Murati reagon pas miratimit të 28 milionë eurove nga Kuvendi i Prishtinës: Meritat janë të VV-së

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës për të miratuar bartjen e mjeteve nga viti 2024 në vitin 2025, në vlerë prej 28 milionë eurosh.

Ai i ka dhënë meritat për këtë lëvizje partisë së tij në Asamblenë e Prishtinës, që votuan në favor të bartjes së këtyre mjeteve.

“Sot, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje e votuan bartjen e të hyrave vetanake në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Pra, atë që nuk e bëri Lumir Abdixhiku dhe LDK-ja në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e bëri Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin Komunal, për të zhbllokuar pagesat për shërbimet esenciale publike. Sepse, siç është vërtetuar tash e sa herë, për Lëvizjen Vetëvendosje interesat e qytetarëve çdoherë kanë prioritet”, ka shkruar Murati.

 

 

Gjatë seancës së Kuvendit Komunal, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përsëritur thirrjen e tij ndaj Muratit që edhe 30 milionë eurot e tjera për kryeqytetin të zhbllokohen nga ai.

A do t’i bashkohet LDK-së – NISMA merr vendimin

Negociatat mes Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike e Kosovës dhe Fatmir Limajt të NISMA’s Socialdemokrate kanë dështuar pa ndonjë marrëveshje për bashkëpunim, tash për tash.

Sipas mediave, pengesë ka qenë numri i vendeve që i janë ofruar Limajt në listën e kandidatëve të LDK-së për deputetë dhe shkrirja e tyre në listën e partisë së Lumir Abdixhikut, pa siglën e Nismës.

Mediat kanë kontaktuar të enjten Limajn, por i njëjti nuk është përgjigjur në thirrjet e mediumit e as nuk ka kthyer përgjigje me shkrim. Dje vetë kreu i NISMA’s konfirmoi se po zhvillojnë negociata me LDK-në, duke i hedhur poshtë disa raportime se po negocion edhe me PDK-në.

Po ashtu, edhe kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, deklaroi të hënën se një pjesë e listës së kësaj partie për zgjedhjet e 28 dhjetorit mbetet e hapur, përfshirë edhe për NISMA’n e Fatmir Limajt

“LDK do të kujdeset që një pjesë të listës së vetë, ta hapë për partitë e tjera, përfshirë edhe z. Limaj me deputetët e vetë. Për këtë çështje do të diskutojmë ditëve në vijim, por le të themi se kemi gatishmëri”, deklaroi ai.

“Jemi të hapur edhe për partitë, edhe për individë”, deklaroi Abdixhiku.

Lahu ia nxjerr sekretet VV-së: Keni bo pazare me prona, thojshi hajde te lajna Prishtinën bërllog me mujt Ramën

Berat Lahu, asamblist i pavarur, ia ka nxjerrë sekretet VV-së.

Lahu ka akuzuar Gëzim Sveçlën për pazare me prona.

 

“Ke bo takime e pazare tinza edhe grupit tënd parlamentar, edhe partisë tënde. 4 vjet kryetarit Rama nuk janë të mira, ka plot ngecje, plot çështje që kisha bo ndryshe. Prishtina është keq. Shkoj boj della me Rrahman Haradinain 50 milion euro me ia kalu pronat, kjo më bën me vjell, vjen shitesh në moralin politik që e ka pasur VV-ja dikur, ose e ka ende, po më nuk e ka ma. 4 vjet ia keni bo argatin PDK-së me pru Uran Isamilin në balotazh. VV-ja asnjëherë në Prishtinë nuk ka qenë në vendin e tretë. Mrena grupit ton u thanë hajde te lajna Prishtinën bërllog, e te mujna Ramën”, tha Berat Lahu.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria miraton ndarjen e 200 mijë eurove

Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 200 mijë euro në formë të shpërblimit për Përfaqësuesen e futbollit pas plasimit historik në barazhin për kualifikimet e Kupës së Botës.

Propozimi i vendimit është kumtuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Kurti e prezantoi propozim-vendimin si “një lajm të mirë për Përfaqësuesen tonë në futboll”

“Për suksesin historik të kalimit në fazën e plej-offit të Kupës së Botës, me vendim të qeverisë sot do të ndajmë 200 mijë euro për djemtë tanë dhe Përfaqësuesen e Kosovës”, tha Kurti.

Kurti tha se qeveria në detyrë zotohet të shpërblejë me premio në vlerë 500 mijë euro fitoren potenciale kundër Sllovakisë, rivalit të Kosovës në gjysmëfinalen e pllej-ofit të Botërorit.

Në rast të kualifikimit në Kupën e Botës, Kurti tha se qeveria zotohet edhe për një milion euro të tjera për Përfaqësuesen e Kosovës.

Kësisoj, në rast të triumfit në gjysmë-finale dhe pastaj në finale, djemtë e kombëtares së futbollit do të përfitonin 1.5 milion euro premio nga shteti.

LDK me lëvizjen më të madhe para zgjedhjeve: Katër koalicione pritet të firmosen brenda ditësh!

Lidhja Demokratike e Kosovës më 1 dhjetor do të mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku pritet të merren vendimet politike para zgjedhjeve që do të mbahen më 28 dhjetor.

Sipas burimeve të Indeksonline, në këtë mbledhje do të shqyrtohen koalicionet e mundshme parazgjedhore, si dhe emrat që do të përfshihen në listën e kandidatëve për deputetë.

Të hënën pritet konfirmimi dhe zyrtarizimi i katër koalicioneve parazgjedhore të LDK-së

Ferid Agani,AKR, PSHDK e Zef Morinës pritet të nisin rrugëtimin të hënën me LDK-në.

Po ashtu, Këshilli i LDK-së pritet të diskutojë edhe fatin e Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt, çështje e cila ka qenë temë e bisedimeve të fundit brenda partisë.

Kurti: Jemi në proces të marrim helikopterë “Black Hawk” nga ShBA-ja

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti nga Kazerma e FSK-së tha se sot Kosovë ka një ushtri të pajisur mirë dhe se brezat e ri do të jenë të sigurt të jetojnë në paqe.

“Patëm nderin dhe kënaqësinë të vizitojmë FSK në prezantimin e armatimit dhe pajisjeve të tyre, që na bëjnë krenar dhe të ndjehemi të sigurt si shtet. Është ditë e lumtur, e gëzuar për të gjithë neve, për shkak se me Forcën e sigurisë së Kosovës, me këtë ushtri të pajisur kaq mirë, gjithnjë e më shumë, brezat e ri do të jenë të sigurt të jetojnë në paqe”, tha Kurti.

“Mbi 430 milionë euro është investimi në armatim dhe pajisje në katër vitet e fundit. Më përpara ushtria jonë ka pasur veç automatik dhe revole, do të thotë ka qenë më pak e pajisur, ndërsa tani është e pajisur me teknologji moderne, meqenëse tashmë kemi dyfishim të çizmeve në tokë, të ushtarëve tanë. E kemi pajisur ushtrinë me drona, e do ta kemi së shpejti edhe fabrikën e municionit dhe prodhimit të dronave “Made in Kosova”, shtoi tutje ai.

“Jemi në proces të marrim helikopterë Black Hawk nga ShBA-ja. Është momenti t’i falenderojmë partnerët tanë NATO-n, në veçanti ShBA-në që na qëndrojnë pranë, edhe me pajisje e armatim dhe trajnime të shumta. Janë katërfishuar trajnimet jashtë vendit. Gëzuar të gjithëve Dita e Forcës, 27 nëntori”, tha Kurti te Kazerma e FSK-së.

Dalin mesazhet tepër të rënda që i dashuri i shkruante Daorsës

Vdekja tragjike e studentes 25-vjeçare nga Gjakova, Daorsa Spahiu, në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, ka shkaktuar një valë tronditjeje në opinionin publik.

Ndërsa rrethanat e ngjarjes janë ende në fazën e zbardhjes, publikimi i mesazheve kërcënuese ka shtuar kërkesat për një hetim të thelluar mbi rrethanat që çuan në këtë fund fatal.

Në emisionin “Kosova Live” në televizionin T7, u transmetuan biseda tekstuale që, sipas gazetarit në emision, janë mesazhet kërcënuese që Daorsa kishte marrë nga i dashuri.

Këto biseda përmbajnë gjuhë kërcënuese dhe tregonin për një presion të rëndë psikologjik.

Një nga fjalitë më shokuese të publikuara ishte: “Kom me ta djegj çdo qelizë n’trup çka e ki”, duke lënë të kuptohet për qëllime hakmarrëse dhe dëmtuese.

Mesazhe të tjera, si: “Po deri sa t’hakmerrna n’ty” dhe deklarata se nuk po flinte apo hante derisa të vinte hakmarrja, sugjerojnë një gjendje të rëndë konflikti dhe kërcënimesh të drejtuara ndaj Daorsës.

Mediat lokale kanë raportuar se Daorsa Spahiu dyshohet se kishte qenë nën presion të vazhdueshëm psikik dhe fizik nga personi me të cilin ishte në lidhje. Dëshmitë nga komshinjtë në Tetovë flasin për zhurma dhe britma të dëgjuara shpesh nga banesa ku jetonte studentja, si dhe tregime për vajzën e re të parë në gjendje të rënduar emocionale.

Këto mesazhe, të publikuara fillimisht në kuadër të emisionit “Kosova Live” në T7, shihen si një dëshmi shtesë që kërkon nga organet e drejtësisë të zbardhin plotësisht nëse vdekja e studentes ishte pasojë e një situate të rëndë presioni dhe dhune të vazhdueshme. /Prive By Liberta Spahiu

Më në fund: Qeveria në detyrë ndan mjetet për këto paga

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë ka bërë të ditur se qeveria pritet të ndajë buxhet për pagat e Radio Televizionit të Kosovës.

“Siç e edhe e ka paralajmëruar ministri Hekuran Murati, kemi shqyrtuar disa opsione të mundshme për të dalë nga kjo situatë. Në këtë mbledhje mjetet e nevojshme po ndahen nga kategoria e kursimeve. Pra, kjo zgjidhje e sotshme, apo më mirë të themi kjo mënyrë e tanishme është veçse një improvizim i detyruar pas përpjekjeve tona të vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës për ta miratuar aty buxhetin për RTK-në”, ka thënë ndër të tjera Kurti.

Qeveria Kurti qel kuletën, ndan 1 milion euro…

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së qeverisë, ka njoftuar se qeveria sot ka ndarë 250 mijë euro shpërblim pasi që Kosova ka arritur në fazën e Play Off’it për kualifikimit në Kupën e Botës 2026.

Kurti është zotuar edhe se, do t’i ndahen 500 mijë euro do të ndahen 500 mijë euro në rast të fitores së Kosovës ndaj Sllovakisë, ndërsa 1 milion nëse Kosova kualifikohet në Botëror.

‘‘Një lajm të mirë e kemi për përfaqësuesen tonë në futboll, për djemtë me të cilët jemi krenarë në çdo ndeshje. Për suksesin historik në këtë fushatë të kualifikimieve në kupën e botës 2026, kalimin në fazën e play off, me vendim të qeverisë sot do të ndajmë 250 mijë euro shpërblim.

Në fazën e radhës hyjmë me plot vetëbesim, besimin tonë në ta po e shprehim me zotimin tona për ta. Së pari në rast të fitores ndaj Sllovakisë, zotohemi për shpërblim në vlerë prej 500 mijë eurove. Dhe së dyti, në rast të kualifikimit në Kupën e Botës zotohemi edhe për 1 milion euro shpërblim. Përpara Kosovë, gjithmonë me ty’’, ka thënë Kurti gjatë mbledhjes.

Policia po kërkon këtë grua, kjo është arsyeja

Policia e Kosovës ka lëshuar një kërkesë për bashkëpunim, për të identifikuar një të dyshuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Rasti raportohet të ketë ndodhur në Prishtinë.

“Kërkesë për bashkëpunim – identifikim i personit të dyshuar Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personit që shihet në fotografi. E dyshuara kërkohet për përfshirje në veprën ‘Lëndim i lehtë trupor’”.

“Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e saj, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: info@kosovopolice.com”, thuhet në njoftim.