Specialja merr vendim për Thaçin

Në rastin ku Hashim Thaçit së bashku me Bashkim Smakajn, Fadil Falziun, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, Thaçit i është vazhduar paraburgimi.

Vendim është marrë më 3 shkurt 2026 nga gjyqtari i vetëm në këtë rast, Christoph Gosnell, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në këtë vendim, është konstatuar se ekziston rreziku real që në rast që ai lirohet, mund të pengojë ecurinë e procesit dhe të kryejë vepra të tjera penale.

Ndryshe, fillimi i gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smkajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, është caktuar për 27 shkurt 2026.

Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës./BetimipërDrejtësi

Familja shqiptare në Itali u shua nga monoksidi i karbonit, këta janë viktimat

Mediat italiane kanë zbardhur të tjera detaje në lidhje me tragjedinë e rëndë të ndodhur në Itali, ku 4 anëtarë të një familje shqiptare humbën jetën si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit në banesën e tyre në zonën e Luccës.

Viktimat janë babai Arti Kola, 48 vjeç, nëna Jonida Kola, 43 vjeçe, si dhe dy fëmijët e tyre, djali Hadjar Kola, 22 vjeç, dhe vajza Xhesika Kola, 15 vjeçe, raporton A2CNN.

Gjatë ndërhyrjes janë helmuar lehtë edhe dy efektivë të policisë që hynë në banesë për të dhënë ndihmën e parë, por ata janë jashtë rrezikut për jetën.

Kjo është gjendja shëndetësore e të plag*osurit në Gjilan

40-vjeçari Arsim Krasniqi, i cili mbeti i plagosur mbrëmë nga të shtënat me armë zjarri në afërsi të një pike karburanti në rrugën Gjilan-Kamenicë, i ishte  nënshtruar  ndërhyrjes kirurgjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas burimeve të gazetare­s Arbreshë Uka, ai fillimisht është pranuar në Qendrën Emergjente, ku më pas është dërguar në sallën e operacionit. Në ndërhyrje kanë qenë të përfshira ekipet e Ortopedisë, Kirurgjisë Vaskulare dhe Anestezionit.

Të njëjtat burime, bëjnë të ditur se operacioni ka përfunduar dhe i plagosuri ka dalë nga salla e operacionit.

Aktualisht, ai është transferuar për trajtim të mëtejmë në Njësinë e Mjekimit Intensiv Qendror (MIQ), ku po vazhdon mbikëqyrja mjekësore.

Katër anëtarë të një familje shqiptare humbin jetën në Itali, ky është shkaku

Katër anëtarë të një familje, të dyshuar si shqiptarë, kanë humbur jetën nga helmimi me monoksid karboni në një shtëpi në Rughi, një qytet në provincën e Luccës në Itali.

Tragjedia ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, kur të gjithë anëtarët e familjes u gjetën të vdekur nga helmimi i shkaktuar nga një shpërthim i monoksidit të karbonit.

Sipas raportimeve të Tgcom24. po hetohet për të zbuluar më shumë detaje mbi ngjarjen, teksa emrat e viktimave nuk janë zbuluar ende nga autoritetet.

Alarmi u dha nga një i afërm i familjes, kur ai nuk mundi të kontaktonte asnjë prej anëtarëve.

Kur shërbimet e urgjencës mbërritën në shtëpi, ata njoftuan se ishin katër viktima dhe një person në gjendje kritike.

Makina e shpëtimit nga Lucca, ambulancat, si dhe shërbimet e zjarrfikësve, reaguan menjëherë, duke hyre në shtëpi për të shpëtuar ata që mund të ishin ende të gjallë.

“Familja e viktimave dyshohet të jetë me origjinë të huaj, me shumë mundësi nga Shqipëria”.

Ky është zyrtari i Doganës që u gjet i vdekur në banesën e tij

Një ngjarje e rëndë është regjistruar dje në Prizren, ku një person është gjetur pa shenja jete brenda banesës së tij.

Rreth orës 11:30 të datës 4 shkurt 2026, Policia ka pranuar informatën se në rrugën “Alush Kryeziu” ndodhej një person mashkull pa shenja jete. Lajmi fillimisht është konfirmuar nga njësiti i emergjencës, i cili kishte dalë në vendin e ngjarjes.

Patrulla policore, së bashku me mbikëqyrësin përkatës, kanë dalë menjëherë në lokacion, ku është konstatuar vdekja e Enis Thaçi rreth 52 vjeç, i cili është gjetur pa shenja jete në banesën e tij.

Burime bëjnë me dije se viktima ishte punonjës i Doganës së Kosovës, për çka është njoftuar edhe institucioni përkatës.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e hetimeve të stacionit policor, hetimet rajonale si dhe është kontaktuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit “Hetimi i vdekjes”.

Pas procedurave fillestare, trupi i pajetë i është dorëzuar familjarëve.

Rrethanat e sakta të vdekjes mbeten ende të paqarta, ndërsa organet kompetente janë duke vazhduar hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

Tragjedi në Rahovec – një person gjendet pa shenja jete në një shtëpi, trupi dërgohen për obduksion

Një ngjarje tragjike ka ndodhur dje në Rahovec.

Një i moshuar raportohet të jetë gjetur pa shenja jete, në një banesë në rrugën “Halil Hamza”.

Sipas mediave rasti është raportuar në polici nga një familjar, i cili ka njoftuar se gjatë vizitës tek kushëriri i tij, i cili jetonte i vetëm, e ka gjetur të shtrirë në tokë viktimën.

IndeksOnline ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe do t’iu mbajë të informuar mbi rastin.

Vdes mësuesja e njohur, u nda nga jeta në ditëlindjen e saj

Mitrovica ka humbur sot një prej mësimdhënëseve të saj, Sebahate Halili-Peci.

Lajmi për ndarjen e saj nga jeta ka pikëlluar familjarë, kolegë, nxënës dhe qytetarë të shumtë, të cilët e njohën dhe e vlerësuan për përkushtimin e saj në arsim.

E ndjera u nda nga jeta në një ditë simbolike – në ditëlindjen e saj – duke e bërë këtë humbje edhe më të rëndë për të afërmit dhe të gjithë ata që e deshën.
Sebahate Halili-Peci do të kujtohet si një mësimdhënëse e përkushtuar, e dashur dhe e respektuar, e cila për vite me radhë kontribuoi në edukimin dhe formimin e gjeneratave të reja në Mitrovicë.

‘Një kilogram mish në Kosovë kushton rreth 14 euro ndërsa në Gjermani vetëm 7 euro’

Eksperti i ekonomisë Jakup Bellaqa ka folur për dallimin e madh të çmimeve mes Kosovës dhe Gjermanisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, çmimet e produkteve bazë në Kosovë janë dukshëm më të larta, duke përmendur se një kilogram mish në Kosovë kushton rreth 14 euro, ndërsa në Gjermani vetëm 7 euro.

“1 kg mish në Kosovë 14 euro derisa në Gjermani 7 euro”, ka theksuar ai.

Ai thekson se kjo diferencë e çmimeve nuk përputhet me nivelin e pagave dhe fuqinë blerëse të qytetarëve në Kosovë.

Kurti tregon se kur pritet konstituimi i institucioneve

Kryeministri në detyrë Albin Kurti nga Podujeva ka thënë se kabineti qeveritar i tij do t’i ketë emrat pothuajse ata emra që i kishte prezantuar vet ai si mandatar për kryeministër dhe Glauk Konjufca por që nuk morën votat e mjaftueshme.

Ai foli edhe për çështjen e postit të presidentit apo presidentes për çka shprehet optimist se do të ecën mirë si proces.

Kurti ka përmendur rëndësinë që sa më shpejtë të formohen institucionet e vendit në mënyrë që Kuvendi t’i miratojë edhe marrëveshjet ndërkombëtare me Bankën Botërore, Planin e Rritjes me Bashkimin Evropian por edhe buxhetin e Kosovës, e për këtë të fundit thekson se nuk mund të vazhdohet me 1/12 edhe në muajin mars.

“Do të ketë shumë prej emrave që tashmë i kam prezantuar unë dhe Glauk Konjufca vjeshtën e vitit të kaluar, mirëpo nuk do të jenë identikë. Do të ketë edhe emra të tjerë. Ne po përgatitemi që së pari ta konstituojmë Kuvendin dhe sa më shpejt ta formojmë qeverinë, sepse, siç e dini, kemi tri marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore dhe njëkohësisht e kemi edhe planin e rritjes me Bashkimin Evropian, që është 882.6 milionë euro dhe që duhet sa më parë ta miratojmë në Kuvendin e Republikës, pa harruar që kemi më së shumti përgjegjësi, obligim, por do të thosha edhe preferencë, e ky është buxheti për vitin 2026. Ju e dini që me 1/12 qeveria në detyrë mund të vazhdojë veç edhe për muajin shkurt, për muajin mars nuk mund të vazhdohet kësisoj. Andaj, në muajin shkurt duhet ta kemi të përmbyllur edhe çështjen e buxhetit”, tha Kurti.

E për postin e presidentes apo presidentit i tha se fillimisht duhet të kryhen tri cështjet e lartcekura.

“Njëherë këto tre hapa do t’i përmbyllim, pastaj edhe te hapi i katërt do të ecim mbarë e mirë”, tha ai./EO

Rizvanolli kërkon sakrificë: Blloqet duhet të ndalen për disa muaj, importi i rrymës pritet të jetë i lartë

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se këtë vit por edhe vitin e ardhshëm Kosova do të kalojë periudhë sfiduese me energjinë elektrike për shkak se blloqet duhet të ndalen. Kjo sepse, sipas saj, po investohet në modernizim dhe rehabilitim të termocentraleve. 

Derisa ka folur për kërkesën e KESCO-s për rritje të çmimit të rrymës, Rizvanolli ka theksuar se edhe pse ende nuk ka një vendim për këtë çështje, disa zhvillime në sektorin e energjisë mund të kenë pasoja në atë aspekt.

Ajo ka paralajmëruar import të lartë të energjisë elektrike edhe këtë vit.

“Së pari duhet theksuar se lajmi që është publikuar ka të bëjë me kërkesën e furnizuesit dhe operatoreve të tjerë, por nuk ka një vendim ende. Ndërsa duhet pasur parasysh disa zhvillime që janë objektive në sektor të energjisë që do të mund të kenë pasoja në këtë aspekt. Në Korporatën Energjetike të Kosovës vitin e kaluar kanë filluar investime në modernizim dhe rehabilitim që nuk janë bërë për 40 vjet. Kjo do të thotë që për këto vite, vjet, sivjet dhe vitin e ardhshëm ne do të kalojmë një periudhë sfiduese, sepse blloqet duhet të ndalen, është e domosdoshme të ndalen për një kohë për disa muaj, në mënyrë që investimet të realizohen. Kjo është një sakrificë që duhet të bëjmë ne, për ne dhe gjeneratat e ardhshme”, ka thënë ajo gjatë ceremonisë së përurimit të investimeve në efiçiencë të energjisë në Shkollën e Mesme Ekonomike ‘Isa Boletini’ në Podujevë.

Rizvanolli ka shtuar se investimi në KEK ka qenë edhe arsyeja pse më 2025 “është dashur të importojmë më shumë, pra, ka arsyeje objektive pse importi është rritur, pse importi pritet të jetë i lartë edhe gjatë këtij viti, mirëpo edhe gjatë vitit të ardhshëm”.

KESCO ka bërë kërkesë tek Zyra e Rregullatorit për Energji për rritjen e tarifave për 21 për qind.