Bajrami për aksidentin me fatalitet në autostradë: Mospuna e qeverisë po i vret qytetarët
Një grua vdiq sot si pasojë e një vetaksidenti që ka ndodhur në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Për këtë ngjarje të rëndë, ka reaguar kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami e cila kritikoi ashpër institucionet për mosmirëmbajtjen e kësaj autostrade.
Ajo theksoi se ky ka qenë rast tipik ku shteti është dashur të veprojë urgjentisht, qoftë edhe përmes kontratës së negociuar, për ta larguar rrezikun.
Postimi i saj i plotë:
Sot u shua edhe një jetë nga aksidenti që u shkaktua nga dheu që kishte rrëshqitur në autostradën “Ibrahim Rugova” – rrezik ky që dihej, që paralajmërohej tash e një kohë dhe i cili asnjëherë nuk mori vëmendjen e duhur nga institucionet.
Ky ka qenë rast tipik ku shteti është dashur të veprojë urgjentisht, qoftë edhe përmes kontratës së negociuar, për ta larguar rrezikun, por siç duket aty ku për qeverinë nuk ka leverdi ekonomike as përfitim politik, nuk ka as urgjencë.
Viktimat nuk janë thjesht numra, janë familje të cilave u ka ndryshuar jeta përgjithmonë. Po flasim për jetë që mund të ishin shpëtuar, dhe këtu ka njerëz që duhet mënjeherë të japin përgjegjësi.
Në këtë rast mospuna e qeverisë po i vret qytetarët, andaj kryeministri në detyrë duhet të deklarohet sa më parë.
