div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-38 category-paged-38 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Ligjvënësit amerikanë shtyjnë përpara Projektligjin kundër diskriminimit të shqiptarëve në Serbi

Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit amerikan ka votuar për ta çuar përpara një projektligj, sipas të cilit i kërkohet Sekretarit të Shtetit ta përgatisë një raport gjithëpërfshirës mbi trajtimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet serbe.

Projektligji u sponsorizua nga kongresisti republikan Keith Self, i cili ka thënë se shqiptarët në Luginë vazhdojnë të diskriminohen, derisa ka përmendur pasivizimin e adresave të shqiptarëve.

“Një raport i vitit 2021 i publikuar nga Komiteti i Helsinkit për të drejta të njeriut tha se Serbia mund të jetë duke kryer një formë të spastrimit etnik përmes mjeteve administrative ndaj shqiptarëve”, ka thënë ai, sipas videos nga mbledhja e komitetit e publikuar në rrjetin X. 

E, nënkryetari i Komitetit, Gregory Meeks, ka thënë se mungesa e marrjes së përgjegjësisë nga ana e Qeverisë së Serbisë për krimet e kryera ndaj pakicave etnike në rajon, përfshirë shqiptarët etnikë, mbetet një pengesë në paqe të qëndrueshme sot.

“Ky komitet është jashtëzakonisht i shqetësuar që Qeveria e Serbisë vazhdon të diskriminojë dhe persekutojë pakicat etnike në Serbi, përfshirë shqiptarët etnikë”, ka deklaruar ai para anëtarëve.

Ndërkohë, për vendimin e Komitetit amerikan ka reaguar deputeti shqiptar në Kuvendin serb, Shaip Kamberi, i cili ka theksuar se beteja e gjatë u kurorëzua me sukses tani.

“Si qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të SHBA-së miratoi rezolutën H.R. 6411, mbi të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Mirënjohje e veçantë për Kongresistin Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropë, për iniciativën dhe lidershipin e tij parimor, si dhe për përkrahjen dypartiake të Kryetarit Brian Mast dhe Nënkryetarit Gregory Meeks. Kjo rezolutë tashmë pritet të aprovohet nga vetë Kongresi i SHBA”, ka shkruar ai në Facebook.

E, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cilësoi vendimin e Komitetit si mesazh të qartë për Beogradin.

“Kjo është ditë e rëndësishme për shqiptarët e Luginës. Dhe sinjal se padrejtësia nuk është e përjetshme. Një betejë e gjatë. Me durim, këmbëngulje dhe besim”, shkroi në Facebook.

Pas shqyrtimit të plotë në komision, projektligji do të raportohet nga Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit dhe do t’i dërgohet Dhomës së Plotë të Përfaqësuesve për votim. Më pas ai miratohet nga Senati dhe nënshkruhet nga presidenti.

Projektligji kërkon të vlerësohen çështje më rëndësi, përfshirë pasivizimin e adresave; kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike; diskriminimin në arsim, përfshirë mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Rasti i pasivizimit të adresave është një çështje për të cilën shqiptarët në Serbi janë ankuar vazhdimisht dhe kanë dalë në rrugë për të protestuar.

Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.

Lajm i mirë për familjet, të hënën ekzekutohen këto pagesa

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ua rikujton të gjithë përfituesve ndryshimin e datave të pagesave. Pagesat e këtyre skemave do të ekzekutohen si në vijim:

Me datë 20 të çdo muaji do të ekzekutohen pensionet e veteranëve dhe pensionet tjera që kanë nevojë për procesin e verifikimit me ATK (pensionet e Trepçës dhe ato familjare);

Me datë 24 të çdo muaji do të ekzekutohen pagesat për masat aktive të tregut të punës:

Me datë 25 të çdo muaji do të ekzekutohen pagesat për lehonat e punësuara dhe të pa puna, si dhe shtesat për fëmijë;

Me datë 29 të çdo muaji do të ekzekutohen pagesat e ndihmave sociale dhe masat tjera të veçanta nga Pako e Ringjalljes Ekonomike.

13-vjeçari e gjen nënën të varur në WC dhe e shpëton në sekondat e fundit

Një ngjarje e rëndë është raportuar mbrëmjen e së premtes në fshatin Gadime e Ulët të Lipjanit, ku një grua dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës.

Sipas informacioneve që ka pranuar Sinjali, rreth orës 22:00, Policia është njoftuar për rastin e dyshuar “Vetëvrasje në tentativë” në rrugën “Ibush Tasholli”, ku viktima R. T., rreth 34-vjeçare është gjetur në gjendje kritike.

Burime bëjnë të ditur se djali i saj 13-vjeçar, i cili ishte edhe ankues në këtë rast, ka deklaruar se e ka gjetur nënën të varur me litar në një WC që ndodhet në oborrin e shtëpisë, dhe ka ndërhyrë menjëherë duke e këputur litarin, duke i shpëtuar jetën.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesia dhe emergjenca, të cilët viktimën e kanë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Pas trajtimit, viktima është intervistuar dhe është dërguar te familjarët e saj në Lipjan, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Prokurori kujdestar dhe është iniciuar procedura për “Vetëvrasje në tentativë”.

Ky është personi që u gjet i mbuluar me gjak pranë motelit

Një ngjarje e rëndë është raportuar pasditen e së premtes në Sllatinë të Fushë Kosovës, ku një person është gjetur i mbuluar në gjak dhe në gjendje të rënduar shëndetësore.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se personi quhet Ajet Krasniqi, 59 vjeç, dhe ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30 në rrugën e Pejës, pranë Villa Motel “Pisha”. Policia ka dalë në vendngjarje dhe po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se viktima kishte shenja jete, por ishte i gjakosur rëndë. Aty ka ndërhyrë edhe ekipi i QKMF-së, i cili i ka ofruar ndihmën e parë dhe më pas e ka transportuar për trajtim të mëtejmë në QKUK.

Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, viktima dyshohet se është sulmuar me mjet të mprehtë, duke pësuar lëndime në pjesën e fytit dhe kokës, ndërsa gjendja e tij raportohet të jetë e rëndë dhe pa vetëdije.

Po ashtu, burimet bëjnë të ditur se nga pamjet e kamerave të sigurisë, dyshohet se viktima kishte shkuar në lokacion me veturën e tij, së bashku me një person të panjohur, identiteti i të cilit ende nuk dihet dhe që ndodhet në arrati. Në momentin kur Policia ka arritur në vendin e ngjarjes, vetura nuk ka qenë më aty.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve, forenzika, NJHP dhe Prokurori kujdestar, ndërsa rasti fillimisht ishte iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”, por më pas, pas konsultimeve me Prokurorinë, është rikualifikuar si “Vrasje në tentativë”.

Hetimet janë duke vazhduar për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Paralajmërohen erëra të forta në kryeqytet, bëhet thirrje për kujdes

Komuna e Prishtinës dje ka njoftuar se nga mëngjesi i ditës së sotme, bazuar në paralajmërimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), pritet që të ketë erëra të intensitetit mesatar deri të fortë, të cilat do të jenë më të theksuara në zonat lindore dhe ato kodrinoro-malore.

Lidhur me këtë paralajmërim ka folur drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica

“Është prognozë që do të mund të ketë erëra të forta dhe erëra të mesme të forta, në territorin e kryeqytetit, duke përfshirë edhe fshatrat, erëra më të forta sipas Insititut do të jenë në pjesën e Gollakut, pjesën lidore të kryeqytetit, por kjo nukm e përjashton mundësinë që do të ketë edhe erëra të forta në qytet”, tha ai në Klan Kosova

Fushtica njoftoi se nga sot ekipet e komunës ndodhen në terren.

“Ne sot kemi filluar, ekipet janë në terren duke i kontrolluar ndërtesat që kanë potencial të bien fasadat apo pjesë të kulmeve. Kemi intervenuar sot në mëngjes në Dardani dhe jemi duke shikuar të intervenojmë në disa pjesë të qytetit”, deklaroi ai.

Fushtica mes tjerash potencoi se qytetarët duhet t’i marrin pa panik paralajmërimet si ky.

“Duke mos shkaktuar panik, pra qytetarët duhet që ta marrin si pjesë normale, paralajmërimet që i jep drejtoria”.

Kurti kthehet nga Davos, del me këtë njoftim

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është kthyer nga Davos. Ai ka njoftuar se ka pritur në takim një grup krijuesish shqiptarë nga Mali i Zi.

Kurti ka thënë se me ta ka biseduar për bashkëpunimet kulturore dhe për lidhjet që letërsia i mban të gjalla mes hapësirave tona, si dhe për rolin e festivalit në forcimin e komunimikit përmes fjalës artistike, me theks të veçantë në prezantimin e letërsisë shqipe në Malin e Zi brenda programit të festivalit.

 

Qëllohet për vdekje taksisti shqiptar, la pas vetes 3 fëmijë

Një 45-vjeçar shqiptar ka humbur jetën mbrëmjen e së premtes pas një incidenti me armë zjarri në fshatin Larum të qytetit Geel, në Belgjikë.

Viktima është identifikuar si shtetasi Marko Beka, banues në Geel dhe me profesion taksist.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, pranë një parku pas kishës në qendër të fshatit. Sipas mediave belge dhe autoriteteve, dyshohet se gjithçka ka nisur pas një debati që ka dalë jashtë kontrollit mes taksistit dhe disa klientëve. Pas incidentit, autorët janë larguar në këmbë dhe vijojnë të jenë në kërkim nga policia.

Dëshmitarë okularë kanë parë të shtrirë në tokë 45-vjeçarin dhe kanë njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës, por fatkeqësisht ai ndërroi jetë nga plagët e marra.

Zona u rrethua për disa orë, ndërsa në vendngjarje mbërritën hetues, laboratori kriminalistik dhe mjeku ligjor. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Marko Beka ishte babai i tre fëmijëve, të moshave 5, 11 dhe 17 vjeç, dhe drejtonte një biznes privat taksish në Geel. Bashkëshortja e tij, Izabela, e përshkruan atë si një njeri të qetë, të sjellshëm dhe shumë social, i dashur për komunitetin dhe pa konflikte me askënd.

Autoritetet belge bëjnë me dije se asnjë i dyshuar nuk është arrestuar ende, ndërsa apelojnë për informacione që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.

Gjykata merr vendimin për të dyshuarit për manipulim me vota

Gjykata Themelore në Prizren i  ka caktuar nga një muaj paraburgim 23 të dyshuarve në rastin e manipulimit me vota për kandidatë për deputetë.

21 të pandehudit, O.Sh., V.B., A:K., B.B., A.H:, A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., I.H., A:D., dhe B:B.,   D.Sh., J.H., S.B:, A.L., Q.K., A.V., M.J., dyshohen per veprën penale “falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 par. 2 lidhur me nenin 31 të KP-së.

E pandehura A.V. dyshohet se  ka kryer veprat penale penale, falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216 par. 2  të KP-së, dhe marrja e ryshfetit, nga neni 422 paragrafi 1 të KP-së.

Ndërsa G.P., në cilësinë e vëzhguesit dyshohet se  ka kryer veprat penale penale, Kanosja nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 te KP-së, dhe Dhenia e ryshfetit, nga neni 422 paragrafi 1 te KP-së.

Njoftimi i plotë:

Caktohet masa e paraburgimit ndaj njëzetetre (23) të pandehurve , për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer disa vepra penale

Prizren, 24 janar 2026– Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda,  sot ka mbajtur katër (4) seanca dëgjimore, referuar kërkesave të Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj njëzetetre (23) të pandehurve, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit, kanosja, marrja e ryshfetit dhe dhënia e ryshfetit.

Gjyqtarët e procedurës paraprake, kanë marrë vendim si në vijim:

Njëzetenjë (21) të pandehurve, O.Sh., V.B., A:K., B.B., A.H:, A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., I.H., A:D., dhe B:B.,   D.Sh., J.H., S.B:, A.L., Q.K., A.V., M.J., i’u është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se secili veç e veç  ka kryer veprën penale, falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216 par. 2 lidhur me nenin 31 të KP-së.

Ndaj një (1) të pandehure, A.V.,, i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se  ka kryer veprat penale penale, falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216 par. 2  të KP-së, dhe marrja e ryshfetit, nga neni 422 paragrafi 1 të KP-së.

Ndaj një (1) të pandehuri G.P.,  (në cilësinë e vëzhguesit) i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se  ka kryer veprat penale penale, Kanosja nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 te KP-së, dhe Dhenia e ryshfetit, nga neni 422 paragrafi 1 te KP-së.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Avdullah Hoti shpall kandidaturën për kryetar të LDK-së

Avdullah Hoti ka shpallur kandidaturën për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pas dorëheqjes së Kryetarit Lumir Abdixhiku.

Në një postim në Facebook, Hoti theksoi se do të kërkojë besimin e anëtarëve të LDK-së më 31 janar 2026 dhe u zotua për një ringritje të plotë të partisë, duke përfshirë të gjitha strukturat dhe anëtarët.

Ai premtoi një LDK të hapur, të drejtë dhe konkurruese, ku meritokracia dhe bashkëpunimi i brezave do të jenë në fokus.

Hoti nënvizoi rëndësinë e forcimit të vlerave themelore të partisë, duke garantuar se LDK do të rikthehet si alternativa kryesore qeverisëse në Kosovë.

Njoftim i rëndësishëm për Hashim Thaçin

Në çështjen e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuҫit kundër administrimit të drejtësisë, është pranuar në prova materiale një intervistë e Kilajt e dhënë për prokurorët në kohën e kontrollimit dhe sekuestrimeve në vendbanimin e tij.

Kjo u bë e ditur nga zëdhënësi e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle e cila tha se kjo ishte kërkesë e Prokurorisë.

“Në kohën e intervistës, z. Kilaj hoqi dorë nga e drejta e tij për të heshtur dhe nga e drejta për të pasur avokat të pranishëm gjatë intervistës. Gjykatësi konstatoi se përpara intervistës, ZPS-ja i kishte komunikuar z. Kilaj, gojarisht dhe me shkrim në shqip, të gjitha të drejtat e tij si i dyshuar sipas nenit 38(3) të Ligjit të DHSK-së, dhe se z. Kilaj kishte konfirmuar përmes vënies së nënshkrimit se i kuptonte këto të drejta. Z. Kilaj u informua gjithashtu se mund të tërhiqej nga heqja dorë e të drejtave në çdo kohë dhe të ndryshonte mendje lidhur me praninë e avokatit. Sipas ligjit, prokurorët ishin gjithashtu të detyruar të njoftonin z. Kilaj se ishte i dyshuar për vepra penale që përfshihen në juridiksionin e Dhomave të Specializuara”, tha Doyle.

Ai tregoi se këtë intervistë e kishte kundërshtuar mbrojtja duke pretenduar se Kilaj nuj ishte informuar mjaftuehëm dhe në hollësi për veprat penale për të cilat po hetohej. Mirëpo, duke u bazuar në incizimin e intervistës, gjykatësi kishte konstatuar se intervistuesit ia kishin bërë të qartë Kilajt se ekzistonin arsye për të besuar se ai kishte kryer një vepër penale që përfshihet në juridiksionin e gjykatës, se ZPS-ja hetonte krime ndërkombëtare dhe krime të lidhura me pengimin e drejtësisë, dhe se çdo deklaratë e dhënë nga ai mund të përdorej kundër tij në gjykatë.

“Duke iu referuar jurisprudencës së tribunalëve ndërkombëtarë dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjykatësi përcaktoi se “ hetuesit paraqitën hapur në fillim të intervistës ‘arsyet e tyre për të besuar’ se z. Kilaj mund të ketë marrë pjesë në një vepër penale që përfshihet në juridiksionin e DHS-së”, se, “dokumentet që iu paraqitën z. Kilaj përmbanin jo vetëm llojin e veprave penale për të cilat ai dyshohej, por edhe llojin e informacionit për të cilin bëhej fjalë,” dhe se “asgjë në këto shkëmbime nuk lë të mendohet se heqja dorë nga të drejtat, e shprehur në fillim të intervistës, ishte bërë pa qenë plotësisht i informuar…”, tha Doyle.

Në të njëjtën çështje, ai tha se gjykatësi i çështjes miratoi një kërkesë të ZPS-së për shtimin e materialeve në listën e saj të provave materiale dhe nxjerrjen zyrtare të këtyre materialeve Mbrojtjes më 19 janar 2026.
Doyle tha se këto materiale janë që Prokuroria i ka marrë gjatë muajit të fundit nga një institut dhe një kompani forenzike.

Në të njëjtin rast, Doyle tregoi se u miratua një kërkesë të përbashkët të Mbrojtjes për shtimin e numrit të fjalëve për përgjigjen e tyre ndaj mocionit të ZPS-së për pranim të provave.

Ndryshe, Doyle tregoi edhe për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thacit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Veç kësaj u përmend se në Kosovë gjendet një ekip i Programit për komunikim dhe ndërgjegjësim gjendet në Kosovë ku po zhvillon aktivitete për të informuar grupe studentësh në Prishtinë lidhur me mandatin dhe proceset në gjykatë.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.