Rama hedh nesër në shesh ‘ushtarët’ e PS-së, protestuesit nuk tërhiqen. Çfarë pritet të ndodh?
Ndërsa protesta qytetare kundër qeverisë hyri sot në ditën e saj të 12-të, Partia Socialiste ka nisur mobilizimin e strukturave për 35-vjetorin e themelimit, aktivitet që do të zhvillohet më 12 qershor (nesër) në orën 17:30, në Sheshin Italia në Tiranë.
Sipas një mesazhi të shpërndarë në strukturat e PS-së në kryeqytet, është kërkuar angazhim maksimal nga organizatat socialiste për të siguruar pjesëmarrje sa më të lartë në aktivitet.
Në mesazhin e shpërndarë thuhet se çdo Organizatë Socialiste duhet të garantojë pjesëmarrjen e pesë anëtarëve, sipas objektivave të përcaktuara për secilën njësi, ndërsa kryetarët e organizatave janë udhëzuar të paraqiten së bashku me grupet e tyre në sektorët e caktuar.
“Përshëndetje shokë e shoqe, Pas takimit të zhvilluar me Drejtuesen Politike të Qarkut Tiranë, Ogerta Manastirliu, ju përcjellim orientimet lidhur me organizimin e aktivitetit të madh që do të zhvillohet më
12 qershor,
ora 17:30,
Sheshi Italia.
Për shkak të rëndësisë së veçantë të këtij aktiviteti, kërkohet angazhim maksimal nga të gjithë kryetarët e organizatave, për të garantuar një pjesëmarrje sa më të lartë dhe një përfaqësim dinjitoz të Njësisë nr. 2.
Çdo Organizatë Socialiste duhet të sigurojë pjesëmarrjen e 5 anëtarëve, sipas objektivit të përcaktuar për realizimin e kuotës së njësisë.
Ditën e aktivitetit, çdo kryetar organizate duhet të paraqitet në sektorin e përcaktuar për Njësinë nr. 2 së bashku me 5 anëtarët e njësisë.”

Nga ana tjetër, protestuesit që prej 12 ditësh mblidhen para Kryeministrisë kanë paralajmëruar vazhdimin e protestës edhe ditën e nesërme në orën 18:00.
Ata kanë bërë thirrje që qytetarët, përfshirë edhe punonjësit e administratës publike, të bojkotojnë aktivitetin e organizuar nga mazhoranca dhe t’i bashkohen protestës.
Sipas organizatorëve të protestës, tubimi i përditshëm po tërheq mbështetje në rritje, ndërsa kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë.
Mbetet për tu parë ditën e nesërme nëse do ketë provokime nga ana e socialistëve dhe nëse qytetarët do e bojkotojnë këtë miting.
