do të mbahet duke filluar në ora 13:00, me grumbullim pranë ndërtesës së KEDS, ndërsa marshimi do të përfundojë para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në reagimin e tyre publik, organizatat theksojnë se që nga viti 2022 qytetarët janë përballur me rritje të vazhdueshme të faturave të rrymës, të cilat, sipas tyre, janë aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) në favor të kompanisë KEDS dhe në dëm të interesit publik.

Sipas deklaratës, konsumatorët nuk po paguajnë vetëm çmimin e energjisë, por edhe humbjet dhe keqmenaxhimin e kompanisë private. Organizatat kritikojnë edhe ndërprerjet e shpeshta të energjisë, mungesën e ngrohjes gjatë muajve të dimrit dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që shtrenjtimi i rrymës ka në rritjen e kostos së jetesës.

Ato rikujtojnë se vitin e kaluar është miratuar një rritje prej 16.1%, ndërsa këtë vit po paralajmërohet një tjetër rritje rreth 20%, të cilën e konsiderojnë të papranueshme. Sipas tyre, KEDS përfiton duke blerë energji me çmime të ulëta nga Korporata Energjetike e Kosovës dhe duke ua shitur qytetarëve me çmime shumë më të larta.

Organizatat u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës, duke theksuar se mobilizimi qytetar është thelbësor për mbrojtjen e interesit publik dhe përballjen me, siç e quajnë ata, praktikat shumëvjeçare dhe të dëmshme në sektorin e energjisë.

E rëndë: Djali dyshohet se goditi me sëpatë babain

Një rast i rëndë ka ndodhur mesditën e së enjtes në Deçan, ku dyshohet se i biri ka goditur me sëpatë babanë e tij.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, tha për Sinjalin se i lënduari është duke u trajtuar, dhe i njëjti ka lëndime serioze.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes për sigurim, pas trajtimit në QMF është udhëzu për në Pejë, është edhe prokurorja e shtetit që ka kontaktu viktimën aty, dhe është njoftuar me lëndimet. Është urdhëruar rasti të trajtohet sektori i hetimeve rajonale, krimet serioze. Nuk ka ende person të arrestuar”, tha ai.