Tentim vrasje në Istog, i mituri në gjendje kritike
Një rast i rëndë i vrasjes në tentativë ka ndodhur sot në Istog, ku dy persona kanë mbetur të lënduar, njëri prej tyre në gjendje kritike.
Rastin e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.
Sipas tij, një i mitur është në gjendje kritike dhe është transferuar për trajtim në QKUK, ndërsa viktima tjetër ka marrë tretman mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Rasti është cilësuar si ‘Vrasje në tentativë’. Në këtë rast janë dy viktima, një për fat të keq është me lëndime të rënda trupore në gjendje kritike. Ndërkaq, tjetri ka marrë tretman mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetën. Aktualisht, përveç Policisë që ka dalë në vendin e ngjarjes, është duke dalë edhe prokurorja në vendin e ngjarjes duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Për shkak se kemi të bëjmë me persona të mitur në këtë rast jemi të rezervuar në dhënien e më shumë informatave”, ka thënë Nikçi.
Për rastin ka folur edhe Policia e Kosovës, e cila ka dhënë detaje për përleshjen dhe përdorimin e mjeteve të mprehta.
“Në rrugën Lidhja e Prizrenit në Istog afër stacionit të autobusëve, rreth orës 14:40 janë përleshur disa persona dhe janë përdorur mjete të mprehta. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes. 3 persona janë të lënduar, një është më rëndë dhe dyshimet janë se është i lënduar prej mjetit të mprehtë. Policia ka gjetur disa dëshmi”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
