Në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, presidentja Osmani ka thënë se Maqedonia e Veriut ka shkelur çdo parim të së drejtës ndërkombëtare zakonore kur kanë kërkuar t’i kontrollohet çanta e telefoni.
Ajo tha se do të ishte rrezikim i sigurisë kombëtare nëse do të dorëzonte telefonin.
“Çka ndodhi me Maqedoninë që filloi me i shkelë të drejtat ndërkombëtare është pyetja. Kanë shkelur çdo parim të së drejtës ndërkombëtare zakonore sipas së cilës shefit të shtetit, presidentit të një republike, nuk i kontrollohet çanta, aq më pak telefoni. Përkundër kësaj, unë menjëherë e kam vendosur çantën në skaner se e pash që po dojnë me shkaktu problem dhe ata insistuan ta kenë telefonin dhe telefoni është mjet i punës, që komunikoj me institucione të sigurisë, edhe çështje të klasifikuara, natyrisht unë nuk e kam dorëzu sepse do të ishte rrezikim i sigurisë kombëtare i shtetit tim nëse do ta dorëzoja”- ka rrëfyer Osmani.
Ajo tha se Maqedonia e Veriut është përgjigjur duke shprehur keqardhje dhe duke thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë më.
“Ministria e Punëve të Jashtme ka dërgu notë proteste dhe me sa e kam pa Republika e Maqedonisë së Veriut ka kthy përgjigje që shprehin keqardhje se kjo nuk do të ndodhë më. Por është për keqardhje sa është përdorur kjo për arsye politike për të treguar urrejtje ekstreme ndaj shqiptarëve që është përkthye edhe në shumë kërcënime me jetë”- tha tutje Osmani.
Ajo u pyet nëse për ketë çështje e ka telefonuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Jo, në asnjë moment. Është pyetje qe mund t’ia bëni kryeministrit, por poshtërim i tillë shtetit të Kosovës nuk i është bërë asnjëherë”- u përgjigj ajo.
Në incidentin në Aeroportin e Shkupit që u raportua më 01.08.2024, pretendohet se sigurimi i Aeroportit ka tentuar të shtyjë fizikisht presidenten Osmani pasi që ajo nuk ka pranuar ta dorëzojë telefonin e saj, sipas Presidencës duke u bazuar në praktikat ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.
Autoritetet në Maqedoni të Veriut kanë ngritur kallëzim penal dhe kanë larguar nga puna policin S. S., shef i Departamentit të Sigurisë Personale pranë kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut në lidhje me rastin e incidentit. /KALLXO.com