E mbani mend “vajzën më të bukur në botë”? Sot është martuar dhe pamjet nga ceremonia po mahnitin të gjithë.

Thylane Blondeau, e cila në vitin 2006 u bë e famshme në mbarë botën pasi u quajt “Vajza më e bukur në botë” kur ishte vetëm 5 vjeçe, tashmë është rritur dhe është martuar.

Modelja franceze u martua të hënën. Ajo mbërriti në vendin ku u zhvillua ceremonia në Paris me një Porsche 356 Speedster ngjyrë argjendi, duke shkëlqyer me fustanin e bardhë të nusërisë.

Bashkëshorti i saj, Ben Attal, aktor francez, ishte në timon, i veshur me një kostum elegant ngjyrë blu të errët.

Çifti u pa shumë i lumtur dhe i buzëqeshur teksa zbriti nga makina dhe hyri në bashki për ceremoninë civile, i rrethuar nga familjarët dhe miqtë e tyre më të afërt.

Përfundon mbledhja e LDK-së, a kanë pranuar ftesë për takim nga Vetëvendosje, deklarohet Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se kjo parti ka nisur debatin e brendshëm paszgjedhor, ndërsa ka mohuar se ka pasur ndonjë ftesë apo takim me partitë e tjera politike për formimin e institucioneve, raporton Ekonomia Online.

Pas mbledhjes së Kryesisë dhe Kolegjiumit të Degëve, Haziri tha se në takim janë analizuar rezultatet zgjedhore dhe pozicioni politik i LDK-së, duke theksuar se partia do të vazhdojë procesin e diskutimeve në organet e saj.

“Ashtu siç paralajmërova, debati i brendshëm i LDK-së në situatën paszgjedhore ka filluar sot. Diskutuam çështjet, analizuam numrat dhe vlerësimet e para që dalin nga rezultatet zgjedhore. Numrat janë ata që LDK-së i kanë dhënë këtë peshë politike. Ne jemi me një grup parlamentar prej 18 deputetësh. Besojmë që do të arrijmë ta përmbyllim këtë proces pas certifikimit të rezultateve zgjedhore. Do të vazhdojmë me punu, me ndërtu unitet në dallimet tona nëse ka nevojë. Angazhimet tona politike kanë interes dhe agjendë Republikën e Kosovës. Organet e LDK-së e ruajnë parimin e ndarjes së drejtë sipas vullnetit qytetar, që proceset politike të shkojnë drejt një stabiliteti dhe normaliteti politik”, tha Haziri.

Ai ritheksoi se LDK-ja nuk ka zhvilluar bisedime me asnjë subjekt politik, duke theksuar se nuk ka marrë asnjë ftesë për takim.

“Më lejoni ta konfirmoj edhe një herë. As nuk kemi pasur ftesë, as nuk i kemi ofruar askujt. Takime nuk ka pasur deri tani që po flasim, sepse nuk ka pasur asnjë ftesë. Edhe ne kemi dalë me parim politik. Kemi thënë që procesi politik kërkon që Kosova me vendos normalitet dhe stabilitet institucional. Pjesë të tjera janë spekulative, janë konspiracion i Prishtinës. LDK-ja është imune ndaj kësaj, është imune ndaj çdo oferte politike. Ne i përmbahemi parimit të ndarjes së drejtë, me qenë gjithëpërfshirës. Projektet strategjike dhe proceset e mëdha të Republikës duhet të jenë baza e bashkëpunimit, ndërsa ndarja e përgjegjësive është çështja më pak e rëndësishme”, deklaroi ai.

Haziri tha se vendimmarrja për hapat e mëtejmë do të bëhet në organet e partisë, ndërsa theksoi se grupi parlamentar do ta ketë rolin vendimtar.

“Nuk i shohim ne kështu proceset bardh e zi. Debati ynë i brendshëm sot ka filluar, një organ është mbyllur dhe do të vazhdohet me organet e tjera. Vendimmarrës është lidershipi i LDK-së, ndërsa grupi i deputetëve bart sovranitetin qytetar. Janë 18 deputetë që në fund do ta kenë edhe rolin, edhe peshën, edhe fjalën e vet. Ne ndërtojmë konsensus sa më të gjerë politik. Gjithçka që synon ta shohë LDK-në më të fortë, më unike dhe më të fuqishme është qëllim i përbashkët. Mund të kemi dallime për rrugën, por për qëllimin nuk kemi asnjë dallim. Secili prej nesh dëshiron ta rikthejë LDK-në politikisht aty ku e ka vendin”, u shpreh Haziri.

I pyetur për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, ai paralajmëroi se ditët në vijim do të qartësohet nëse do të ketë bashkëpunim politik për krijimin e institucioneve, duke shtuar se alternativa tjetër do të ishte thellimi i krizës politike.

“Jemi në kuadër të parimeve politike dhe këto ditë do të zbardhet nëse janë apo nuk janë pjesë e bashkëpunimit. Zgjedhja është shumë e qartë: ose e çojmë vendin drejt stabilitetit institucional përmes bashkëpunimit, ose riciklohet kriza. Riciklimi i krizës nënkupton zgjedhje të tjera, të cilat ne po punojmë t’i parandalojmë. Qytetarët nuk e duan këtë. Ata kanë kërkuar që askush të mos sillet me arrogancë nëse ka marrë më shumë besim, por as të mos bëhet bllokues nëse ka marrë më pak besim”, tha Haziri.

LDK me deklaratë pas takimit me degët, merret ky vendim

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me një deklaratë pas mbledhjes së sotme të Kryesisë dhe degëve, që zgjati mbi tri orë dhe erdhi pas kërkesave për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga pozita e kryetarit të partisë.

Në këtë deklaratë thuhet se kolegjiumi i degëve “rikonfirmon mbështetjen e plotë për Kryetarin dhe Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në ushtrimin e përgjegjësive të tyre politike e statutore, në angazhimin për stabilitetin institucional të Republikës së Kosovës, si dhe në mbrojtjen dhe përfaqësimin e vlerave, parimeve dhe politikave të LDK-së në institucionet e vendit”, shkruan Reporteri.net.

“Rikonfirmon përkushtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të kontribuar në ndërtimin e institucioneve funksionale, në respektimin e rendit kushtetues dhe në ofrimin e zgjidhjeve që i shërbejnë interesit shtetëror dhe qytetar”, thuhet në deklaratë.

 

 

Aty thuhet se zgjedhjet e rregullta për të gjitha strukturat drejtuese të LDK-së do të mbahen gjatë vitit 2027, në përputhje me afatet statutore.

Deklarata e plotë:

Kolegjiumi i Degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i mbledhur sot në selinë qendrore të LDK-së, shqyrtoi zhvillimet politike në vend, rezultatin zgjedhor, gjendjen institucionale dhe angazhimin e LDK-së në këtë periudhë.

Pas diskutimeve, Kolegjiumi i Degëve:

Vlerëson lart angazhimin dhe punën e të gjitha strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se, brenda një periudhe relativisht të shkurtër nga zgjedhjet paraprake, LDK arriti rritje të mbështetjes qytetare. Kolegjiumi kërkon një analizë të plotë të rezultatit zgjedhor, me qëllim të nxjerrjes së mësimeve të nevojshme dhe identifikimit të mundësive për përmirësim të mëtejmë të organizimit dhe veprimit politik të LDK-së.

 

 

Rikonfirmon mbështetjen e plotë për Kryetarin dhe Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në ushtrimin e përgjegjësive të tyre politike e statutore, në angazhimin për stabilitetin institucional të Republikës së Kosovës, si dhe në mbrojtjen dhe përfaqësimin e vlerave, parimeve dhe politikave të LDK-së në institucionet e vendit.

Rikonfirmon përkushtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të kontribuar në ndërtimin e institucioneve funksionale, në respektimin e rendit kushtetues dhe në ofrimin e zgjidhjeve që i shërbejnë interesit shtetëror dhe qytetar.

Rithekson se çështjet e organizimit të brendshëm të LDK-së rregullohen nga Statuti i partisë dhe vendimet e organeve të saj legjitime. Zgjedhjet e rregullta për të gjitha strukturat drejtuese të LDK-së do të mbahen gjatë vitit 2027, në përputhje me afatet statutore.

Fton të gjitha strukturat, anëtarët dhe funksionarët e LDK-së që energjinë dhe angazhimin e tyre ta përqendrojnë në forcimin e mëtejmë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në ruajtjen e unitetit të saj dhe në përmbushjen e përgjegjësive që kemi ndaj qytetarëve dhe Republikës.

 

 

Kolegjiumi i Degëve rithekson se Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë së brendshme, respektimit të Statutit dhe vendimmarrjes institucionale. Me unitet, përgjegjësi dhe besim në projektin tonë politik, LDK do ta vazhdojë rrugëtimin e saj në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

 

Policia qëľloi “Mercedesin” me të cilin po iknin: Si u kapën autorët e sulmit në Gjermani?

Në një veturë të tipit “Mercedes”, policia arrestoi dy të dyshuarit për sulmin në Stade të Gjermanisë ku mbetën të vrarë pesë persona, pasi e detyroi automjetin të ndalonte duke qëlluar mbi gomë.

Ndërkohë, në institucionin e ndihmës për të rinjtë, pranë stacionit të policisë në Stade, aty ku ndodhi edhe rasti tragjik, siç raporton Bild, kanë mbërritur edhe shumë këshilltarë shpirtërorë.

Rrethanat e kësaj ngjarjeje të përgjakshme mbeten ende plotësisht të paqarta, ndërsa sipas policisë, aktualisht nuk ka asnjë rrezik për popullsinë, transmeton Klankosova.tv.

Këshilltari i bashkisë, Carsten Brokelmann, deklaroi në emër të administratës së qytetit: “Falënderoj punonjësit dhe punonjëset e policisë për angazhimin e tyre në këtë situatë të paqartë.”

Njëkohësisht, ai shprehu “ngushëllimet më të thella për viktimat e kësaj ngjarjeje të tmerrshme dhe për familjarët e tyre të mbetur pas”.

Për motivet e krimit, ai tha se për momentin nuk mund të thuhet ende asgjë. Megjithatë, ai shprehu besimin se ato do të sqarohen së shpejti.

Alarm i rremë në Shëngjin: Burri nga Kosova “i humbur në det” gjendet shëndoshë e mirë duke pirë kafe

Një rast i pazakontë është regjistruar të hënën në zonën turistike të Shëngjinit, ku një burrë nga Kosova u raportua fillimisht si i zhdukur dhe madje u dyshua se ishte mbytur në det.

Familjarët e tij kishin ngritur shqetësim pasi ai ishte larguar dhe nuk ishte kthyer për një kohë të gjatë, duke bërë që të njoftohen edhe autoritetet dhe të krijohet alarm për një ngjarje të mundshme tragjike.

Por situata mori një kthesë krejt tjetër, kur u konstatua se burri ishte shëndoshë e mirë dhe po kalonte kohën në një kafiteri lokale, duke pirë kafe dhe duke pushuar, pa qenë i vetëdijshëm për shqetësimin që kishte shkaktuar.

Pas sqarimit të situatës, ai është ribashkuar me familjen e tij, ndërsa rasti është mbyllur si një alarm i rremë që shkaktoi panik të panevojshëm.

‘Më mirë vetëm se me njeriun e gabuar’, Juli u përgjigjet kritikave për IVF

Ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Juliana Nura, ka reaguar ashpër për herë të parë pas valës së kritikave që mori në rrjet.

Shkak për këtë u bë vendimi i saj publik për t’iu nënshtruar procedurës IVF (fertilizim in vitro) me qëllim që të bëhet një nënë e vetme.

Në një promoncim të dhënë sot për Kosova Live në T7, ajo ka sqaruar pozicionin e saj duke iu përgjigjur të gjithë skeptikëve.

Juli ka theksuar se lumturia e një fëmije nuk varet nga klishe shoqërore, por nga gjendja e prindit që e rrit.

 

“Një fëmijë i lumtur është kur është një nënë e lumtur, që ia jep të gjitha gjërat për të cilat ka nevojë”, ka thënë ajo.

Edhe pse e pranon që figura e babait është e rëndësishme, Juli shtoi se në të ardhmen mund të vijë dikush në jetën e saj që bëhet një prind më i mirë për fëmijën sesa ndoshta ai biologjik.

Më tej, ajo u shpreh se ka raste të shumta kur prindërit biologjikë dështojnë në misionin e tyre.

“Kemi raste të ndryshme kur prindi biologjik nuk është i mirë. Kemi statistika që tregojnë se shpeshherë është më mirë vetëm, sesa me raste të gabuara”, u shpreh ajo, duke mbrojtur zgjedhjen e saj të vetëdijshme për të mos pritur partnerin e duhur vetëm për të plotësuar normat.

Sa i përket komenteve ku e akuzonin për “egoizëm”, Juli nuk i ka kursyer fjalët e ashpra duke bërë një dallim të prerë.

“Egoizëm është kur e lë fëmijën në bërllok, në spital apo në jetimore, e jo kur lufton për të qenë një nënë adekuate”, deklaroi ajo prerë, duke i konsideruar sulmet ndaj saj si të pabaza.

Me këtë deklaratë,ajo u është përgjigjur drejtpërdrejt edhe disa personazheve të njohura publike që reaguan hapur kundër vendimit të saj ditët e fundit, si Xheneta Fetahu dhe Valdrina. Përkundër mendimeve të tyre, Juli tregoi se është më se e vendosur për të ndjekur ëndrrën e saj të madhe për t’u bërë nënë.

Sonte ka festë për Elijonën dhe Klodin

Vetëm pak ditë pasi llogaria e tij në Instagram u mbyll, Klodi është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes. Ky rikthim nuk kishte si të kalonte pa u vënë re, teksa mbështetja më e madhe i ka ardhur nga partnerja e tij, Elijona.

Përmes një postimi të fundit në InstaStory, Elijona ka ndarë një foto mjaft të ëmbël krah Klodit, ku të dy shihen të buzëqeshur brenda një makine dhe duke bërë shenjën e fitores me duar.

Fotoja tregon qartë se dyshja është në një humor të shkëlqyer dhe gati për të festuar.

“Sonte kemi festë, Klodi është rikthyer”, ka shkruar Elijona mbi foto, duke konfirmuar zyrtarisht se Klodi ka rigjetur aksesin në profilin e tij në Instagram.

Duket se “drama” e llogarisë së mbyllur tashmë i përket së shkuarës dhe dyshja po shijon në maksimum çdo moment së bashku. /Prive By Liberta Spahiu

Tragjedia në Gjermani: Pesë personat u vr’anë te një qendër e të rinjve, dalin pamjet

Policia dhe ekipet e emergjencës janë angazhuar në një operacion të madh këtë të hënë në Stade të Gjermanisë, pasi organet e rendit konfirmuan se pesë persona u vranë  nga të shtënat me armë.

Sipas informacioneve të para nga policia dhe raportimeve të Bild, në zonën e rrugës Dankersstrase në Stade (Saksonia e Poshtme) janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Forcat e rendit kanë arrestuar dy persona të dyshuar, mes tyre edhe autorin e dyshuar të sulmit. Situata vazhdon të jetë dinamike.

“Ju lutemi, shmangni këtë zonë!”, ka njoftuar Drejtoria e Policisë së Luneburgut në platformën X, transmeton Klankosova.tv.

Rreth orës 13:45, policia konfirmoi se pesë persona kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave në qendrën e këtij qyteti hanseatik me rreth 50 mijë banorë. Sipas policisë, të gjithë viktimat janë të rritur, ndërsa disa persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Sipas informacioneve të gazetës BILD, vendi ku ndodhi ngjarja është një institucion i ndihmës për të rinjtë. Hetuesit kanë nisur sigurimin e provave në vendngjarje dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë mbeten ende plotësisht të paqarta.

Faza e parë me eliminim në Kupën e Botës – dihet cilat sfida mund t’i ndiqni në RTK

Faza e grupeve të Kupës së Botës në SHBA, Meksikë dhe Kanada ka përfunduar.

Të dielën ka nisur faza e eliminimit direkt, e cila, për shkak të zgjerimit të turneut në 48 ekipe, për herë të parë përmban edhe një raund të 1/16-ve të finales.

Pas ndeshjes së parë të zhvilluar të enjten (Afrikë e Jugut-Kanada), edhe 15 të tjera do të luhen nga e hëna deri të dielën.

Partnerët e transmetimit në Kosovë, TV Vala dhe RTK, tashmë kanë përcaktuar cilat sfida do t’i transmetojnë secila. TV Vala, e cila posedon të drejtën ekskluzive, i transmeton të gjitha takimet, ndërsa RTK-ja gjysmën.

Të hënën, Transmetuesi Publik do të transmetojë sfidën e parë të Brazilit me eliminim direkt, të cilën e zhvillon kundër Japonisë.

Më poshtë, gjeni cilat sfida mund t’i ndiqni pa pagesë në Radio Televizionin e Kosovës.

E hënë:

Brazil – Japoni (Ora 19:00, RTK, TV Vala)

Gjermani – Paraguaj (Ora 22:30, TV Vala)

E martë:

Holandë – Marok (Ora 03:00, RTK, TV Vala)

Bregu i Fildishtë – Norvegji (Ora 19:00, TV Vala)

Francë – Suedi (Ora 23:00, RTK, TV Vala)

E mërkurë:

Meksikë – Ekuador (Ora 03:00, TV Vala)

Angli – RD Kongo (Ora 18:00, RTK, TV Vala)

Belgjikë – Senegal (Ora 22:00, TV Vala)

E enjte:

ShBA – Bosnjë dhe Hercegovinë (Ora 02:00, RTK, TV Vala)

Spanjë – Austri (Ora 21:00, TV Vala)

E premte:

Portugali – Kroaci (Ora 01:00, RTK, TV Vala)

Zvicër – Algjeri (Ora 05:00, TV Vala)

Australi – Egjipt (Ora 20:00, RTK, TV Vala)

E shtunë:

Argjentinë – Kepi i Gjelbër (Ora 00:00, TV Vala)

Kolumbi – Ganë (Ora 03:30, RTK TV Vala)

Pas 25 vitesh bëhen bashkë protagonistët e telenovelës “Kassandra”

Një moment tejet nostalgjik dhe historik ka ndodhur për të gjithë adhuruesit e telenovelave latine.

Protagonistët e serialit kult “Kassandra”, Coraima Torres dhe Osvaldo Ríos, janë ritakuar zyrtarisht së bashku. Ky ribashkim i papritur ka thyer një heshtje të gjatë, pasi shënon herën e parë që dy aktorët ndajnë të njëjtën skenë publike në më shumë se 25 vite.

Telenovela e famshme nisi transmetimin e saj origjinal në vitet 1992-1993, duke u kthyer në një fenomen botëror që thyeu të gjitha rekordet e shikueshmërisë, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, Kosovën dhe Ballkanin në vitet ’90. Ritakimi i tyre vjen ekzaktësisht 34 vite pas fillimit të xhirimeve të këtij projekti që u kthye në një legjendë të ekranit televiziv.

 

Takimi i tyre ka ndodhur të shtunën, në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe. Shkak për këtë rikthim u bë ftesa e veçantë që dyshja mori për të marrë pjesë në edicionin e tretë të “Top Humanity Leaders Awards”, një ngjarje madhështore që bëri bashkë një nga dyshet më të dashura të ekranit.

Gjatë kësaj mbrëmjeje magjike, të dy yjet u nderuan me një vlerësim të veçantë në shenjë njohjeje për karrierat e tyre të jashtëzakonshme artistike dhe mesazhet e tyre humanitare. Fotot e tyre nga ky takim dëshmojnë se pavarësisht kohës që ka kaluar, kimia mes Osvaldo Ríos (Ignacio) dhe Coraima Torres (Kassandra) mbetet ende e palëkundur.