div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-29 category-paged-29 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Kurti sulmon rëndë mediat: “Para me thasë – argat të armiqve tanë”

Kryeministri Albin Kurti ka lëshuar sulme të rënda ndaj mediave në përgjithësime duke u thirrur në “raportimet për para me thasë” të kryeredaktorit të Kallxo.com, Kreshnik Gashi, i cili i referohej dosjes së Prokurorisë për rastin e Fatmir Shehollit.

Kurti tha se këto “manipulime po vinë nga armiqtë tanë dhe po gjejnë argat brenda vendit tonë.”

“Fjala e thënë duhet të jetë e lirë. Por fjala s’është e lirë nëse e kapur për raportimet për thasë parash, ato janë kërcënim i drjetpërdrejtë për integritetin. Paraja blen ndikim, orienton narrativë, dhe në fund deformon opinionin e qytetarit. Ky manipulim po vjen direkt nga armiqt tanë, dhe po gjejnë argat brenda vendit tonë. Pavarësia s’mund të ndërtohet mbi fshehtësi që financojnë shpifjen. Liria editoriale duhet të pasqyrohet me transparencë të plotë për pronësi. Nëse secili biznes tjetër jep përgjegjësi për financat e tij, mediat duhet të jenë në të njëjtin nivel. Nëse në diktaturat e dikurshme kontrolloheshin rezultatet, sot nga oligarkia ka mundësi të kontrollojë premisat,” tha Kurti.

‘Zbulohet’ plani i LVV-së për çështjen e presidentit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është deklaruar para fillimit të seancës për çështjen e presidentit.

Ai, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka një plan në kohë, duke shtuar se po dëshirojnë që ushtruese detyre e presidentit të jetë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

“Duket që në VV e kanë një plan në kohë. Ata po dojnë që kryetarja e Kuvendit të jetë ushtruese detyre e presidentit…. Çdo gjë fillon kur kemi ushtrues detyre të presidentit të ri e pastaj me fillua ndonjë bisedë ose ndonjë konsulltë…Nuk kemi asnjë zhvillim, shihet qartë që ka të bëj me kohën, po pritet 5 prilli me qenë ushtruese detyre znj.Haxhiu”,ka thënë Haradinaj./EO

Guxo mbetet pa një aset të fuqishëm, jep dorëheqje Viktor Buzhala

Tre muaj pas aderimit në partinë Guxo, ku u prezantua me bujë, gazetari Viktor Buzhala e ka braktisur subjektin me dy kryetarë. Ai ka njoftuar arsyet e dorëheqjes përmes një letre publike.

Viktor Buzhala, ish kandidat për deputet në listën e Lëvizjes Vetëvendosje nga partia Guxo, ka njoftuar se ka vendosur të largohet nga kjo parti.

Përmes një deklarimi publik, Buzhala ka bërë të ditur se arsyeja kryesore e largimit është mungesa e angazhimit dhe e mundësisë për të kontribuar në kuadër të partisë.

“Kam vendosur të largohem nga partia Guxo. Nuk më mjafton, as nuk më plotëson të qenurit vetëm anëtar i thjeshtë i një partie politike,” ka thënë ai.

Gazetari i afërt me pushtetin Viktor Buzhala e ka braktisur partinë Guxo, vetëm afër tre muaj pas aderimit me bujë në subjektin e bashkë-kryetarëve Faton Peci e Donika Gërvalla.

Mungesa e mundësisë për të kontribuuar në politikë është listuar si një prej disa arsyeve të dorëheqjes, ka bërë të ditur ai në një letër publike të enjten.

“Të nderuar, kam vendosur të largohem nga partia Guxo. Nuk më mjafton, as nuk më ploteson të qenurit vetëm anëtar i thjeshtë i një partie politike”, ka thënë ai. “Për të hyrë në politikë, më është dashur të sakrifikoj shumë në aspektin personal. Qëllimi i vetëm ishte të kontriboja. Deri tash, nuk mu dha ajo mundësi”.

Ish-zëdhënësi i Kompanisë së Rrjetit dhe Distribucionit të Energjisë (KEDS) është shprehur i zhgënjyer që nuk i është ofruar post në ekzekutiv.

“Siç e dini unë nuk arrita të bëhem deputet, nuk jam pjesë e asnjë dikasteri qeveritar apo institucional, sikurse nuk jam pjesë e asnjë strukture të Guxo, pra nuk më është dhënë apo ofruar asnjë pergjegjësi aty”, ka shprehur zhgënjimin Buzhala.

“E kjo situate, ku unë mbetem totalisht i paangazhuar, duke konsideruar që mundesia për të kontribuar nga kçëndi i anëtarit të thjeshtë të një partie është zero, bie ndesh totalisht me atë per cka unë jam angazhuar në politikë”.

Tarifat e reja të rrymës hyjnë në fuqi më 1 maj

Tarifat e reja të energjisë elektrike të parapara të hyjnë në fuqi më 1 prill, pritet të shtyhen deri më 1 maj, ka bërë të ditur kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu.

“Tarifat aktuale të energjisë elektrike do të mbesin në fuqi gjatë muajit prill, ndërsa tarifat e reja pritet të hyjnë në fuqi më 1 maj”, tha Fejzullahu për Radion Evropa e Lirë.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe përcaktimin vjetor të tarifave të energjisë elektrike, të cilat zakonisht shpallen më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Tre operatorët energjetikë në Kosovë, në muajin janar të këtij viti kanë kërkuar rritjen e tarifave të rrymës për vitin 2026.

Rritja e çmimit të rrymës është kërkuar nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).

KESCO ka kërkuar rritje mbi 20 për qind të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, por nga ZRRE-ja thanë se ende nuk ka ndonjë shifër se sa do të jetë përqindja e rritjes së çmimit.

Për rritjen e kësaj përqindjeje, KESCO është thirrur në sasinë e madhe të importit të energjisë elektrike.

Po ashtu, Korporata Energjetike e Kosovës, (KEK), thuhet në aplikim, ka paraparë vazhdimin e projekteve të rehabilitimit të njësive gjeneruese, kësaj radhe në termocentralin Kosova B, njësia B1, me një kohëzgjatje të planifikuar prej rreth tetë muajsh, krahasuar me pesë muaj më 2025 për njësinë B2.

Kjo situatë sipas KESCO-s pritet që të kufizojë edhe prodhimin vendor dhe të rrisë varësinë nga importi.

Arsye tjetër në dokument përmendet edhe rritja e pagës minimale nga Qeveria e Kosovës.

Zyrtarë të ZRRE-së, në janar të këtij viti, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se “kërkesat do t’iu nënshtrohen shqyrtimit dhe se do të aprovohen vetëm kostot që vlerësohen si të arsyeshme”.

Sipas aplikimit të dorëzuar në ZRRE, KESCO ka kërkuar që të hyrat e lejuara maksimale për vitin e ardhshëm të jenë 528.78 milionë euro.

Vitin e kaluar, KESCO kishte kërkuar të hyra të lejuara maksimale rreth 448 milionë euro, ndërsa ZRRE-ja kishte aprovuar rreth 436 milionë euro.

Ndërkaq, KEDS-i ka kërkuar 235 milionë euro apo 21 milionë euro më shumë se sa kërkesa fillestare e vitit të kaluar që ishte 214 milionë euro. Ndërsa, vitin e kaluar, ZRRE-ja i kishte aprovuar këto të hyra në vlerën prej 180.653 milionë euro.

Kurse kërkesa e KOSTT-it, që tha se synon të ofrojë shërbime më cilësore për konsumatorët, është mbi 99 milionë euro, nga rreth 102 milionë euro sa ishte vitin e kaluar. Vitin paraprak, ZRRE-ja kishte aprovuar këto të hyra në vlerën prej 88 milionë euro.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Sipas tarifave aktuale, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovat.

Kurse tarifat e lira që shfrytëzohen gjatë natës nga ora 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit, konsumatorët për një kilovat paguajnë 3.88 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë.

Ndërkaq, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë paguajnë 7.28 centë për kilovat.

Rekord rritja e çmimit të naftës në Kosovë

Rritja e çmimit të naftës në Kosovë gjatë dy javëve të fundit ka qenë e ndjeshme, duke arritur sot deri në 1.82 euro për litër.

Ky nivel i lartë po ndikon drejtpërdrejt në buxhetin e qytetarëve, duke rritur kostot e përditshme.

Si një vend që varet kryesisht nga importi, Kosova mbetet e ekspozuar ndaj luhatjeve në tregjet ndërkombëtare. Zhvillimet globale, veçanërisht tensionet në Lindjen e Mesme, reflektohen shpejt në çmimet vendore.

Për qytetarët, këto dinamika përkthehen në shpenzime më të larta në jetën e përditshme. Ndërkohë, ekspertë të ekonomisë kanë propozuar që, si masë lehtësuese, të pezullohet përkohësisht akciza për disa ditë.

Kushtetuesja rrëzon kërkesën e PDK-së

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka njoftuar se Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të papranueshme kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) lidhur me vendimet e dy shkallëve të gjyqësorit për vendimin e saj që i detyron 1300 biznese që të dalin në treg të hapur.

Në njoftimin e ZRRE-së thuhet se ky vendim konfirmon ligjshmërinë e vendimeve të ZRRE-së dhe të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë.

“ZRRE-ja vazhdon zbatimin e plotë të procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, në përputhje të plotë me Ligjin nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike dhe aktet nënligjore përkatëse. Qëllimi i këtij procesi është krijimi i një tregu konkurrues, transparent dhe efikas, në interes të të gjithë konsumatorëve”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

ZRRE-ja në mars të vitit të kaluar pati njoftuar se nga 1 qershori i vitit 2025 rreth 1300 biznese do të dalin në treg të lirë të energjisë, duke detyruar që vet të zgjedhin një nga furnizuesit e licencuar nga ky institucion. Vendimi u pat atakuar në gjykata nga bizneset dhe një vendim i shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, pati vendosi në favor të ZRRE-së, duke mos shtyrë ekzekutimin e daljes në treg të lirë të bizneseve.

Goditje për VV-në – Kushtetuesja e cilëson të pabazuar kërkesën për Presidentin

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka hedhur poshtë kërkesën e paraqitur nga kryeparlamentarja Albulena Haxhiu dhe nëntë deputetë të tjerë lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit.

Vendimi është marrë më 30 mars 2026, ku Gjykata, në mënyrë unanime, ka refuzuar kërkesën si të pabazuar, raporton Paparaci.

Po ashtu, është refuzuar edhe kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 30 mars 2026, ka vendosur për kërkesën me numër të rastit KO68/26, të parashtruar nga znj. Albulena Haxhiu dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së “procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”. Gjykata, njëzëri, vendosi: TË REFUZOJË kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme; T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve; TA PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës; TË KONSTATOJË që ky Vendim hyn në fuqi menjëherë, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit”, thuhet në njoftim.

Haxhiu dhe deputetët i kishin kërkuar Gjykatës Kushtetuese ta vlerësojnë kushtetutshmërinë e “procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”, duke pretenduar se “deputetët e opozitës, me mospjesëmarrje në seancën e jashtëzakonshme dhe votim për zgjedhjen e Presidentit të mbajtur me 5 mars 2026 kanë shkelur Kushtetutën dhe janë në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre të përcaktuara nga Aktgjykimi i lartpërmendur [KO124/25]”.

Rron Gjinovci publikon qëndrimin e Shkëlzen Gashit: Prokuroria Speciale ia konfiskoi telefonin dhe laptopin

Aktivisti Rron Gjinovci ka publikuar qëndrimin e analistit Shkëlzen Gashi, pasi këtij të fundit i janë konfiskuar telefoni personal dhe laptopi nga Prokuroria Speciale e Kosovës gjatë një bastisjeje në banesën e tij.

Shkrimi i plotë i tij:

Postimi në vazhdim është qëndrimi i Shkëlzenit, të cilit i është konfisku telefoni personal dhe laptopi nga Prokuroria Speciale e Kosovës:

Sot rreth orës 14:30, dy persona me veshje civile filluan me trokitë në derën e banesës time në mënyrë të ashpër. Duke pasë parasysh gjuhën e urrejtjes, sharjet, ofendimet dhe sulmet verbale të këtyre ditëve, isha i bindur se dikush kishte ardhë të më sulmojë.  Menjëherë kam njoftuar miq të ndryshëm, të cilët u nisën drejt banesës time e të cilët njëkohësisht e lajmronin policinë. Fatmirësisht, në ato momente në banesë nuk ishin prezentë fëmijët e mi, të cilët do të ishin terrorizuar prej situatës.

Diku mbas njezet minutave vijnë edhe policë të uniformuar dhe vendosa me e hapë derën e banesës. Policët e uniformuar më njoftojnë që personat civilë janë kolegë të tyre. Më prezantuan dokumentin e urdhëresës së prokurorisë dhe filluan bastisjen e banesës. Ata shprehnin interesim për pajisjet e mia elektronike, telefonin dhe laptopin, paswordat e të cilëve m’i kërkuan e të cilat ua dhashë pa asnjë hezitim. Telefoni dhe laptopi u sekuestruan si prova të mundshme dhe, për çudinë time, edhe një kopje e librit Masakrat në Kosovë dhe disa shënime në letër me dorë për ekspozitën.

Me thënë të drejtën, situata m’u duk si andërr, ngase nuk mund të besoja që kjo po ndodh në shekullin XXI në vendin tim, të cilin unë e konsideroj demokracinë më të avancuar në Ballkanin Perëndimor dhe me të cilin jam shumë krenar.

Pas kësaj, policia kërkoi me shku me ta te Prokuroria Speciale për një deklaratë, siç urdhërohej në urdhëresën e nënshkruar nga prokurori Bekim Kodraliu.

Natyrisht, shkova me ta. Prokurorit i thashë sapo hyra që kjo është një përndjekje politike dhe s’ka asnjë lidhje me drejtësinë. Megjithatë, vendosa t’ia sqarojë me detaje çdo pretendim që ai mundej me pasë. Dhe ashtu ndodhi. Mbas 4 orësh përfunduan pyetjet e tij dhe m’u tha se jam i lirë të shkojë në shtëpi. Në fund e ftova prokurorin që, bashkë me njësitet e veta, të vijnë kurdo që kanë nevojë për informata lidhur me aktivitetet e mia.

Nuk mundem pa e thanë që jam i zhgënjyer me institucionet e drejtësisë, të cilat hapur po i përdorin mekanizmat institucionalë për hakmarrje dhe sulme me motive politike. Ndërkohë, ju falënderoj të gjithëve që jeni interesuar për mua këto orë. Po ashtu, edhe njëherë dua të shprehë keqardhjen për këtë situatë, e cila mund t’i ketë lënduar familjarët e viktimave dhe njerëzit e tjerë të prekur nga masakrat dhe lufta në Kosovë. Me keqardhje të sinqertë ju kërkoj falje për çdo shqetësim.

Por i lus të mos harrojnë që, përtej keqleximeve dhe keqkuptimeve, të cilat janë të mundshme e që jam shumë i interesuar t’i adresoj, ky sulm i organizuar ndaj meje, që filloi me rrjetet sociale, vazhdoi nëpër studio televizive e kulmoi në institucionet e (pa)drejtësisë, është dashakeqësi, është hakmarrje dhe luftë politike, të cilën familjarët e viktimave dhe njerëzit e prekur nga lufta nuk ia kanë borxh askujt.

Ditëve në vazhdim, kur ta vlerësoj që është koha e duhur, do t’i paraqes argumentet e mia lidhur me të gjitha pretendimet kundër meje dhe punës time, e të cilat, në kohën kur po shkruhet ky tekst, po vazhdojnë me ndodhë. Përpjekja për të vërtetën është misioni im, për të cilin jam angazhu dhe do të vazhdoj të angazhohem me përkushtim.

Kuvendi mbanë seancë të enjten, këto janë pikat e rendit të ditës

Kryesia e Kuvendit ka caktuar seancë për ditën e enjte.

Të enjten Kuvendi u rikthehet punimeve pas pezullimit të masës së përkohshme të cilën e pati caktuar Gjykata Kushtetueses.

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit kanë miratuar rendin e ditës për seancën e së enjtes.

Rendi i ditës i miratuar:

1. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

3. Pyetjet parlamentare,

4. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-008 për Ratifikimin e Marrëveshjes për qasje në Arsimin e Lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor,

5. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-009 për Ratifikimin e Amendamentit “nr.3 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2018“,

6. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-010 për Ratifikimin e “Amendamentit nr. 2 të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për Programin IPA 2017“,

7. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-011 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale,

8. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-012 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e Përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) për Projektin e efiçencës së energjisë në ndërtesa publike,

9. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-013 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë “ Projekti i Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë” (Kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës,

10. Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-014 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë”,

11. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarura të Mediave,

12. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre (3) anëtarë nga radhët e komunitetit shqiptar dhe për dy (2) anëtarë jo shumicë në Komisionin e Pavarura të Mediave,

13. Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për gjashtë (6) anëtarë nga komuniteti shqiptar, një (1) anëtar nga komuniteti serb dhe një (1) antar nga komunitetet jo shumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës,

14. Propozimi i GP të Listës Serbe për emërimin e deputetit Branislav Nikoliq në komisione parlamentare.

3. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave

Bastiset banesa e Shkëlzen Gashit, Policia e Krimeve të Rënda e shoqëron në polici

Njësiti i Drejtorisë së Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës, me urdhëresë të Prokurorisë Speciale, ka bastisur banesën e Shkëlzen Gashi, kështu ka bërë të ditur Rron Gjinovci.

Sipas asaj që ka bërë të ditur Rron Gjinovci, policia ka shkuar në banesën e Gashit për të mbledhur prova, ndërsa ai është shoqëruar nga policia, por ende nuk është arrestuar.