Lajmi i Fundit
Lajmërohet Adriana Matoshi, i “kapet” LDK’së: Koncetrohuni o burra

Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, i është “sulur” Lidhjes Demokratike të Kosovës për qëndrime të akterëve të këtij subjekit, për të cilat ajo pretendon se janë të kundërta.

Matoshi me anë të një postimi në ‘Facebook’ thotë se deputeti i zgjedhur i LDK’së, Avdullah Hoti, po deklaron ndryshe nga deputeti tjetër i zgjedhur, Lutfi Haziri, karshi partisë në pushtet, shkruan Insajderi.

“Dulla thote duhet me protestu kunder Albinit. Luta ne anen tjeter thote duhet me bo koalicion me Albinin. Koncentrohnu o burra, se as elektorati juej nuk o ka e din çka po doni, e leje mo na”, deklaron ajo.

Hoti ka paralajmëruar protestë lidhur me çështjen e refuzimit të projektit të gazit amerikan nga Qeveria Kurti, teksa Haziri ka kërkuar marrëveshje gjithëpërfshirëse për tejkalim të ngërçit institucional.

Vetëvendosje i përgjigjet Ramës: Nuk kemi asnjë rol në protestat në Shqipëri

Lëvizja Vetëvendosje ka mohuar të jetë duke e mbështetur si subjekt politik protestën që po mbahet në Shqipëri për të 23-tën ditë me radhë.

Por, se këtë po e bëjnë individualisht aktivistët e saj.

Kështu ka bërë me dije, anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, Enver Dugolli, duke konfirmuar se personalisht është njëri nga ata që po e mbështet revoltën anti-qeveritare në Tiranë.

“Vetëvendosje nuk ka të bëjë asgjë me këtë protestë, thjesht ne, disa aktivistë apo disa njerëz, eksponentë, solidarizohemi me kërkesat e drejta të qytetarëve, shqetësimet e tyre të drejta dhe me kaq mbaron, pra nuk bëhet fjalë që Vetëvendosja nga Kosova apo nga cilado pjesë që ka ndonjë rol të veçantë në këtë protestë”, tha Dugolli.

Kësisoj Dugolli ka kërkuar nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama që të përmbahet nga komentet ndaj lëvizjes Vetëvendosje, si hisedare e protestës.

“Gjuha e përdorur nga zoti Rama për Vetëvendosjen mendoj që nuk i bën nder as atij, thjesht edhe njëherë po e ripërsëris, ai do të duhej që të komunikonte me qytetarët e revoltuar të Shqipërisë, të Tiranës, të gjitha qyteteve edhe të mërgatës, pra do të duhej ai të komunikonte me ta dhe të jepte llogari, edhe të reflektonte karshi kërkesave të tyre. Nuk ka, s’ka nevojë që të përzihet apo të merret ndonjë shembull i Vetëvendosjes apo ndonjë deklaratë e ndonjë zyrtari të Vetëvendosjes sepse thashë gjithçka ka të bëjë me një solidarizim pra të zyrtarëve të Vetëvendosjes apo të cilitdo subjekt politik që ka të bëjë me solidarizimin me kërkesat që dalin nga kjo protestë, ajo revoltë e qytetarëve”, tha ai.

Dugolli e porositi Ramën që, në vend se të merret me Vetëvendosjen, t’I dëgjoj hallet e qytetarëve që po protestojnë kundër tij.

“Kryeministri Rama do të duhej që të komunikonte me protestuesit, ata që për disa ditë radhazi po mbushin sheshin e Tiranës, rrugët e Tiranës dhe nuk po bëhet aspak Vetëvendosja me këtë protestë, thjesht qytetarët shqiptarë, qytetarët e Shqipërisë, mërgata në veçanti po shprehin revoltë ndaj klasës politike aktuale, prandaj ai do të duhej që të komunikonte me ta dhe të reflektonte karshi kërkesave të tyre”, tha ai.

Në një nga komentet e fundit për protestat, Rama përmendi edhe anëtarë dhe mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i cilësuar disa prej tyre si të përfshirë në atë që ai e quajti “çorbë dreqërish”. Megjithatë, ai bëri një ndarje mes tyre dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë përgjegjës Albin Kurtin për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish”, shkroi Rama.

Ai i ka kritikuar ashpër të gjithë pjesëmarrësit në protestë nga Kosova e Maqedonia e Veriut, meqë, sipas tij, ata nuk janë diasporë e Shqipërisë./KP

E rëndë: Vdes një 50-vjeçar, dyshohet se u godit nga rryma

Një person nga fshati Negroc dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e goditjes nga rryma elektrike.

Viktima është identifikuar si Bedri Krasniqi, për vdekjen e të cilit ka reaguar kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Përmes një postimi në Facebook, Lladrovci ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjen Krasniqi, si dhe për vëllain e të ndjerit, Gani Krasniqi, i cili është anëtar i Kuvendit Komunal të Drenasit.

Lladrovci theksoi se humbja e një familjari të afërt është një dhimbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur të ndjerin.

“Me pikëllim mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Bedri Krasniqit. Familjes Krasniqi, në veçanti anëtarit të Kuvendit Komunal, Gani Krasniqi, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e vëllait të tij. Lutem që Zoti ta mëshirojë Bedriun, ta shpërblejë me xhenet, ndërsa familjes t’i japë forcë, durim dhe qëndresë për ta përballuar këtë humbje të rëndë”, thuhet në telegramin e ngushëllimit, transmeton Klankosova.tv.

Klankosova.tv ka pyetur policinë lidhur me rastin dhe është në pritje të një përgjigje zyrtare.

PZAP-ja refuzon ankesat e dy kandidatëve të PDK-së për rinumërim të votave brenda partisë

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka refuzuar ankesat e dy kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës për deputetë Qëndrim Kryeziu dhe Bekim Haxhiu lidhur me procesin e rinumërimit të votave.

Të dy, në ankesa të ndara kanë kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së.

Kryeziu në ankesën e tij ka pretenduar që me 185 kutitë e rinumëruara është gjetur se gjatë numërimit fillestar është dëmtuar për afro 600 vota. Mirëpo, sipas PZAP-it, gabimet gjatë numërimit fillestar kanë qenë në favor të tij.

“Sipas të dhënave zyrtare të krahasimit ndërmjet numërimit në QKN dhe rinumërimit në QNR, votat e kandidatit me numër 103, Qëndrim Kryeziu kanë ndryshuar vetëm në dy vendvotime. Në total, kandidati ka dy vota më pak pas rinumërimit dhe jo 589 vota më shumë. Pretendimi për 589 vota nuk përputhet me të dhënat zyrtare të publikuara nga KQZ”.

E kandidati për deputet Bekim Haxhiu, që është i 23-ti për kah votat në PDK, nga 22 që kanë fituar mandat, ka pretenduar se meqë dallimi me Rrustem Mustafën, i cili është zgjedhur deputet, është 102 vota dhe rinumërimi i 7.41% e vendvotimeve ia ka kthyer Haxhiut 6 vota, një rinumërim i plotë do mund ta ndryshonte renditjen dhe përbërjen e kuvendit.

Por, PZAP-i deivijimet i konsideron minimale.

“Në rastin konkret, nga shkresat e lëndës rezulton se pas rinumërimit të 185 vendvotimeve janë evidentuar ndryshime në rezultatet e kandidatëve në të dy drejtimet, ku një numër kandidatësh minimalisht kanë fituar vota ndërsa kandidatë të tjerë po ashtu në mënyrë minimale kanë humbur disa vota. Këto ndryshime nuk janë pasqyrim i një modeli të përgjithshëm ose sistematik të pasaktësive, por dëshmojnë se korrigjimet e evidentuara kanë qenë të shpërndara dhe nuk kanë prodhuar efekt të tillë që do të vinte në dyshim integritetin e përgjithshëm të procesit”.

Të dielën në mesditë ka përfunduar afati për ankesa lidhur me procesin e rinumërimit. Tash, nëse palët nuk i ankimojnë këto vendime në Gjykatën Supreme, për çka kanë kohë 48 orë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) i hapet rruga për shpallje të rezultatit përfundimtar.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka thënë se janë njoftuar me vendimet e PZAPI-së dhe ka theksuar se KQZ-ja do të presë që vendimet të marrin formën e prerë.

“Pas plotfuqishmërisë së vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në, për t’i zbatuar dhe pastaj për të proceduar me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare”, ka theksuar Elezi.

Mbi 405 mijë përfitues të shtesave për fëmijë në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat më të fundit për skemat e mirëqenies sociale për muajin maj 2026, ku shtesat për fëmijë vazhdojnë të mbeten skema me numrin më të madh të përfituesve në vend.

Sipas statistikave, nga kjo skemë kanë përfituar gjithsej 405,935 persona, ndërsa vlera e mjeteve të shpërndara ka arritur në mbi 14.7 milionë euro.

Të dhënat tregojnë se edhe pensionet bazike të moshës përbëjnë një nga kategoritë me shpenzimet më të larta, ku gjatë majit kanë përfituar 166,985 pensionistë, me një buxhet prej rreth 26.9 milionë euro.

Ndërkohë, pensionet kontributpaguese të moshës janë paguar për 48,001 përfitues, me një vlerë prej rreth 12 milionë eurosh.

ASK-ja bën të ditur se edhe skema e pensioneve të veteranëve ka përfshirë 39,417 përfitues, me një shpenzim total prej rreth 8 milionë eurosh.

Për personat me aftësi të kufizuara kanë përfituar 21,532 qytetarë, ndërsa janë shpenzuar mbi 3.5 milionë euro, ndërsa pensionet familjare kanë përfshirë 2,375 përfitues.

Po ashtu, pensionet për paraplegjikë dhe tetraplegjikë janë përfituar nga 3,594 persona.

Sipas ASK-së, këto të dhëna dëshmojnë vazhdimin e mbështetjes së gjerë sociale në Kosovë, me fokus të veçantë te familjet me fëmijë dhe kategoritë pensionale.

Ky është punëtori që humbi jetën tragjikisht në aksidentin me vinç

Një aksident i rëndë në vendin e punës ka ndodhur paraditen e së hënës në lagjen Arbana të Prizrenit, ku një punëtor ka humbur jetën si pasojë e një incidenti me vinç.

Viktima është identifikuar si Valmir Morina, 26 vjeç, nga fshati Drenoc i Komunës së Malishevës.

Ngjarja ka ndodhur në një punishte, ku dyshohet se punëtori është zënë nga një vinç i cili është rrëzuar gjatë punës, duke i shkaktuar lëndime fatale.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipet emergjente, të cilat kanë konfirmuar vdekjen e tij dhe kanë nisur hetimet për sqarimin e rrethanave të plota të aksidentit.

Viktima raportohet se ishte djali i vetëm i familjes dhe mbajtësi kryesor i saj, pasi babai i tij kishte ndërruar jetë disa vite më parë pas një sëmundjeje të rëndë.

PZAP refuzon ankesat e Haxhiut dhe Kryeziut për rinumërim të plotë të votave

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar si të pabazuara ankesat e kandidatëve për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, të cilët kishin kërkuar rinumërimin e plotë të votave preferenciale të kandidatëve të këtij subjekti politik pas rinumërimit të 185 vendvotimeve të rregullta, raporton Ekonomia Online.

Sipas dy vendimeve të siguruara nga EO, PZAP vlerësoi se pretendimet e kandidatëve nuk janë mbështetur me prova konkrete që do të dëshmonin ekzistimin e parregullsive sistematike në procesin e numërimit, ndërsa ndryshimet e evidentuara gjatë rinumërimit nuk cenojnë integritetin e përgjithshëm të procesit zgjedhor.

Në vendimin për ankesën e Bekim Haxhiut, PZAP thekson se rinumërimi i 185 vendvotimeve ishte realizuar si pjesë e mekanizmit kontrollues të paraparë me legjislacionin zgjedhor dhe jo si rezultat i konstatimit të parregullsive sistematike.

Sipas vendimit, Haxhiu kishte argumentuar se pas rinumërimit janë evidentuar gjashtë vota shtesë në favor të tij dhe se diferenca me kandidatin e renditur para tij mbetet 102 vota, duke kërkuar që të verifikohet në tërësi saktësia e numërimit të votave preferenciale të kandidatëve të PDK-së në të gjitha vendvotimet.

Megjithatë, PZAP konstatoi se ankuesi nuk ka identifikuar asnjë vendvotim konkret apo qendër numërimi ku mund të dyshohej për parregullsi dhe nuk ka paraqitur prova materiale që do të mbështesnin pretendimet e tij.

“Pretendimi i ankuesit se mund të ekzistojnë gabime edhe në vendvotimet e tjera mbetet në nivel të supozimit dhe nuk mbështetet në prova konkrete”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Po ashtu, PZAP vlerësoi se diferenca prej 102 votash, ndonëse mund të jetë relevante për interesin individual të kandidatit, nuk përbën bazë ligjore për urdhërimin e një rinumërimi të përgjithshëm.

Në një vendim tjetër, PZAP refuzoi si të pabazuar edhe ankesën e kandidatit të PDK-së, Qëndrim Kryeziu.

Kryeziu kishte pretenduar se rinumërimi i 185 vendvotimeve kishte sjellë 589 vota shtesë në favor të tij dhe se kjo krijonte dyshim objektiv për saktësinë e numërimit edhe në vendvotimet e tjera që nuk ishin përfshirë në procesin e rinumërimit.

Megjithatë, PZAP arriti në përfundimin se rezultatet e rinumërimit nuk kanë evidentuar ndonjë model sistematik të pasaktësive dhe se ndryshimet në votat e kandidatëve janë shpërndarë në të dy drejtimet, me kandidatë që kanë fituar dhe të tjerë që kanë humbur vota.

Paneli vlerësoi se një masë e jashtëzakonshme si rinumërimi i plotë i votave preferenciale në nivel vendi nuk mund të urdhërohet mbi bazën e pretendimeve hipotetike, por vetëm kur ekzistojnë prova objektive që tregojnë se rezultati zgjedhor është cenuar seriozisht.

PZAP theksoi se as Haxhiu dhe as Kryeziu nuk kanë ofruar prova konkrete, formularë rezultatesh, raporte vëzhguesish apo dokumente të tjera që do të mbështesnin pretendimet për parregullsi të përhapura në procesin e numërimit.

Për rrjedhojë, paneli vendosi që të dyja ankesat të refuzohen si të pabazuara.

Punëtori 26-vjeçar humb jetën në Prizren pasi u zu nga vinçi i rrëzuar në vendin e punës

Një aksident tragjik në vendin e punës ka ndodhur paraditen e së hënës në Prizren, ku një punëtor 26-vjeçar nga Komuna e Malishevës ka humbur jetën pasi u zu nga një vinç që ishte rrëzuar në një punishte.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen Arbana të Prizrenit, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipet emergjente.

Për Sinjalin, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar rastin, duke bërë të ditur se viktima ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra në incident.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa pritet të përcaktohen edhe shkaqet që çuan në rrëzimin e vinçit.

Rasti po trajtohet nga organet kompetente.

Deputeti socialist: S’ka hajvanllëk më të madh se sa të vish nga Kosova për të rrëzuar qeverinë në Tiranë

Në vijim të reagimit të kryeministrit Edi Rama për pjesëmarrjen e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat e Tiranës, deputeti socialist Ulsi Manja, i bëri thirrje qeverisë së Kosovës të distancohet nga prania e tyre në protestë.

Manja u shpreh se “nuk ka hajvanllëk më të madh” sesa të vish nga Kosova për të rrëzuar qeverinë në Tiranë.

“Dakord Kryeministër dakord, me ty jam, po nëqoftëse Albin Kurti nuk paska lidhje me këtë çorbë qensh dhe ishalla s’ka, pse nuk distancohet qeveria e tij nga ky turp me gjoja “diasporë”?! Gjithsesi unë mendoj se nuk ka hajvanllëk më të madh se sa të vish nga Kosova për të rrëzuar qeverinë në Tiranë. Jo vetëm se nuk e rrëzon dot, por i jep një dorë të madhe armiqve të Kosovës që do thonë ja, shikojini kush janë, nuk rrinë dot pa rrëmujë e pa konflikt as me Shqipërinë që e kanë pjesë të kombit të tyre!!!”, shkruan Manja.

“O engjëj, mezi pritët me ardh”, postimi prekës i xhaxhait të motrave që vdiqën në Gjermani

Dy motrat, Erza dhe Aulona Zubaku nga Topanica e Kamenicës, kanë humbur jetën tragjikisht pas një aksidenti të rëndë që ndodhi të shtunën në Gjermani.

Familjarët kanë publikuar fotografi të të ndjerave, ndërsa dhimbja për humbjen e tyre është e papërshkrueshme, raporton Klankosova.tv

“Herët na ikët, o engjëjt e axhës, Erza dhe Aulona. Allahu iu gradoftë me Xhenet. Me gëzim ju pritëm për pushim dhe për të shkuar në dasmën e Bardhit, por nuk paska qenë e shkruar. Do të na mungoni shumë”, thuhet në postimin prekës të një familjari të tyre.

Ndërkohë për rastin e rëndë, policia gjermane ka dhënë detaje për Klankosova.tv.

Sipas autoriteteve gjermane, dy aksidente u raportuan në të njëjtin vend, ku i pari ndodhi pak pas orës 11:30 pranë zonës së pushimit Renchtal.

Po ashtu, pengesat e krijuara nga aksidenti i parë detyruan drejtuesit e automjeteve që po lëviznin pas tyre të frenonin papritur. Si pasojë, pranë nyjës së Appenëeierit ndodhi një aksident tjetër i rëndë, ku u përfshinë pesë automjete.