div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-489 category-paged-489 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Tragjike: Humb jetën një 24-vjeçare në Skenderaj

Një tragjedi rrugore ka goditur fshatin Polluzhë të Komunës së Skenderajt të dielën pasdite, kur një vetaksident në rrugën Drenas–Skenderaj ka përfunduar me një të vdekur dhe një të lënduar rëndë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 1 qershor 2025, rreth orës 14:43, kur një Audi A4, ka dalë nga rruga në rrethana që ende po hetohen.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën pasagjerja Blerta Rexha, 24-vjeçare, ndërsa shoferi i automjetit, Leutrim Azemi, 27-vjeçar nga Skenderaj, ka mbetur i lënduar rëndë.

Në vendin e ngjarjes fillimisht kanë ndërhyrë njësitet policore të Stacionit të Drenasit dhe ekipet e ndihmës së shpejtë, të cilat kanë transportuar të lënduarit drejt Emergjencës në QKUK, Prishtinë.

Më pas në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë e trafikut rrugor, njësia e hetimeve të aksidenteve si dhe prokurori kujdestar, i cili ka autorizuar procedurat për hetim të vdekjes.

Shkaku i saktë i aksidentit mbetet ende nën hetime, ndërsa organet e drejtësisë janë duke e trajtuar rastin si “Hetim i vdekjes”, për të përcaktuar përgjegjësinë dhe rrethanat që çuan në këtë fatkeqësi.

Zjarr i madh në një spital në Gjermani, tre të vdekur dhe mbi 50 të lënduar

Një zjarr i përhapur gjatë natës në Spitalin Marien në Hamburg të Gjermanisë shkaktoi tragjedi, duke marrë jetën e të paktën tre personave dhe plagosur mbi 50 të tjerë, shkruan Gazeta Sinjali.

Flakët shpërthyen në një dhomë të repartit të kujdesit për të moshuarit në katin përdhes të ndërtesës në lagjen Hohenfelde, ku tymi i dendur përfshiu të gjitha katet e spitalit.

Sipas autoriteteve, 16 prej të lënduarve janë në gjendje të rëndë, ndërsa një person ndodhet në rrezik për jetën. Zjarrfikësit kanë vlerësuar ndërhyrjen si shumë të vështirë për shkak të përhapjes së shpejtë të tymit në të gjithë objektin.

Shkaku i zjarrit nuk është zbuluar ende dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.

Ngjarja në bregdetin e Durrësit, gjendja e gruas raporotohet e jetë rëndë

Një ngjarje tragjike ka ndodhur paraditen e sotme në Durrës.

Një 34-vjeçar deklarohet se ka vdekur, ndërsa vajza, 31 vjeç u transportua me ambulancë në spital, në gjendje të rëndë.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 11:15, të datës 01.06.2025, shërbimet e Policisë Kufitare Port Durrës janë njoftuar se, në zonën përballë Shkëmbit të Kavajës, dy shtetas që lundronin me një mjet lundrues Jet Ski, dyshohet se gjatë manovrave kanë humbur kontrollin mbi mjetin lundrues dhe kanë rënë në ujë.

Shërbimet e Policisë Kufitare, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar me mjet lundrues menjëherë në ndihmë të dy shtetasve që kishin rënë në ujë, duke bërë transportimin e tyre për në port, me qëllim transportimin drejt spitalit. Nga verifikimet paraprake të ekipit të urgjencës së spitalit, që ishte në pritje në port, rezultoi se njëri prej shtetasve që lundronin me Jet Ski, konkretisht shtetasi S. O., 34 vjeç, banues në Angli, kishte humbur jetën, ndërsa shtetasja V. B., 31 vjeçe, banuese në Angli, u transportua menjëherë për në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.

Ky është i riu që u gjet i vdekur në Skenderaj

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në orët e mëngjesit në fshatin Burojë të Skenderajt.


Burime të IndeksOnline bëjnë të ditur se një person është gjetur pa shenja jetë.

Dyshimet janë se ai ka bërë vetëvrasje.

Nga burimet e saj, IndeksOnline merr vesh si viktima është F. Ramadani.

Rastin për IndeksOnline e ka konfirmuar policia e Kosovës.

“Sot me datën 01.06.2025 rreth ores 06:51 policia ka pranuar informaten nga Emergjenca në QKMF Skenderaj, se eshte sjell nje person moshes madhore pa shenja jete. Njësit relevante kane dal ne vendngjarje.
Me urdher te prokurorit kujdestar rasti eshte duke u hetuar si ,, Hetim i vdekjes”, dhe trupi i pa jete eshte derguar per obduksion ne IML”, thuhet në përgjigjen e pilicosë për IndeksOnline.

Ky është i riu që humbi jetën nga aksidenti në Pejë, djali i biznesmenit të njohur

Policia e Kosovës ka njoftuar se një person ka humbur jetën në një aksident trafiku në orët e para të mëngjesit të së dielës në fshatin Pavlan të Pejës.

Gazeta Insajderi merr vesh se personi i vdekur është Armir Osmani, djali i biznesmenit nga Mitrovica, Ismet Osmanit -Currit.

Zëdhënsi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikci, ka thënë për Insajderin se viktima është identifikuar nga familjarët

“Viktima është identifikuar nga familjarët. Tash me urdhër të prokurorit po i bëhet autopsia” ka thënë për Insajderin, Shkodran Nikci.

Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se viktima ishte duke vozitur me shpejtësi të madhe, me ç’rast ka humbur kontrollin mbi veturën dhe është rrokullisur duke rënë në fushë.

Më pas vetura është përfshirë nga flakët.

Me urdhër të prokurorit viktima është dërguar në IML.

“Sot me datën, 01.06.2025, rreth orës 02:20, Policia është njoftuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në fshaton Pavlan- Pejë, në këtë aksident ishte e përfshirë një veturë e cila dyshohet se ishte duke qarkulluar me shpejtsi të madhe në drejtim të Pejës, dhe me të arritur në fshatin Pavlan, humb kontrollim mbi automjetin dhe rrokulliset duke përfunduar ne fushë, vetura është përfshirë nga flakët se bashku me personin që ishte në veturë, në vendin e ngjarjës kanë dalë njësitet relevante të Policisë, ekipi i zjarrëfiksëve dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, me urdhër të prokurorit të shtetit viktima dërgohet ne IML-Prishtinë për obduksion”, tha për indeksOnline Driton Rugova zëdhënës i policisë për rajonin e Pejës.

ZRRE-ja del me një njoftim të rëndësishëm

Zyra e Rregullatorit për Energji bëri të ditur se më 1 qershor bizneset e mëdha kanë kaluar në tregun e hapur të energjisë.


“Me sukses, të gjitha që kanë lidhur kontrata me furnizuesit kanë dalë në tregun e hapur. Ato që nuk kanë lidhur kontratë, kanë kaluar automatikisht te Furnizuesi i Mundësisë së Fundit”, tha për Radion Evropa e Lirë, kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

Megjithatë, Fejzullahu nuk dha shifra se sa kompani, nga rreth 1.300 që preken nga vendimi i liberalizimit të tregut, kanë lidhur kontrata dhe sa të tjera do të furnizohen me rrymë nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit.

Kalimi në tregun e hapur, përkatësisht në tregun me çmime të parregulluara për furnizim me energji, po bëhet pavarësisht kundërshtimeve të shumta nga ana e bizneseve.

Sipas këtij vendimi të ZRRE-së të gjitha bizneset e mëdha, me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, është dashur të zgjedhin vetë një kompani të licencuar për furnizim me energji elektrike.

Nëse nuk kanë arritur të përzgjedhin, këto biznese nga 1 qershori kanë kaluar automatikisht në tregun e hapur, ku furnizimi bëhet nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit,(FMF) por me çmime të përcaktuara nga tregu.

FMF-ja mund të furnizojë vetëm dy muaj më energji kompanitë dhe nëse pas kësaj periudhe ato që nuk gjejnë furnizues, rrezikojnë të shkëputen nga rrjeti energjetik.

Aktualisht në Kosovë janë të licencuara 21 kompani tregtare për furnizim me energji, ndërsa një kompani tjetër është në proces licencimi.

Megjithatë, sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vetëm pesë prej tyre kanë paraqitur deri tani oferta konkrete për sektorin e bizneseve.

Pjesë e këtyre kompanive është edhe Operatori për Furnizim me Energji, KESCO, që aktualisht furnizon shumicën e konsumatorëve familjarë dhe industrialë në vend.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa biznese gjatë kësaj jave dhe asnjëra prej tyre nuk ka nënshkruar marrëveshje me kompanitë e licencuara.

Sipas tyre, vetëm KESCO ka dhënë një ofertë me çmim deri në 260 euro për megavat – çmim që ata e konsiderojnë të papërballueshëm.

KESCO nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë çmim.

Për shkak të çmimit të lartë të energjisë dhe mungesës së ofertave nga kompanitë furnizuese, më 29 maj, qindra biznese protestuan duke bllokuar për dy orë tri hyrjet kryesore të Prishtinës me mauna dhe automjete.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, deklaroi se bizneset po kërkojnë që zbatimi i vendimit të shtyhet për një vit, meqë “nuk janë bërë përgatitjet e nevojshme për këtë ndryshim të madh”.

Nga ana tjetër, Njazi Musliu, pronar i kompanisë Eurometal në Ferizaj, që ka afër 90 punëtorë, e ka cilësuar vendimin si shkatërrues për biznesin e tij.

Në protestën e së enjtes, ai theksoi se ky zhvillim e bën të pamundur konkurrencën në tregjet e rajonit dhe Evropës, ku kompania e tij është e pranishme me produkte të përpunimit të metalit.

“Do të detyrohemi të ulim numrin e punëtorëve nën 50, vetëm që të mos hyjmë në tregun e hapur në mënyrë që të ruajmë klientët me çmimet aktuale”, deklaroi ai për Radion Evropa e Lirë.

Por, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e kritikoi Odën Ekonomike duke thënë se “nuk ka bërë asgjë” për t’i përgatitur bizneset për këtë proces.

Nga ana tjetër, ZRRE-ja ka thënë të premten për Radion Evropa e Lirë, se disa biznese private dhe ndërmarrje publike tashmë kanë nënshkruar kontrata me kompani të licencuara për furnizim me energji elektrike.

Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme. /REL/

Ky është haxhiu kosovar që vdiq në Qabe

Familja Jusufi sot ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të kryefamiljarit të tyre, Haxhi Avdi Jusufit i cili vdiq në Qabenë e bekuar.

I ndjeri do varroset sot me 01.06.2025 (e dielë), me namazin e Drekës në Qabenë e Bekuar.

E pamja e të ndjerit do mbahet tri ditë, nga dita e hënë 02.06.2025 në Vushtrri në Novosellë të Begut.

Njoftimi i plotë i familjes:

“Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi”

Me pikëllim të thellë ju njoftoj se është ndarë nga jeta Babai jonë, haxhi Avdi Jusufi.

Ceremonia e varrimit do të bëhet sot me 01.06.2025 (e dielë), me namazin e Drekës në Qabenë e Bekuar!
E Pamja mbahet tri ditë, nga dita e Hënë 02.06.2025 në Vushtrri (Novosella e Begut)

Vdekja e tij ka lënë një boshllëk të madh në zemrën e familjes sonë, por kujtimi për të do të mbetet gjithmonë i freskët në mendjet dhe zemrat tona.
Babai ynë me shpirt i donte vendet e shenjta, andaj Allahu e zgjodhi që shpirtin ta dorëzonte pikërisht atje!

Faleminderit të gjithëve për ngushëllimet dhe përkrahjen në këto momente të rënda për familjen tonë.

Allahu e bëftë prej banorëve të Xhennetit!

Haxhia nga Kosova vdes në Qabe

Një haxhi nga Kosova ka ndërruar jetë në Qabe gjatë pelegrinazhit në vendin më të shenjtë të myslimanëve, ka bërë të ditur hoxha Abdullah Shaqiri, shkruan Insajderi.

“Në këto ditë të begata të Dhulhixhes dhe në Qabenë e bekuar në Mekë, ka ndërruar jetë haxhiu nga Vushtrria, Avdi Jusufi. Allahu e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me Xhenet. Familjes Zoti ua shtoftë durimin”, ka shkruar ai në një postim në rrjete sociale.

Sipas njoftimit të familjarëve, haxhiu Avdi Jusufi do të varroset sot, më 1 qershor 2025 (e diel), me namazin e drekës në Qabenë e Bekuar në Mekë.

 

 

Pamja do të mbahet për tri ditë në Vushtrri, në Novosellë të Begut, duke filluar nga e hëna, më 2 qershor 2025.

 

Gjendet e mitura e raportuar si e zhdukur në Fushë Kosovë – 14-vjeçarja kishte qëndruar e vetme në rrugë për disa ditë

Një rast shqetësues i zhdukjes së një të miture në Fushë Kosovë ka përfunduar me kthimin e saj të sigurt në shtëpi, pas disa ditësh mungesë dhe pa ndonjë kontakt me familjen

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Besforta Shala, e lindur më 2010, ishte raportuar si e zhdukur nga babai i saj më datë 30 maj 2025, rreth orës 19:30, në stacionin policor të Fushë Kosovës. Sipas kallëzimit, vajza kishte dalë nga banesa më 26 maj, në orët e hershme të mëngjesit, dhe nuk ishte kthyer më. Ajo nuk kishte me vete telefon dhe familja nuk kishte informacion se çfarë kishte veshur.

Mësohet se viktima është një rast i përsëritur i largimeve nga shtëpia, ndërsa edhe herën e fundit Prokuroria për të Mitur kishte urdhëruar inicimin e rastit si “Person i zhdukur”.

Fatmirësisht, më 1 qershor 2025, rreth orës 02:45, babai i saj, Remzi Shala, është paraqitur sërish në polici – këtë herë bashkë me vajzën e gjetur. Gjatë intervistimit, e mitura ka deklaruar se gjatë gjithë kohës kishte qëndruar vetëm, duke endur rrugëve të Fushë Kosovës, por se ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia dhe organet kompetente po trajtojnë rastin me kujdes të veçantë për shkak të ndjeshmërisë së tij dhe historikut të përsëritur të largimeve nga shtëpia. Gazeta Sinjali do të vazhdojë ta ndjekë rastin dhe t’ju informojë për çdo zhvillim të mëtejshëm.

Aksident i rëndë në Pavlan të Pejës, merr flakë vetura, vdes një person

Gazeta Sinjali ka raportuar më parë për një aksident tragjik që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në fshatin Pavlan të Pejës, ku një veturë luksoze tip Audi Q8 ka dalë nga rruga dhe është përfshirë nga flakët, duke shkaktuar vdekjen e një personi ende të paidentifikuar.

Sinjali mëson ekskluzivisht se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:20 të datës 1 qershor 2025, kur automjeti që po qarkullonte me shpejtësi në drejtim të qytetit të Pejës, ka humbur kontrollin në afërsi të rrethrrotullimit në fshatin Pavlan. Sipas hetimeve fillestare, vetura ka goditur cepin e trotuarit në anën e djathtë, është rrokullisur dhe ka përfunduar rreth 50 metra larg rrugës, në një arë, ku është përfshirë nga zjarri.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, njësia e krim-teknikës rajonale, zjarrfikësit, inspektori për mbrojtje nga zjarri dhe autoambulanca me mjekun kujdestar, i cili ka konstatuar vdekjen e personit brenda automjetit. Viktima, që dyshohet të jetë drejtuesi i mjetit, nuk ka arritur të identifikohet deri më tani, ndërsa pronari i veturës nuk ishte i qasshëm përmes disa numrave të telefonit.

Gjatë ekzaminimit të automjetit, hetuesit kanë gjetur edhe një fishek armë zjarri me kalibër të panjohur, çka ka shtuar edhe më shumë dyshimet rreth rrethanave të këtij rasti.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa vetura është konfiskuar për ekzaminime të mëtejshme dhe është dërguar në parkingun e Stacionit Policor në Klinë.

Rasti është duke u hetuar nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Pejë dhe Prokuroria Themelore, në përpjekje për të sqaruar shkaqet dhe identitetin e viktimës.