Ish-pjesëtari i ISIS-it dënohet për spiunazh në favor të Serbisë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar ish-pjesëtarin e ISIS-it, Hysri Selimi, me gjashtë vjet burgim për spiunazh në favor të Serbisë.

Në bazë të akakuzës së Prokurorisë Speciale ai i ka ndihmuar Agjenicë për Siguri e Inteligjencë të Serbisë BIA.

Sipas organit të akuzës, ai ka takuar drejtorin për luftimin e terrorizmit në kuadër të BIA-s Igor Babiq, dhe një zyrtar tjetër në territorin e Republikës së Serbisë, si në Vranjë, Nish e Bujanoc, të cilët i informonte në bazë të detyrave që ia caktonin paraprakisht e që kishin të bënin me informacionet lidhur me personat e radikalizuar dhe zhvillimin e rrymave vahabiste në Kosovë, ndikimin e tyre, numrin dhe funksionimin e mesxhideve (vende të faljes jashtë kontrollit të Bashkësisë Islame).

I akuzuari pretendohet se i ka dërguar informata BIA-s serbe edhe lidhur me pjesëtarët e UÇK-së dhe vrasjet gjatë luftës. Prokuroria Speciale pretendon se ai edhe iu bashkua ISIS-it me urdhër të BIA-s.

Në dhjetor të 2022-tës, Selimi është dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS, ku ka shërbyer si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e ISIS-it. Aktgjykimi Gjykatës Themelore që është konfirmuar në Apel, konstatoi se ai pati edhe kontakt me figura të tjera të organizatës terroriste që kanë qenë nga Kosova, si Lavdrim Muhaxheri dhe Ridvan Haqifi.

Aktakuza thotë se i akuzuari, sipas kërkesave dhe udhëzimeve të zyrtarëve të BIA-s (të cilin paraprakisht e kishin pajisur me telefona të mençur dhe me mjete financiare, duke i premtuar edhe blerjen e një shtëpie) më 22 nëntor 2015 kishte udhëtuar në Siri, përmes aeroportit të Stambollit, me mision të caktuar nga BIA.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Selimi fillimisht iu bashkua organizatës terroriste ISIS, pastaj dërgoi informacione tek zyrtarët e BIA-s në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në ISIS, organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata.

Ndërsa, aktakuza thotë se pas kthimit në Kosovë nga Siria dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, Selimi kishte vazhduar të takohej me zyrtarë të BIA-s, më konkretisht me drejtorin për luftimin e terrorizmit në kuadër të BIA-s dhe një zyrtar tjetër në Serbi, si në Vranje, Nish e Bujanoc, të cilët i informonte në bazë të detyrave që ia kishin caktuar paraprakisht, e që kishin të bënin me informacionet lidhur me persona të radikalizuar dhe zhvillimin e rrymave vehabiste në Kosovë, ndikimin e tyre, numrin dhe funksionimin e “Mesxhide-ve” (hapësira fetare ku kryhen ritet fetare), si dhe informata tjera të rëndësishme.

Në aktakuzë thuhet se si shpërblim për këto informacione, zyrtarët e BIA-s e paguanin Selimin deri në 700 euro në muaj, duke i ofruar edhe telefona të mençur për të komunikuar me zyrtarët e BIA-s.

Përmes këtyre veprime, sipas Prokurorisë, Selimi seriozisht ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke ndihmuar ppo ashtu BIA-n serbe të krijojë një narrativë të dëmshme për shtetësinë e Kosovës.

Prandaj, për këto veprime, Hysri Selimi ngarkohej për veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, paragrafi 3 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërron jetë futbollisti i KF Dukagjinit

Klubi i futbollit KF Dukagjini nga Gjakova, që garon në Ligën e Dytë të Kosovës, ka njoftuar me pikëllim ndarjen nga jeta të futbollistit të saj, Bajram Rragamaj.

Përmes një njoftimi zyrtar, klubi ka shprehur dhimbjen për humbjen e lojtarit, duke e vlerësuar atë për kontributin, përkushtimin dhe dashurinë që kishte treguar ndaj ekipit dhe futbollit, shkruan Indeksonline

 

“Bajrami do të kujtohet gjithmonë për kontributin, përkushtimin dhe dashurinë që kishte gjithmonë. Largimi i tij është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe gjithë komunitetin sportiv që pati fatin ta njohë”, thuhet në reagimin e klubit.

Kryesia, stafi, futbollistët dhe e gjithë familja e KF Dukagjinit i kanë shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Rragamaj, të afërmve dhe miqve të të ndjerit.

Bien çmimet e naftës pas marrëveshjes mes ShBA-së dhe Iranit

Çmimet e naftës ranë në Azi të hënën pasi Pakistani, i cili ka ndërmjetësuar përfundimin e luftës ShBA-Iran, njoftoi një marrëveshje që Presidenti Donald Trump tha se do të shihte rihapjen e rrugës kryesore të transportit detar të Ngushticës së Hormuzit.

Nafta e papërpunuar Brent, standardi global i naftës, ra 4.8% më poshtë në 83.18 dollarë (61.89 paund) për fuçi, ndërsa nafta e tregtuar në ShBA ra 5.6% në 80.13 dollarë, shkruan BBC.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, tha se një ceremoni zyrtare e nënshkrimit do të mbahet të premten, më 19 qershor, në Zvicër.

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, konfirmoi në një telefonatë në televizionin shtetëror se një marrëveshje me ShBA-në ishte finalizuar, ndërsa Trump postoi në mediat sociale “le të rrjedhë nafta!”.

Vdes djali i heroit të kombit Jashar Salihu, pas një aksidenti të rëndë në Zvicër

Pas një aksidenti të rëndë në Zvicër, ka vdekur i riu, Blerim Salihu, djali i Heroit të Kombit, Jashar Salihu, shkruan GazetaDemos

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tashmë të ndjerit përmes një postimi në Facebook.

Njoftimi i plotë:

LAJM MORTOR

Me pikëllim të madh morëm lajmin e hidhur se mbrëmë, në një aksident të komunikacionit në Zvicër, humbi jetën Blerim Salihu, djali i Heroit të Kombit, Jashar Salihu!

Ngushëllime nënës së Blerimit, Nerxhivanes, bashkëshortes Albanës, vëllezerve Taulantit dhe Dardanit, djalit të xhaxhait Isniut dhe krejt familjes atdhetare Salihu nga Botusha e Gjakovës.

 

Tragjedi tjetër/ Kjo është Elmedina që vdiq tragjikisht

Një viktimë dhe tre të lënduar, dy prej tyre në gjendje më të rëndë për jetën për shkak të një aksidenti automobilistik mesditën e sotme në aksin nacional Pogradec-Lin, në zonën e njohur si Pojskë.

Lidhur me këtë rast kanë dalur detaje të reja, ku raportohet se ka qenë mjeti me targa të Maqedonisë së Veriut tip “Golf” që ka bërë një parakalim në mënyrë të gabuar duke i prerë rrugën mjetit tip “Benz” ku udhëtonte një familje nga Korça.

Mjetet janë përplasur kokë më kokë, përplasje që i mori jetën një gruaje dhe tre të tjerë i la të lënduar.

Sipas burimeve të A2Cnn, viktima është 26 vjeçarja, me emrin Elmedina Lloga.

Viktima është gruaja që ndodhej në mjetin me targa të Maqedonisë së Veriut, e cila ka mbetur e bllokuar për më shumë se 20 minuta për shkak të goditjes së fortë.

Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve për prerjen e derës, dëmtimi i madh i ka marrë jetën.

Lënduarit e tjerë ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve

Ndalohen për 48-orë dy vëllezërit për rastin e vrasjes së 27-vjeçarit në Prizren

Janë arrestuar dhe ndaluar për 48 –orë të dyshuarit, vëllezër mes vete njëri 19-vjeç e tjetri 16 për vrasjen e 27-vjeçarin në fshatin Kobaj të Prizrenit.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

27-vjeçari ka vdekur pas plagëve të marra pas goditje me thikë, nga të arrestuarit.

Në këtë rast, i lënduar rëndë ka mbetur edhe babai i 27-vjeçarit.

Ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshje lidhur me emrin e një rruge, ndërsa që personat e përfshirë në këtë kishin lidhje familjare mes vete.

Trump: Marrëveshja me Iranin u kompletua, urime të gjithëve – le të rrjedhë nafta

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se është arritur një marrëveshje me Iranin dhe se SHBA-ja do t’i japë fund bllokadës së saj detare ndaj vendit, duke shënuar zhvillimin më të rëndësishëm deri më tani pas muajsh negociatash.

“Marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit tani është kompletuar. Urime të gjithëve!” deklaroi Trump në një postim në Truth Social.

Detajet e marrëveshjes nuk u publikuan menjëherë dhe Teherani nuk ka komentuar ende mbi njoftimin.

Presidenti tha se po autorizonte heqjen e menjëhershme të bllokadës detare të SHBA-së, duke shkruar: “Anije të botës, ndizni motorët. Le të rrjedhë nafta!”

“Me këtë autorizoj plotësisht hapjen pa tarifa të Ngushticës së Hormuzit dhe, njëkohësisht me këtë, autorizoj heqjen e menjëhershme të bllokadës detare të Shteteve të Bashkuara”, shkroi Trump.

Njoftimi i Trump erdhi pasi ai ka shprehur vazhdimisht besimin gjatë gjithë ditës se një marrëveshje do të finalizohej sot.

Pas protestave në shesh, deputetja jep dorëheqje nga partia e Edi Ramës

Deputetja Marjana Koçeku ka bërë të ditur përmes një statusi në rrjetet sociale se nuk do të jetë më pjesë e Partisë Socialiste, duke deklaruar se do të vijojë mandatin si deputete e pavarur.

Ajo thekson se vlerat dhe idealet e saj kanë qenë të pandryshuara edhe para angazhimit politik, duke shtuar se ato përbëjnë kufirin e saj personal në jetën publike.

Koçeku ka qenë e para në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në qarkun Shkodër në zgjedhjet e fundit, një pozicion që i dha asaj një rol të rëndësishëm në përfaqësimin e kësaj force politike në zonë.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse largimi i saj është formalizuar edhe zyrtarisht pranë strukturave të Partisë Socialiste dhe Kuvendit.

Statusi i plotë i Marjana Koçekut: Prej sot jam deputete e pamvarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojne kufijtë.

U vra pas përleshjes me djemtë e axhës, familjarët e Albian Osmanajt reagojnë për herë të parë

Detaje të reja kanë dalë në dritë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në fshatin Kobaj, ku humbi jetën Albian Osmanaj.

Raportohet se i ndjeri ishte djali i vetëm i familjes.

Dyshohet se konflikti mes djemve të axhës kishte nisur pas mosmarrëveshjeve lidhur me emërtimin e një rruge.

Reagimi i vetëm i familjarëve lidhur me këtë ngjarje ka qenë pubilikimi i njoftimit mortor, ku thuhet se varrimi i të ndjerit do të bëhet të hënën, më 15 qershor 2026, pas faljes së namazit të Ikindisë, në varrezat e fshatit Kobaj.

Personi që vdiq në aeroplanin Zvicër – Kosovë është 34 vjeçar

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në një aeroplan që po udhëtonte nga Zvicra drejt Kosovës, ku një person ka humbur jetën pak para aterimit në Kosovë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Klan Kosova, viktima është një 34-vjeçar.

Pas ngjarjes, sipas të njëjtave burime, pasagjerët kanë mbetur të mbyllur brenda aeroplanit për rreth një orë, pa mundësi daljeje, ndërsa situata është përshkruar si e tensionuar.

Në vendin e ngjarjes kanë arritur ekipet emergjente, të cilat kanë bërë tërheqjen e trupit nga aeroplani.

Më pas, autoritetet kompetente kanë konstatuar vdekjen e 34-vjeçarit. Ende nuk janë bërë të ditura rrethanat apo shkaqet që çuan në vdekjen e tij.