Trotinetët ndalohen në shesh, policia me gjoba të ashpra
Policia e Kosovës ka intensifikuar kontrollet ndaj përdoruesve të trotineteve elektrike në kryeqytet, duke shqiptuar gjoba dhe sekuestruar mjetet për ata që kanë shkelur rregullat e trafikut.
Sipas Policisë, Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit është duke zbatuar një plan veprimi me fokus te trotinetet elektrike, në kuadër të angazhimeve për garantimin e rendit publik dhe sigurisë së qytetarëve.
Fillimisht, zyrtarët policorë kanë zhvilluar aktivitete vetëdijësuese gjatë patrullimeve dhe monitorimit, duke informuar përdoruesit e trotineteve elektrike dhe biçikletave se qarkullimi i tyre në sheshet e kryeqytetit është i ndaluar me sinjalizim rrugor.
Megjithatë, ndaj atyre që nuk kanë respektuar dispozitat ligjore janë ndërmarrë masa sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor. Policia njofton se shtatë drejtues të trotineteve elektrike janë gjobitur me nga 150 euro secili, ndërsa trotinetet e tyre janë sekuestruar.
Policia ka bërë të ditur se kontrollet dhe aktivitetet vetëdijësuese do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa ndaj çdo shkelësi do të zbatohen masat e parashikuara me ligj.
