div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="wp-singular post-template-default single single-post postid-37478 single-format-aside custom-background wp-custom-logo wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog">
Kosovarët u besojnë më së shumti SHBA-së, NATO-s, BE-së …edhe Turqisë

Gati gjysma e kosovarëve besojnë se vendi i tyre mund të bëhet anëtar i BE-së, brenda pesë vjetëve të ardhshme, 3 për qind e popullatës besojnë se kjo nuk do të ndodh kurrë, ndërsa 26 për qind besojnë se pengesë kryesore për integrim është mungesa e vullnetit politik në Kosovë.

Këto janë vetëm tri nga shumë të dhënat interesante që dolën nga gjetjet e sondazhit vjetor 2026 për Kosovën, mbi përceptimet ndaj Bashkimit Evropian, i realizuar në kuadër të programit WeBalkans.

Sipas këtyre matjeve, mbështetja për anëtarësimin e shteti më të ri në Ballkan, në BE mbetet e lartë, me 83 për qind të qytetarëve që deklarojnë se e përkrahin integrimin evropian të vendit, ndërsa 85 për qind besojnë se anëtarësimi do të sillte më shumë përparësi sesa mangësi.

Image

Sipas raportit, 68 për qind e qytetarëve thonë se ndihen të mirë-informuar ose disi të informuar për procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Derisa 48 për qind e të anketuarve besojnë se Kosova mund të bëhet anëtare e BE-së brenda pesë viteve të ardhshme, pjesa tjetër prej 32 për qind mendojnë se kjo do të ndodhë brenda periudhës prej pesë deri në 15 vjet. Vetëm 3 për qind vlerësojnë se Kosova nuk do të bëhet kurrë pjesë e Bashkimit Evropian.

Sondazhi tregon se përfitimi kryesor që qytetarët e lidhin me anëtarësimin në BE është përmirësimi i imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, i përmendur nga 49 për qind e të anketuarve. Pasojnë paqja dhe siguria për Kosovën dhe rajonin me 43 për qind, si dhe një e ardhme më e mirë për fëmijët me 42 për qind.

Image

Sa i përket pengesave kryesore për integrimin evropian, 40 për qind e qytetarëve konsiderojnë korrupsionin e përhapur si sfidën më të madhe. Më pas renditen mungesa e interesit të BE-së për ta pasur Kosovën anëtare me 27 për qind dhe mungesa e vullnetit politik në Kosovë me 26 për qind.

Raporti evidenton gjithashtu nivel të lartë besimi ndaj Bashkimit Evropian. Rreth 83 për qind e qytetarëve deklarojnë se i besojnë BE-së, ndërsa 64 për qind kanë një imazh pozitiv për unionin evropian.

Lidhur me mbështetjen financiare, 97 për qind e qytetarëve janë të vetëdijshëm se Bashkimi Evropian financon projekte në Kosovë, ndërsa 65 për qind e konsiderojnë këtë mbështetje efektive.

Sipas të anketuarve, fushat ku BE-ja duhet të luajë rol më të madh në Kosovë janë zhvillimi ekonomik dhe tregtia, sistemi shëndetësor, si dhe lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i sundimit të ligjit.

ShBA-ja dhe NATO mbeten institucionet më të besuara në Kosovë, sipas një sondazhi të publikuar në kuadër të programit WeBalkans për vitin 2026.

Sipas të dhënave, 88 për qind e qytetarëve deklarojnë se kanë besim te Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe po aq te NATO, duke i renditur ato në krye të listës së institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë më të besueshëm për Kosovën.

Në vendin e tretë renditet Bashkimi Evropian, ndaj të cilit besim shprehin 83 për qind e qytetarëve. Pasojnë Banka Botërore me 82 për qind dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) me 80 për qind.

Në këtë listë është futur edhe Turqia, e cila gëzon besimin e 78 për qind të kosovarëve të anketuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *