Shqiptari po lufton me jetën, theu shtyllën kurrizore gjatë pushimeve në Spanjë

Shqiptari nga Britania e Madhe, Ardi Balliu, 27 vjeç, po lufton për jetën pas një aksidenti tragjik gjatë pushimeve në një plazh të njohur në Marbella të Spanjës, ku pësoi thyerje të shtyllës kurrizore, raporton The Mirror.

Sipas këtij mediumi, Balliu nuk do të mund të ecë më kurrë pasi dëmtoi rëndë shtyllën kurrizore kur u hodh me kokë në det gjatë pushimeve dhe nuk doli më në sipërfaqe.

Balliu, nga Northamptoni i Anglisë, kishte vetëm pak ditë që kishte mbërritur për pushime në Marbella, në bregdetin Costa del Sol të Spanjës, kur ai dhe një mik vendosën të vizitonin gjirin e njohur Calo des Moro, një vend shumë i frekuentuar nga turistët.

Por, pasi Ardi u hodh me kokë në ujë, shoku i tij u alarmua kur 27-vjeçari nuk u rikthye në sipërfaqe. Duke bërtitur për ndihmë, ai kërkoi ndihmën e njerëzve që ndodheshin pranë. Notarët e tjerë arritën ta nxirrnin nga uji dhe ta sillnin në breg.

Sapo u nxor në plazh, Ardi u tha personave që e ndihmuan se nuk i ndiente këmbët. Më pas ai u transportua me helikopter ambulancë drejt spitalit.

Tashmë punëtori i ndërtimit po lufton për jetën, ndërsa familja e tij po mbledh para për ta kthyer në Britani, ku deri më tani janë grumbulluar mbi 34 mijë paund.

Xhaka afër kalimit te gjiganti anglez

Granit Xhaka është pranë një transferimi sensacional te Chelsea.

Një “bombë” e merkatos ka shpërthyer gjatë Kupës së Botës.

Sipas informacioneve të “blue Sport”, Chelsea dëshiron ta transferojë menjëherë kapitenin e Zvicrës, Granit Xhakën.

Kombëtarja zvicerane është kualifikuar në fazën e 1/16-ës së finales së Kupës së Botës, ndërsa kapiteni Granit Xhaka mund të ndryshojë sërish klub pas sezonit të shkëlqyer që zhvilloi me Sunderlandin.

Sipas “blue Sport”, Chelsea ka vendosur të transferojë 33-vjeçarin.

Në stolin e londinezëve ndodhet tashmë Xabi Alonso, me të cilin Xhaka fitoi titullin kampion te Bayer Leverkuseni.

Raportohet se bisedimet mes lojtarit dhe Chelsea kanë avancuar ndjeshëm, ndërsa tani po zhvillohen negociatat edhe mes dy klubeve.

Megjithatë, pritet një negociatë e fortë, pasi Sunderland kërkon mes 35 dhe 40 milionë euro për kapitenin e Zvicrës.

Xhaka më parë ka luajtur tek Arsenali, i cili është edhe rival i Chelseat në Premierligë, teksa më parë ka djersitur fanellat e Borussia Monchengladbachut dhe Baselit./GazetaExpress

Vuçiq njofton dorëheqjen

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka njoftuar se do të japë dorëheqjen nga pozicioni i tij “brenda javëve të ardhshme”, duke i hapur kështu rrugën zgjedhjeve të parakohshme, shkruan Reuters.

“Do të jem president vetëm për disa javë dhe pastaj do të jap dorëheqjen”, tha Vuçiq në një tubim mbështetësish në Beograd.

Vuçiq u zgjodh për herë të parë president i Serbisë në vitin 2017 dhe në vitin 2022 u rizgjodh për një mandat të dytë, i cili normalisht do të skadonte vitin e ardhshëm.

Për muaj të tërë, qeveria serbe ka qenë nën presion të madh, ndërsa protestat e shpeshta masive antiqeveritare vazhduan pas aksidentit vdekjeprurës në stacionin e trenit të Novi Sadit.

Bajrami: Refuzimi i projektit të gazit amerikan po i kushton Kosovës

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka shprehur shqetësim lidhur me zhvillimet e fundit sa i përket gazit amerikan dhe pasojat që ka Kosova nga refuzimi i këtij projekti nga Qeveria në detyrë. Në një intervisë me shkrim për rtv21 deputetja Bajrami tha se refuzimi i projektit të gazit amerikan nuk është thjesht refuzim i një infrastrukture, por  është refuzim i një mundësie për ta bërë Kosovën më të sigurt në aspektin e furnizimit me  energji elektrike, më konkurruese ekonomikisht dhe më pak të varur nga importi.

RTV21: Cilat janë pasojat për Kosovën nga refuzimi i projektit të gazit amerikan?

Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së:

“Pasojat tashmë po i shohim, po i paguajnë qytetarët dhe bizneset. Refuzimi i projektit të gazit amerikan nuk është thjesht refuzim i një infrastructure.  është refuzim i një mundësie për ta bërë Kosovën më të sigurt në aspektin e furnizimit me  energji ener, më konkurruese ekonomikisht dhe më pak të varur nga importi. Për gjashtë vjet qeverisje nuk janë shtuar  kapacitete të reja gjenerues, ndërsa gjatë të njëjtës periudhë Kosova ka importuar rreth 1 miliard euro energji elektrike. Kjo tregon se nuk kemi ndërtuar alternativa, por kemi thelluar varësinë nga importi. Në vend që Kosova të bëhej pjesë e rrjetit rajonal të gazit, të diversifikoj burimet e furnizimit dhe të rriste sigurinë energjetike, sot rrezikon të mbetet jashtë zhvillimeve që do ta përcaktojnë konkurrueshmërinë ekonomike të rajonit në të ardhmën e afërt. Kostoja nuk është vetëm energjetike, është ekonomike e është edhe politike. Bizneset po përballen me kosto gjithnjë e më të larta të energjisë. Disa tashmë kanë vështirësi serioze operimi, ndërsa të tjera po shqyrtojnë zhvendosjen e investimeve jashtë Kosovës. Prandaj, refuzimi i këtij projekti nuk është vendim pa pasoja, është vendim që prek drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik, investimet, vendet e punës dhe mirëqenien e qytetarëve.”

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se Qeveria në detyrë duhet të jap përgjigje nëse refuzimi i gazit amerikan ka prapavijë politike, por sipas saj, faktet tregojnë se Qeveria Kurti ka refuzuar disa projekte nga Amerika.  Bajrami kërkon nga Qeveria në detyrë të ofrojë fakte dhe analiza se përse Kosova duhet të zgjedh alternativa tjera dhe jo gazin amerkan. 

RTV21: A ka një prapavijë politike kjo qasje e Qeverisë në detyrë?

Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së:

“Për motivet duhet të përgjigjet vetë Qeveria. Ne mund të flasim për faktet. Faktet tregojnë një vazhdimësi: fillimisht u kundërshtua ContourGlobal, pastaj u anulua projekti i gazit amerikan i mbështetur nga MCC, sot po refuzohet edhe ndërtimi i infrastrukturës së gazit, ndërsa në të njëjtën kohë thuhet se do të vazhdohet me gazifikimin e linjitit. Nëse kjo është zgjedhja më e mirë për Kosovën, atëherë Qeveria duhet ta dëshmojë me analiza – le të publikojë studimet. Le të tregojë sa kushton infrastruktura për të sjellë gazin LNG në Kosovë, sa kushton gazifikimi i linjitit dhe pse është zgjedhur njëra alternativë e jo tjetra. Po ashtu, është deklaruar se energjia do të merret nga Vlora në bazë të memorandumit të vitit 2022 me Shqipërinë edhe këtu kërkohet transparencë. Me çfarë çmimi do ta marrë Kosova atë energji? Me çmimin e kostos së prodhimit apo me çmimin e bursave ndërkombëtare? Nëse ekziston një marrëveshje që e garanton këtë, ajo duhet të bëhet publike. Kur mungojnë analizat dhe transparenca, është normale që qytetarët të shtrojnë pyetje dhe të kërkojnë llogari.”

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, është pyetur edhe për ndikimin që mund të ketë në raportet Kosovë-SHBA refuzimi i projektit të gazit amerikan. 

RTV21: A ndikon në raportet Kosovë-SHBA refuzimi i projekteve amerikane?

Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së:

“Partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është shumë më i madh se një projekt i vetëm dhe është në interesin tonë kombëtar që ai të mbetet i fortë. Megjithatë, nuk mund të injorohet fakti se kur refuzohen në mënyrë të përsëritur projekte strategjike amerikane, krijohet një perceptim që nuk i shërben Kosovës. Për më tepër, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për marrëdhëniet politike me SHBA-në, bëhet fjalë për humbjen e mundësive për investime strategjike, për siguri energjetike, për zhvillim ekonomik dhe për integrimin e Kosovës në arkitekturën e re energjetike të rajonit. Kosova ka nevojë për më shumë partneritet, më shumë investime dhe më shumë alternativa energjetike, jo për më shumë varësi nga importi. Sepse në fund, çdo vendim në energji matet me rezultatet. Sot rezultati është ky: nuk kemi kapacitete të reja gjeneruese, kemi importuar rreth 1 miliard euro energji, qytetarëve po u trashen faturat, bizneseve po u rriten kostot, ndërsa tregtarëve të energjisë po u trashen fitimet. Kjo është arsyeja pse ne kërkojmë një ndryshim të qasjes dhe një politikë energjetike që i shërben interesit publik dhe zhvillimit afatgjatë të Kosovës, mjaft politikës që ju shërben tregtarëve të energjisë.” tha Bajrami.

‘Ai është….’, Juli flet për ‘partnerin’ në procesin e pritjes së ëmbël

Juliana Nura, ish-finalistja e Big Brother VIP Kosova mbrëmë mblodhi miqtë e ngushtë dhe fytyrat publike për premierën e reality show-t të saj më të ri, “Eagle Queen”. Ajo ktheu të gjithë sytë nga vetja kur u shfaq për herë të parë publikisht me barkun e rrumbullakosur, duke konfirmuar përfundimisht atë që përflitej prej kohësh nëpër korridoret e showbizz-it: Xhuli do të bëhet nënë. Por për t’i dhënë një tjetër dimension kësaj historie, ajo ka vendosur ta nisë këtë rrugëtim krejtësisht e vetme, duke thyer tabutë dhe duke zgjedhur procedurën in vitro.

Sigurisht, kur një personazh kaq i lakuar në media merr një vendim të tillë, kurioziteti i publikut arrin majat dhe pyetja që pushtoi rrjetin ishte e pashmangshme rreth identitetit të babait biologjik. Aludimet qenë nga më të ndryshmet, madje disa komentues me humor rikthyen në vëmendje histori të vjetra duke përmendur yje si Karim Benzema apo Cristiano Ronaldo. Megjithatë, në një prononcim për Prive By Liberta Spahiu, Xhuli i shoi të gjitha dilemat me shumë sportivitet.

Pasi qeshi me lajmet virale të rrjetit, ajo i vuri pikat mbi “i” për sa i përket origjinës së tij me një deklaratë të drejtpërdrejtë. “Personi që ka dhënë pjesën e 49 përqindshit të formimit, të fillimit të embrionit, është donator shqiptar. Shqiptar është beba! Shqiptar edhe nga nëna, edhe nga baba,” u shpreh Juliana.

Gjatë intervistës, Juliana zbuloi anën e saj më të ndjeshme, duke treguar se ky nuk ishte një hap i nxituar, por një zgjedhje e menduar mirë për të mos rrezikuar paqen e saj dhe të fëmijës në të ardhmen me marrëdhënie që mund të dështonin.

Ajo nuk ngurroi t’u kthejë përgjigje edhe atyre që e etiketojnë këtë zgjedhje si egoiste. Xhuli theksoi prerë se derisa dikush të mos jetë në këpucët e saj, nuk ka asnjë të drejtë ta gjykojë. Ajo vuri në dukje një detaj mjaft interesant, duke thënë se kritikat për vendimin e saj zakonisht vijnë nga gjinia mashkullore, ndërsa vajzat që vërtet e kuptojnë këtë nevojë të thellë për mëmësi, vetëm e mbështesin dhe e përgëzojnë për guximin.

E gjithë kjo prapaskenë dhe rrugëtimi i saj unik do të shpalosen gjerë e gjatë në episodet e “Eagle Queen”. /Prive By Liberta Spahiu

Haradinaj për protestat në Tiranë: Turp që qytetarë nga Kosova shkojnë atje

Ramush Haradinaj ka reaguar për protestat që po zhvillohen prej tre javësh në Tiranë, duke kundërshtuar pjesëmarrjen e qytetarëve nga Kosova në këto tubime.

Në një intervistë për Pressing në T7, ish-kryeministri i Kosovës tha se nuk e mbështet përfshirjen e bashkëkombasve në protestat që po mbahen në kryeqytetin shqiptar

Po më vjen marre që i shoh bashkëombasit në protestë në Shqipëri. Unë nuk do kisha shkuar dhe do t’u kisha thënë njerëzve përmbahuni.”-tha ai

Në protestat e zhvilluara në bulevardin e Tiranës kanë marrë pjesë edhe qytetarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Prania e tyre është komentuar edhe nga faktorë politikë në Prishtinë dhe Shkup.

Djali rr’ah babanë në Shtime

Të premten në Shtime një person është arrestuar nën dyshimin se ka rrahur babanë e tij.

Deri te ky incident kishte ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes dyshes, dhe ky i fundit ka përfunduar me lëndime trupore.

“Është raportuar viktima mashkull kosovar, pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga djali i tij, duke i shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës.

“I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit  është dërguar në mbajtje”.

Një foshnje e porsalindur gjendet e vďekur në një grumbull mbeturinash – kërkohen nëna

Policia britanike në West Midlands i ka bërë thirrje publike nënës së një foshnje të sapolindur, e cila u gjet e vdekur në një grumbull mbeturinash në një depo në Rowley Regis, pranë Birminghamit, që të paraqitet menjëherë.

Foshnja, që besohet të jetë vajzë, u gjet në mbeturina që ishin transportuar në një zonë industriale në Rowley Regis, pranë Birminghamit, të enjten, ka bërë të ditur Policia e West Midlands. Policia po përpiqet të identifikojë nënën e foshnjës, nga shqetësimi për gjendjen e saj shëndetësore, pasi ajo mund të ketë nevojë për kujdes mjekësor.

Hetimet po vazhdojnë, përfshirë ekzaminimet forenzike, për të identifikuar vajzën dhe për të zbuluar se si ka vdekur ajo.

Oficerët besojnë se foshnja është “transportuar pa dijeni” nga një operator privat i mbeturinave deri në vendin ku u gjet, në Station Road, të mërkurën, raporton skynews – transmeton Sinjali.

Operatori privat që ka transportuar mbeturinat ku u gjet foshnja vepron në zonat e West Midlands, Staffordshire, Warwickshire dhe West Mercia.

Ndërmarrja nuk po lidhet me vdekjen e foshnjës.

Detektive Kryeinspektore Kylie Westlake nga Njësia për Mbrojtjen Publike e Policisë së West Midlands tha: “Ndërsa ende nuk e dimë se çfarë ka ndodhur, ajo që dimë është se duhet të ketë një nënë që ka nevojë reale për ndihmë – dhe ajo është prioriteti ynë absolut në këtë moment.

Sami Lushtaku del në mbështetje të Bekim Metajt

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka shprehur mbështetje publike për Bekim Metaj, pas ngjarjes së raportuar në lidhje me procedurat për pajisje me shtetësinë e Kosovës të disa personave serbë që, sipas pretendimeve të bëra në reagim, dyshohen për krime lufte, shkruan Gazeta Demos.

Përmes një shkrimi në Facebook, Lushtaku e ka cilësuar si të papranueshme situatën në të cilën, sipas tij, invalidët e luftës, veteranët dhe familjet e dëshmorëve po përballen me zbatimin e një ligji që mundëson dhënien e shtetësisë edhe për persona ndaj të cilëve ekzistojnë dyshime për përfshirje në krime lufte.

“Sot të gjithë jemi me Bekim Metajn”, thuhet në reagimin e Lushtakut, i cili e përshkroi revoltën e Metajt si shprehje të pakënaqësisë së shumë luftëtarëve dhe qytetarëve që kundërshtojnë këtë proces.

Postimi i plotë:

Sot të gjithë jemi me Bekim Metajn!

Është e papranueshme që invalidët e luftës, veteranët dhe familjet e dëshmorëve, të cilët sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës, të shohin sot zbatimin e një ligji i cili krijon mundësi që edhe serbë të dyshuar për krime lufte në Kosovë të fitojnë shtetësinë.

Sot jemi me Bekim Metajn. Me njeriun që e mbrojti Kosovën në ditët më të vështira dhe që sot nuk mundi të heshtë përballë padrejtësisë së ligjit të Albin Kurtit për shtetësinë, duke u konfrontuar fizikisht me disa serbë që dyshohen për krime lufte në Kosovë, të cilët po zhvillonin procedurat për pajisje me shtetësinë e Kosovës. Revolta e tij është zëri i mijëra luftëtarëve e qytetarëve që ndihen të fyer nga ky ligj e nga ky pushtet.

Kosova është ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve, jo mbi harresën e krimeve. Ata që dyshohen për krime lufte duhet të përballen me drejtësinë, e kurrsesi të shpërblehen me shtetësinë e Kosovës!
SL

Gjermani: Vdes në vendin e punës 42 vjeçari nga Kosova

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Gjermani, ku një 42-vjeçar me prejardhje nga Deçani, ka humbur jetën në një aksident të dyshuar në vendin e punës.

Sipas informacioneve të para, dyshohet se ai ka rënë nga një vinç gjatë kryerjes së detyrës, duke pësuar lëndime fatale. Rrethanat e plota të aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të zbardhur shkakun e ngjarjes, raporton albinfo.ch, transmeton klankosova.tv.

Të premten, familjarë, miq dhe bashkëqytetarë i dhanë lamtumirën e fundit 42-vjeçarit në vendlindjen e tij, në Deçan.