Tri banore serbe në Gjakovë, Rashiqi siguron gati 300 vota
Gjakova ka vetëm tri banore të komunitetit serb, mirëpo partia e Nenad Rashiqit, Za Slobodu Pravdu i Opstanak ka tubuar gati 300 vota në këtë qytet.
Kur janë numëruar 100 për qind të votave në Gjakovë për zgjedhjet që u mbajtën më 7 qershor, partia e Nenad Rashiqit ka marrë 284 vota, ndërkaq Rashiqi ka marrë 73 vota.
Pas tij është Tijana Veljkoviq me 56 vota dhe Milovan Zuviq me 43 vota. 30 vota ka Vesna Pantoviq.

Partia e Rashiqit në total ka fituar 0.81 për qind ose 5 mijë e 165 vota.
Shumë vota, partia e Rashiqit ka marrë edhe në Ferizaj teksa në regjistrimin e fundit të popullsisë në këtë qytet janë regjistruar 23 banorë të komunitetit serb.
Rashiqi ka marrë 57 vota, Veljkoviq 52 ndërkaq Pantoviq 20.

E njëjta parti ka siguruar më shumë se 30 vota edhe në Drenas, Skenderaj e Malishevë.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në Malishevë janë 6 banorë të komunitetit serb.

Raste të ngjashme me partinë e Rashiqiti kishin ndodhur edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025, si në Gjakovë ashtu edhe në Ferizaj.

Rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe në vitin 2021 kur Gjykata Supreme konfirmoi vendimin e PZAP-së për rastin e deputetes Duda Balje.
PZAP-ja kishte marrë vendim për anulimin e 4,205 votave të iniciativës “Komuniteti i bashkuar” të Adrijana Hoxhiqit.
Sipas rezultateve të shpallura nga KQZ, Adrijana Hoxhiq ka marrë 6 mijë e 422 vota, mirëpo me anulimin e 4 mijë e 205 votave, asaj do t’i mbesin vetëm 2 mijë e 217 vota.
Në vendimin e PZAP-së thuhej se anulohen votat për të gjitha subjektet boshnjake në 7 komuna me shumicë serbe.
Hoxhiq ishte akuzuar nga partitë e tjera të komunitetit boshnjak se ka bërë koalicion të fshehur me listën serbe për të marrë vota edhe në komunat ku nuk ka banorë të këtij komuniteti.
Kështu, Balje pas vendimit të Supremes, kishte arritur të marrë mandatin e deputetes në Kuvendin e Kosovës.
