Thaçi kërkon fjalën në seancën e Hagës, gjyqtari ia jep mundësinë vetëm në fund të seancës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar konferenca javore në çështje ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut,Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit kundër administrimit të drejtësisë.

Ndërkohë që palët po diskutonin për mocionet dhe afatet për dorëzimin e provave gojore, Thaçi kërkoi që të flas. Ndërsa, avokatja e tij, Sophie Menegon tha se komenti i klientit të saj nuk lidhet shumë me mocionet e paraqitjes së provave.

Ndërsa, gjyqtari i vetëm në këtë rast, Christoph Gosnell tha se atij do i jepet mundësia që të bëjë ndërhyrje por njëherë do të vazhdohet me agjendën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ju sugjeroj që të vazhdojmë me agjendën dhe z. Thaçi do iu jepet mundësia që të bëjmë një ndërhyrje në fund të seancës së sotme”, tha gjyqtari.

Ndryshe, në sallën e gjyqit janë të pranishëm fizikisht vetëm Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj ndërsa Thaçi, Smakaj, dhe Kuçi janë të pranishëm përmes video-lidhjes. Përmes videolidhjes janë të pranishëm edhe disa nga avokatet.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Mirena: Listën SRPSKA e ka forcu ma së shumti Albin Kurti e Vetëvendosja

Në emisionin Pressing në T7 sonte po diskutohet për zhvillimet kryesore politike të javës dhe përgatitjet e partive për 28 dhjetorin. Në panel janë Dukagjin Gorani, Blerim Latifi, Ilir Mirena, Enver Dugolli dhe Viktor Buzhala.

Ilir Mirena tha se Vetëvendosja dhe Albin Kurti janë ata që e kanë konsoliduar më së shumti këtë subjekt politik brenda skenës vendore.

“Listën SRPSKA është pjesë e institucioneve të Kosovës prej që ekziston. Listën SRPSKA më së shumti e ka forcu Albin Kurti dhe VV’ja. Sot ajo i ka 10 komuna, as Nenad Rashiqi s’munet me hi mo. Ka pushtet absolut në komunitetin serb në Kosovë. Listën Srpska ia keni miratu vet buxhetin në KQZ, e keni votu, leni këto farsa”, tha Mirena.

Bartja e mjeteve vetanake- ‘Trafiku Uraban’ del me njoftim

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka vendosur sot në një seancë të jashtëzakonshme për bartjen e mjeteve nga viti 2024 në vitin 2025 që kapin vlerën e 28 milionë eurove.

Pas këtij vendimi ka reaguar “Trafiku Urban” në Prishtinë. Kjo kompani njofton se ofrimi i shërbimeve për qytetarët nuk do të mund të bëhet derisa të bëhet transferimi i mjeteve në llogari.

“Deri në realizimin e këtij hapi, N.P.K. “Trafiku Urban” SHA mbetet në pamundësi financiare për të shlyer obligimet ndaj furnitorëve, e rrjedhimisht edhe për të rifilluar operimin normal”, thuhet në njoftim.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Në radhë të parë shprehim keqardhje të thellë për shqetësimet dhe vështirësitë që po ju shkaktohen nga pezullimi i transportit publik. E dimë sa i rëndësishëm është ky shërbim për lëvizjen tuaj të përditshme.

Megjithëse sot Kuvendi Komunal ka votuar bartjen e mjeteve buxhetore nga viti 2024, duhet theksuar qartë se këto mjete mund të bëhen të përdorshme vetëm pas transferimit të tyre nga institucionet qendrore. Deri në realizimin e këtij hapi, N.P.K. “Trafiku Urban” SHA mbetet në pamundësi financiare për të shlyer obligimet ndaj furnitorëve, e rrjedhimisht edhe për të rifilluar operimin normal.

Për këtë arsye e shohim të arsyeshme dhe të domosdoshme që të gjitha institucionet përgjegjëse, përfshirë ministrinë përkatëse, të përshpejtojnë të gjitha procedurat e transferimit, në mënyrë që ndërmarrja të mund t’i kthehet menjëherë shërbimit publik.

Deri në përmbushjen e këtyre obligimeve, dhe për sa kohë mbetet e pamundur të rifillojmë operimin, protesta e paralajmëruar nga punëtorët e Trafikut Urban do të vazhdojë.

Me të bërë të qasshme mjetet financiare, shërbimi i transportit publik do të rikthehet pa asnjë vonesë.

Gjithashtu, i njoftojmë qytetarët se për të gjitha biletat mujore të paguara, do të kompensohen ditët në të cilat shfrytëzuesit nuk kanë mundur të përdorin shërbimin e transportit.

Faleminderit për mirëkuptimin tuaj.

Lahi Brahimaj: Xhelal Sveçla ka qëndruar vetëm një ditë ushtar dhe ka gjuajtur uniformën

Lahi Brahimaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në një intervistë për TV Dukagjini ka folur për situatën në veri dhe për përpjekjet e Policisë së Kosovës, duke komentuar edhe figurat publike dhe mungesën e tyre në luftë.

“Prej ditës së parë është KFOR-i amerikan përgjegjës për kufirin, nuk ka asnjë ndryshim. Unë kam qenë në veri kur kam qenë në mandatin 2012-2013, në çdo lagje të veriut, edhe sot isha te Kulla e Isa Boletinit. Atëherë ka pasur, sot ka simbole serbe; ka pasur ndonjë pengesë aty-këtu, por çdo herë Policia e Kosovës ka qenë kujdestare dhe e ka kryer punën me përpikëri, dhe është e rëndë me iu hup atë mund, atë djersë atyre djemëve, atyre vajzave që shërbejnë në veri, policë të Kosovës, që ka djem të rinj e çika të reja; edhe janë vrarë në veri policët tanë, që përulem para gjakut të tyre edhe në të kaluarën por edhe tani”.

“Neve po na fajësojnë se nuk ka kaluar buxheti i Kosovës, por jo: mbani mend, bash ata polic që u përballën me bandat serbe kriminale në rastin “Banjska”, po ata polic me ardhë me protestu në oborrin e Qeverisë për mëditjet e tyre që iu takojnë nga kjo qeveri; ata polic që edhe kryeministri edhe Xhelal Sveçla krenohen me punën e tyre që e çliruan veriun, i detyruan me ardhë me protestu para Qeverisë. Me ardhë me të shit mend Xhelal Sveçla e Elbert Krasniqi që e çliruan veriun, është e rëndë”.

Brahimaj komentoi më tej figurat publike:

“Xhelal Sveçla ka nejt një ditë ushtar dhe e ka gjuajtur uniformën. Elbert Krasniqi është ministër mirë boll tash, ai mundet me shit mend që e ka çliruar Kosovën, kur Xhelal Sveçla e ka gjuajtur uniformën. Xhelal Sveçla — nuk po them në atë formën klasike që e ka gjuajtur uniformën në baltë, por ka ikur nga lufta, nuk e ka përballuar; është njerëzore edhe me u tut nuk ka asgjë të keqe. Xhelal Sveçla nuk ka qëndruar në luftë fillim e mbarim, sikurse Albin Kurti nuk ka qëndruar në luftë nga dita e parë. Unë kam qenë kur ka ardhur bashkë me Adem Demaçin në malet e Berishës. Albin Kurti në asnjë rrethanë nuk ka pranuar me qenë pjesë e luftës. Adem Demaçi e ka propozuar që të jetë sekretar i zyrës, por me kohën ka dhënë dorëheqje edhe nga ajo detyrë”.

LDK arrin marrëveshjen e parë të bashkëpunimit për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Aleanca Kosova e Re (AKR) do të garojë në zgjedhjet e 28 dhjetori si pjesë e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Vesel Makolli, kryetar aktual i AKR-së ka konfirmuar se kanë arritur marrëveshje me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Po është e vërtetë, unë sot pasdite kisha takim me z.Abdixhiku, ku u morëm vesh të jemi pjesë e listës së tyre. Vendimin e kemi marrë pas përsiatjeve të situatës aktuale politike dhe pas sugjerimeve të presidentit tonë z. Behgjet Pacolli. Nënshkrimin e marrëveshjes do ta bëjmë në mënyrë ceremoniale të martën e ardhshme, deri atëherë do të merremi vesh për detajet e marrëveshjes”, ka thënë Makolli për KlanKosovën.

Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur e hapur për të gjitha partitë politke.

Në një konferencë për media të mërkurën, Armend Zemaj nga LDK-ja konfirmoi se janë në bisedime edhe me Nismën Socialdemokratike.

Tërhiqet Lista Serbe, ftesat për seancën në Mitrovicë të Veriut i dërgon me emrin “Republika e Kosovës”

Lista Serbe ka dërguar ftesa të reja për inaugurimin e kuvendeve komunale, ku tashmë përfshihet edhe emërtimi zyrtar “Republika e Kosovës”.

Ftesa për seancën konstituive të Kuvendit të Mitrovicës së Veriut është shkruar gjithashtu në gjuhën shqipe, duke përmbushur kërkesat ligjore.

Vendimi ka ardhur pasi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që ka rol mbikëqyrës mbi komunat, kishte refuzuar mbajtjen e seancës më 5 dhjetor, duke argumentuar se mungesa e emrit “Republika e Kosovës” në dokumentacion e bën të pavlefshme thirrjen e seancës.

Megjithatë, kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Milan Radojeviq, dhe Lista Serbe kanë njoftuar më herët se nuk do të respektojnë rendin kushtetues të vendit.

Sipas ligjit, çdo dokument zyrtar i institucionit komunal duhet të përmbajë shënimin “Republika e Kosovës” dhe të jetë në të dyja gjuhët zyrtare, shqipe dhe serbe.

Brahimaj: Vuçiqi e Radojçiqi u forcuan gjatë mandatit të Kurtit

Ish-deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, ka drejtuar kritika ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Brahimaj në FIVE të TV Dukagjinit tha se është “paradoksale” mënyra se si Kurti u referohet të tjerëve si “kumbarë me Vuçiqin”, ndërkohë që, sipas tij, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe njerëzit rreth tij “nuk kanë qenë kurrë më të fortë në Kosovë” sesa që nga ardhja e Vetëvendosjes në pushtet.

“Është e çuditshme kur ai i thotë dikujt “kumbari me Vuçiqin”, edhe Vuçiqi e të gjithë ata që i përmend, prej ardhjes së tij në pushtet, kurrë më të fortë nuk kanë qenë. Edhe e dini aferën Kusari-Lila me Radojçiqin… Edhe votimit në sallë kanë qenë dhe kanë votuar Lista Serbe dhe Vetëvendosje, që ishte për pagën minimale kundër kategorive të dala nga lufta. Edhe u zgjodh presidentja – kush e ka bërë kuorumin? VV-ja dhe Lista Serbe… Radojçiqi nuk ka hyrë në Kosovë deri në ardhjen e Kurtit në Qeveri. Vila e Radojçiqit, nëse e sheh prej hartave satelitore, ajo është ndërtuar gjatë mandatit të Albin Kurtit…Me ardhë me të shit mend Xhelal Sveçla e Elbert Krasniqi që e çliruan veriun është e rëndë. Xhelal Sveçla ka qëndruar një ditë ushtar dhe ka hedhur uniformën… Sikur Albin Kurti që nuk ka qëndruar në luftë. Ai nuk ka pranuar në asnjë rrethanë me qenë pjesë e luftës. Dhe si sekretar i Adem Demaçit ka dhënë dorëheqje”, ka thënë Brahimaj.

“VV-ja votoi se nuk pat qare”, Lushaku e ashpër: Ish-anëtari i juaj kallxoi që jeni edhe hajna

Ish-deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka komentuar votimin e VV-së për bartjen buxhetore të Prishtinës, të premten në Asamblenë Komunale të Prishtinës.

Ajo ka thënë se VV-ja ka votuar se nuk pati qare tjetër.

 

 

Sipas saj, VV-ja e ka parë që mund të dënohet më 28 dhjetor për bllokadën. Për këtë shkak, sot votoi në Prishtinë.

“VV votoi bartjen buxhetore të Prishtinës sot, se nuk pat qare!  A po menoni, që qytetarët e harrojnë që, pa protesta, VV as në seanca nuk vinte me votu buxhetin?! A nuk ju kujtohet shefi juj qysh i ka shkulë mikrofonat në seancë për buxhetin? Tash kur e patë që qytetarët protestuan e dojnë me ju dënu më 28 dhjetor, erdhët dhe i votuat”, ka shkruar Lushaku në Facebook.

 

 

“Mbajeni në mend, qytetarët kanë me ju detyru me ikë prej pushtetit, se jeni sabotues e bllokues; për ma shumë jeni hajna: s’po e them unë, po kallxoi Beqir Lahu sot, asambleisti i VV-së”, ka thënë ajo.

Ky është 28-vjeçari që vdiq në aksidentin tragjik në autostradën Tiranë-Durrës

Akil Gjeçi është 28-vjeçari që humbi jetën në aksidentin tragjik të ndodhur gjatë mesnatës në autostradën Tiranë-Durrës.

I riu me origjinë nga Tropoja dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin, i cili më pas është përplasur me bordurat anësore të rrugës, raporton JOQ.

28-vjeçari nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka vdekur në spital.

Murati reagon pas miratimit të 28 milionë eurove nga Kuvendi i Prishtinës: Meritat janë të VV-së

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës për të miratuar bartjen e mjeteve nga viti 2024 në vitin 2025, në vlerë prej 28 milionë eurosh.

Ai i ka dhënë meritat për këtë lëvizje partisë së tij në Asamblenë e Prishtinës, që votuan në favor të bartjes së këtyre mjeteve.

“Sot, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje e votuan bartjen e të hyrave vetanake në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Pra, atë që nuk e bëri Lumir Abdixhiku dhe LDK-ja në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e bëri Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin Komunal, për të zhbllokuar pagesat për shërbimet esenciale publike. Sepse, siç është vërtetuar tash e sa herë, për Lëvizjen Vetëvendosje interesat e qytetarëve çdoherë kanë prioritet”, ka shkruar Murati.

 

 

Gjatë seancës së Kuvendit Komunal, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përsëritur thirrjen e tij ndaj Muratit që edhe 30 milionë eurot e tjera për kryeqytetin të zhbllokohen nga ai.