Rrahje mes vëllezërve, njëri përfundon në spital me brinjë të thyera, tjetri në pranga

Një konflikt familjar mes dy vëllezërve ka eskaluar në dhunë fizike në fshatin Grabanicë të Klinës, ku njëri prej tyre ka përfunduar në spital me dyshime për brinjë të thyera, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, ndërsa i dyshuar është F.B., 53 vjeçar, kurse viktimë vëllai i tij, B. B. 43 vjeçar.

Sipas burimeve, pas një fjalosjeje mes tyre në shtëpinë ku jetojnë, i dyshuari i kishte kërkuar vëllait të largohej. Viktima ka deklaruar se, për shkak të gjendjes së rënduar të vëllait, fillimisht kishte larguar nga shtëpia gruan dhe fëmijët e tij për të shmangur ndonjë incident.

Kur ishte kthyer, ai pretendon se është goditur me grusht në pjesën anësore të kraharorit dhe barkut, duke pësuar lëndime.

Fillimisht, 42-vjeçari është trajtuar në QKMF Klinë, por për shkak të dyshimeve për thyerje të brinjëve, është transferuar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim të mëtejshëm.

I dyshuari është arrestuar nga Policia dhe, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit janë në vazhdim.

E dhimbshme: Djali e gjen babanë pa shenja jete

Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e së dielës fshatin Restelicë të Dragashit, ku një burrë është gjetur pa shenja jete, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është M. H. 68-vjeçar.

Sipas informacioneve të para, rreth orës 17:40, Policia është njoftuar për një rast të dyshuar vetëvrasjeje në vendin e quajtur “Gropat e Bazdes”.

Trupi i pajetë i 68-vjeçarit është gjetur nga djali i tij, i cili ka tentuar t’i ofrojë ndihmën e parë, por pa sukses.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë kompetente policore, si dhe ekipi i QKMF-së në Dragash, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Për momentin, motivet e këtij akti nuk dihen, ndërsa rrethanat e plota do të sqarohen pas veprimeve hetimore.

Nëse ju ose dikush që njihni po përballet me mendime për vetëlëndim ose vetëvrasje, kërkimi i ndihmës nga familjarët, miqtë ose profesionistët e shëndetit mendor mund të jetë jetik. Nuk jeni vetëm.

E rëndë: Humb jetën një grua, dyshohet se ra nga kati i tretë bashkë me cilindrat metalikë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të shtunën në Shtime, ku një grua 46-vjeçare ka humbur jetën, pasi dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga kati i tretë i një ndërtese, raporton Sinjali.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Sipas Policisë, rasti është raportuar më 5 korrik 2026, rreth orës 18:50, kur autoritetet kanë pranuar informacion se një grua kishte rënë nga kati i tretë i një objekti në rrugën “12 Qershori” në Shtime.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku e kanë gjetur të lënduar 46-vjeçaren. Ekipi i Emergjencës së Shtimes e ka transportuar fillimisht për trajtim mjekësor në QKMF-Shtime, por rreth orës 19:20 Policia është njoftuar se ajo kishte ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori i shtetit, hetuesit dhe krimteknikët rajonalë, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.

Sipas hetimeve të para, dyshohet se viktima ka rënë aksidentalisht së bashku me shtyllat metalike (gilinderat). Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa rasti është duke u hetuar.