Vdes babai i Albulena Haxhiut

Ka vdekur babai i U.D së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiut.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Haxhiu, e cila me çrast shprehu dashuri e mirënjohje për figurën e të ndjerit.

Teksa tregoi për lidhjen e fortë që kishte me të atin, Haxhiu tha se prezenca e tij do t’i mungojë përherë.

“Me zemër të thyer e dhimbje të thellë, njoftoj për ndarjen nga jeta të babit.

Ai ishte shtylla jonë më e fortë, mbështetësi im më i madh, njeriu që na mësoi respektin për të tjerët dhe që, me dashuri të pastër, dinte të na mbante gjithmonë të bashkuar.

Do të dua përherë dhe nuk do të harroj kurrë, babë. Do të më mungosh shumë”, thuhet në njoftim.

Ky është i riu që qëlloi me armë të dashurën në barnatore dhe më pas vrau veten

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Ferizaj, ku një i ri ka plagosur me armë zjarri një vajzë dhe më pas ka qëlluar veten.

Bëhet fjalë për Valon Krasniqin, rreth 32-vjeçar, i cili dyshohet se ka shtënë ndaj L. U., rreth 24-vjeçare në një barnatore në rrugën “Driton Islami”.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, kur viktima kishte hyrë në barnatore dhe kishte kërkuar ndihmë nga stafi, duke njoftuar se personi që ishte me të kishte armë.

Pak më pas, i dyshuari kishte hyrë brenda dhe kishte tentuar ta marrë me forcë viktimën, por pasi ajo kishte refuzuar, ai kishte dalë jashtë, kishte marrë armën nga vetura dhe kishte shtënë në drejtim të saj.

Viktima ishte plagosur në këmbë dhe kishte arritur të strehohej në depon e barnatores, mirëpo i dyshuari e kishte ndjekur dhe kishte shtënë edhe një herë në drejtim të saj.

Menjëherë pas kësaj, ai kishte qëlluar veten në kokë me të njëjtën armë.

Të dy janë dërguar në emergjencë dhe më pas në QKUK në Prishtinë, ku sipas mjekëve, viktima është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa i dyshuari ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur arma e përdorur, gëzhoja dhe prova të tjera materiale, ndërsa rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.

Hetimet janë në vazhdim.

Plagosen një burrë dhe një grua në Ferizaj

Dy persona, një burrë dhe një grua, kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë këtë të premte në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj.

Të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj, njofton Dukagjini.

Rastin për Dukagjinin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Me datën 10.04.2026, rreth orës 22:00, kemi pranuar një informatë se në rrugën “Driton Islami”, në afërsi të rreth-rrotullimit, ka pasur të shtëna me armë zjarri. Sipas informatave të para, dyshohet se dy persona janë plagosur, të cilët janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim mjekësor. Për detaje të tjera do të njoftoheni me raport vijues”, ka Veseli.

Të shtëna me armë, plagosen dy persona

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur sot, rreth orës 22:00 në rrugën “Driton Islami”, në afërsi të rreth-rrotullimit në Ferizaj.

Rastin e ka konfirmuar për Sinjalin, Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Ferizajit, i cili bëri të ditur se dyshohet se dy persona janë plagosur, të cilët janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim mjekësor.

“Si rasti i Maduros”-Deputeti i VV-së flet për rrezikun, që sipas tij, i kanoset Kurtit nga Serbia

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, ka arsyetuar përdorimin e automjeteve të blinduara nga kryeministri Albin Kurti, duke thënë se të parit të qeverisë i kanosen rreziqe të shumta, sidomos prej Serbisë.

Sipas Azemit, Kurti është një nga figurat më të rrezikuara shtetërore.

“Kryeministri Kurti është një nga figurat më të rrezikuara shtetërore, sidomos nga Serbia. Dhe e vlerësoj si të frikshme këtë debat që po përmendet javëve të fundit. Vetëm tri javë më herët, zyrtarë shumë të lartë shtetërorë serbë kanë paralajmëru dhe kanë legjitimu ndërhyrjen edhe ushtarake edhe policore, njësoj si ka vepru Trumpi, duke iu referu arrestimit të Nicolás Maduro në Venezuelë. Të njëjtit kanë deklaru se mbase edhe Serbia duhet t’i shqyrtoj këto mundësi për operacione të tilla. E në këso situata, kur ka kërcënime publike, mund të ketë edhe veprime të tilla”, ka deklaruar ai.

Thaçi nga Haga: Përulem para popullit të Kosovës, ndihem i përmbushur në karrierën politike

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi së fundi ka dhënë një intervistë për gazetën e njohur gjermane, FAZ. Ai aty flet për vdekjen e babait të tij, politikën në Kosovë, procesin gjyqësor e shumë të tjera.

Një prej pyetjeve të para që iu bë Thaçit në këtë intervistë, ka të bëjë me rikthimin e tij të mundshëm në politikë, nëse shpallet i pafajshëm.

Ish-presidenti u shpreh se garën politike e sheh pas vetës, por jo edhe jetën politike. Ai ka shtuar se do të vazhdojë t’i shërbejë publikut, por se ndihet i përmbushur në karrierën politike.

Ju pyesni nëse jeta ime politike ka përfunduar. E shoh garën politike pas vetes, por jo jetën time politike. Si qytetar i lirë i Kosovës do të vazhdoj t’i shërbej publikut dhe shtetit edhe në të ardhmen. Përulem paa popullit të Kosovës që më ka dhënë besim, respekt dhe mbështetje për dy dekada. Shpreh mirënjohje të thellë edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë që bashkëpunuan me mua për të realizuar vullnetin e qytetarëve për liri dhe pavarësi. Ndihem i përmbushur në karrierën time politike”, tha ai.

Ish-kreu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës foli edhe për vdekjen e babait të tij, duke thënë se fakti që nuk mori pjesë në varrim, e ka lënduar thellë.

I vlerësoj shumë fjalët tuaja të mira për vdekjen e babait tim. Ishte një humbje e madhe për familjen time dhe për mua personalisht. Tani ndodhem në vitin e gjashtë të paraburgimit dhe ende pres një vendim gjykate. Fakti që nuk munda të marr pjesë në varrimin e babait tim dhe t’i jap lamtumirën e fundit më ka lënduar thellë, një dhimbje që do ta mbaj gjithë jetën”.

Thaçi foli edhe për dëshminë e gjeneralit Wesley Clark:

Unë mbështes plotësisht argumentet e ekipit tim mbrojtës. Dhomat e Specializuara të Kosovës janë mekanizmi i katërt ndërkombëtar pas ICTY, UNMIK dhe EULEX. Secili prej këtyre mekanizmave ka hetuar ngjarjet e viteve 1998–1999 dhe ka nxjerrë përfundime për përgjegjësitë. Qëllimi i krijimit të kësaj gjykate ishte hetimi i pretendimeve të raportit të Dick Marty-t, veçanërisht për trafikim organesh – pretendime të ngritura nga përfaqësues rusë në Këshillin e Evropës. Por në aktakuzën tonë nuk ka asnjë referencë për këto akuza. Ato rezultuan të pavërteta. Edhe gjeneral Clark i cilësoi si dezinformim rus. Shpresojmë që ky proces të sjellë të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin”.

Irani vendos kushte: Bisedimet nuk fillojnë pa u plotësuar dy kërkesa

Negociatat me Shtetet e Bashkuara nuk mund të fillojnë derisa Washingtoni të përmbushë dy kushte kryesore, sipas kryetarit të parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, për të cilin disa media iraniane thonë se pritet të udhëheqë delegacionin e Teheranit gjatë bisedimeve të fundjavës në Pakistan.

Ghalibaf tha se një armëpushim në Liban dhe lirimi i aseteve të bllokuara të Iranit duhet të përmbushen përpara se të fillojnë negociatat.

Kërkesa për lirimin e aseteve të bllokuara ka qenë një çështje e përsëritur në negociatat e kaluara, por kjo është hera e parë që është ngritur si parakusht për bisedimet e ardhshme të armëpushimit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, shpesh përdor rrjetet sociale për të njoftuar ndryshime në politika, për të bërë deklarata, dhe – herë pas here, siç bëri më parë këtë javë – për të kërcënuar me shkatërrimin e një qytetërimi të tërë.

Postimi i fundit nga presidenti amerikan vjen në prag të bisedimeve të paqes midis delegacioneve amerikane dhe iraniane në Pakistan.

Duke ia lënë më shumë imagjinatës, aty thjesht shkruhet: “Fillimi më i fuqishëm në botë”.

“Me ligjin e ri, pensionistëve u zvogëlohet pensioni për 3.5%”

Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në seancën e sotme parlamentare, ka thënë se me ligjin e ri, pensionistëve do u zvogëlohet pensioni për 3.5%.

Ajo ka pyetur qeverinë edhe se, cilat barna, pensionistët do i marrin pa pagesë.

‘’Një lajm shumë i keq për pensionistët, sepse po flitet që, qeveria u ndanë nga 100 euro e tjera e kemi pa ia u ndanë në kohë zgjedhjeve, sipas ligjit të cilin e keni sjellë këtu, pensionistët kanë me nda 3.5 % prej pensionit të tyre dhe qeveria nuk ndan fare për ta.

Pra, pensionistëve u zvogëlohet pensioni për 3.5%, mirëpo sot askush nuk qe në gjendje me ju tregu pensionistëve se cilat barna ata do i marrin pa pagesë. Se atyne sot, krejt pensioni në barna ju shkon, shumicës prej tyre ju shkon në barna’’, ka thënë ajo.

Vdes miku i madh i Kosovës, Eliot Engel

Ka vdekur ish-kongresisti amerikan, Eliot Engel, i njohur si një prej mbështetësve të fuqishëm të Kosovës në periudhën para dhe pas luftës.

Lajmin e ka bërë të ditur në seancën e Kuvendit kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, shkruan Gazeta Onlien Reporteri.net.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të kongresmenit Eliot Engel, një miku të madh të shqiptarëve që e ka ndihmuar Republikën e Kosovës para luftës, një mbështetës i madh i Kosovës, figurë e shquar për demokracinë dhe paqen. Ju ftoj për një minutë heshtje”, tha Haxhiu.

Lajm i mirë për qytetarët – rryma nuk shtrenjtohet sivjet

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar që për sivjet të mos ketë shtrenjtim të energjisë elektrike.

Në një njoftim për media, ZRRE-ja ka njoftuar për publikimin e raporteve konsultative për të hyrat e lejuara maksimale për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS), dhe Furnizuesin e Shërbimit Universal (KESCO).

Në njoftim thuhet se ZRRE-ja ka propozuar që të shmanget ndikimi i menjëhershëm dhe që kjo të shpërndahet në më shumë se një periudhë tarifore, nëpërmjet një mekanizmi të profilizimit të kostove.

“Ky mekanizëm parasheh që një pjesë e kostove të rritura të furnizimit të shpërndahet në më shumë se një periudhë tarifore, me qëllim zbutjen e ndikimit në tarifa për një vit të vetëm. Ky trajtim nuk përfaqëson ulje reale të kostove, por një shpërndarje të tyre në kohë, duke kontribuar në stabilitetin e furnizimit dhe përballueshmërinë për konsumatorët. Pra ZRRE propozon që për këtë vit relevant tarifor të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët e shërbimit universal”, thuhet në njoftim.