Tragjedi në Francë – nëna lë dy fëmijët në veturë dhe shkon të bëjë pazar, i gjen të pajetë për shkak të të nxehtit

Dy fëmijë, të moshës 2 dhe 4 vjeç, u gjetën të pajetë mesditën e sotme brenda makinës së familjes së tyre në Carpentras, në jug të Francës, ndërsa vendi po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit.

Sipas prokurores së Carpentras, Helene Mourez, shkaqet e sakta të vdekjes ende nuk janë përcaktuar, por dyshohet se temperaturat e larta mund të kenë luajtur rol vendimtar në tragjedi.

Fëmijët u zbuluan rreth orës 13:10 në automjetin e parkuar pranë banesës së tyre, pasi nëna e tyre ishte kthyer nga pazari. Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve të emergjencës për t’i ringjallur, të dy humbën jetën.

Mediat lokale raportojnë se ende nuk dihet se si fëmijët hynë në makinë dhe sa kohë qëndruan brenda saj. Hetimet paraprake sugjerojnë se ata mund të kenë hyrë në automjet pa dijeninë e nënës së tyre 33-vjeçare.

Ngjarja ndodh në një kohë kur Franca po përjeton një nga valët më të forta të të nxehtit të regjistruara ndonjëherë. Autoritetet kanë vendosur 49 departamente në nivelin më të lartë të alarmit për temperaturat ekstreme, ndërsa mbi 90% e popullsisë pritet të preket nga kushtet e motit.

“Ky zgjidhjet i pret nga qielli”, Doarsa Kica Xhelili tallet me deklaratën e Kurtit për diell

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili, ka ironizuar me deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtin, i cili foli sot për diellin e shiun.

Kica-Xhelili me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se Kurti pret, siç u shpreh ajo, zgjidhje nga qielli, shkruan Insajderi.

“Moti e kam kuptu qe ky zgjidhjet i pret nga qielli! (Besoj per pak del ndonje zyrtar i tij e na tregon si kryeministri paska mendu qe shiu pas diellit eshte bereqet, e nese rasisht bjen, eshte arritje e qeverise)…”, deklaroi ajo.

“Nese ankoheni shumë për diell, mundet edhe me ra shi”, deklaroi Kurti sot. /Insajderi.org/

 

Rrustem Mustafa ironizon zëdhënësin e protestës kundër Ramës me një postim në Facebook

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa (Remi), e ka komentuar zëdhënësin e protestës kundër Qeverisë Rama, Dritan Goxhaj, i cili pretendon se ka qenë ushtar i UÇK-së.

Duke e postuar fotografinë e tij derisa lexonte kërkesat e protestove, ai ka ironizuar me Goxhajn.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar vetëm dy fjalë.

“Përfundimi i protestimit”, ka shkruar Mustafa.

Pritet rritje e madhe e çmimit të cigareve në Gjermani

Cigaret mund të bëhen dukshëm më të shtrenjta në Gjermani, sipas planeve të ministrisë së financave për të rritur gradualisht taksat e duhanit në vitet e ardhshme, raporton agjencia gjermane e lajmeve.

Sipas projektligjit, çmimi mesatar i një pakete me 20 cigare mund të rritet nga rreth 8.80 euro në vitin 2027 në afërsisht 11.40 euro deri në vitin 2030.

Komponenti tatimor i çmimit me pakicë do të rritet nga rreth 4.40 euro në 5.75 euro për pako. Rritjet e planifikuara do të zbatohen edhe për produktet e tjera të zakonshme të duhanit.

Një zëdhënës i ministrisë së financave tha se propozimi “do të shërbejë gjithashtu për të mbrojtur shëndetin publik dhe është në përputhje me qëllimin e uljes së shkallës së pirjes së duhanit tek të rinjtë dhe të rriturit”.

Zëdhënësi shtoi se forcimi i të ardhurave qeveritare është një pjesë kyçe e përpjekjeve për të konsoliduar financat publike.

Ministria pret që masa të gjenerojë miliarda euro të ardhura shtesë. Sipas draftit, të ardhurat shtesë tatimore do të arrinin në rreth 756 milionë euro në vitin 2027, duke u rritur në 1.6 miliardë euro në vitin 2028, 2.5 miliardë euro në vitin 2029 dhe 3.6 miliardë euro në vitin 2030.

Cigaret mbeten relativisht të lira në Gjermani krahasuar me vendet fqinje të Evropës Perëndimore. Sipas Shoqatës Gjermane të Cigareve, një pako me 20 cigare në Gjermani kushtoi mesatarisht 7.33 euro në vitin 2024, krahasuar me 12.07 euro në Francën fqinje.

E konfirmon ADN-ja, trupi i pajetë i gjetur në Cerrunjë i përket 34-vjeçarit

Trupi i gjetur disa ditë më parë në Cërrunjë i përket Eglant Koçit.

Sipas Top Channel, megjithëse grupi hetimor ishte i bindur që trupi i përkiste 34-vjeçarit të humbur që nga data 4 qershor, ishin testet e ADN-së që e konfirmuan 100%, kjo për shkak të shenjës së operacionit, numrit të këmbës 40 dhe rrobave të zeza që kishte kufoma, të njëjtat që Eglanti është parë për herë të fundit.

Tashmë pritet që familja të tërheqë trupin nga morgu i Tiranës.

Trupi i 34-vjeçarit u gjet në proces dekompozimi, pas dy javësh kërkime nga forcat e policisë, të ndihmuar edhe nga forcat e sigurisë së Kosovës si edhe me dronë.

Autoritetet dyshojnë se Eglant Koçi është vrarë nga miku i tij, Armando Shakaj, i cili prej disa javësh është në kërkim.

Taulant Balla: Dritan Goxhaj është zëdhënës i Republikës Islamike të Iranit, sot u zbardh skenari i tubimeve

Në ditën e 23-të të protestës, Dritan Goxhaj lexoi kërkesat që kanë qytetarët që protestojnë përballë Kryeministris. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, thotë se Goxhaj është zëdhënësi i Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri. Sipas Ballës, Goxhaj prej kohësh del në mbrojtje të regjimit terrorist iranian, duke sulmar SHBA-të, Izraelin, por edhe Shqipërinë.

Reagimi i plotë

Sot skenari u zbardh plotësisht! Deklaratën me kërkesa në emër të protestuesve e mbajti “zëdhënësi” i Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri.

Personi quhet Dritan Goxhaj, i cili në media dhe rrjete sociale ka dalë prej kohësh në mbrojtje të regjimit terrorist iranian, duke sulmuar SHBA, Izraelin por edhe Shqipërinë.

E paimagjinueshme se si një ish-pjesëmarrës në UÇK sot bën avokatin e regjimit terrorist të Iranit kundër aleatit tonë SHBA, pa të cilët Kosova nuk do të ishte çliruar kurrë.

Tani “patriotët” edhe ditëzinjtë ta gëzojnë vulën e turpit! Avash avash, të gjitha po dalin! Dhe flamingot do habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme.

Aksident në Prishtinë, vdes një person

Një person ka vdekur sot pas një aksidenti në fshatin Vranidoll të Prishtinës.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Prishtinën, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete.

“Rreth orës 12:00 Policia ka pranuar informatën se në fshatin Vranidoll të Prishtinës ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete. Si pasojë e lëndimeve të marra, një person ka humbur jetën. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor emergjent në vendin e ngjarjes”, ka treguar Pllana.

Njësitet e Trafikut Rajonal të Prishtinës, në koordinim me prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij aksidenti.

Vala e të nxehtit vr’et 18 persona në Francë, duke përfshirë dy fëmijë

Kjo është e paprecedentë. Franca është përballur me një valë të jashtëzakonshme të të nxehtit për gati një javë.

Meteo-France ka vendosur 54 departamente (njësi territoriale) në alarm të kuq për të martën, 23 qershor, një alarm që do të prekë rreth 39 milionë njerëz.

Të hënën, më shumë se 450 rekorde nxehtësie u thyen ose u barazuan në të gjithë vendin, duke e bërë ditën, me një temperaturë mesatare kombëtare prej 29.2 °C, më të nxehtën e tretë të regjistruar ndonjëherë, shkruajnë mediat e huaja.

Në departamentin e Cher, temperatura madje u ngjit në 43.3 °C.

Në Paris, zhiva mund të kalojë 40 °C në mes të javës. Por kryeqyteti tashmë ka thyer rekordin e tij të temperaturës për qershorin, me 38.4 °C të regjistruar të hënën.

Qytete të tjera gjithashtu vendosën rekorde të reja, duke përfshirë Rennes (40.6 °C), Angers (40.9 °C), Saintes (42 °C) dhe Bordeaux (41.9 °C).

Një tjetër njësi ndërministrore krize do të kryesohet nga Sébastien Lecornu të martën, e dyta brenda pak ditësh.

Kjo valë e nxehtësisë, e ngjashme me atë të gushtit 2003, ka marrë tashmë disa jetë.

Të hënën, në Vaucluse, dy fëmijë u gjetën të vdekur në makinën e familjes pasi u mbyllën brenda. Një ditë më parë, tre të moshuar vdiqën në shtëpinë e tyre në Gironde.

Noti gjithashtu ka rezultuar vdekjeprurës. Gjatë fundjavës, 13 persona u mbytën në të gjithë vendin, sipas Mbrojtjes Civile. /Telegrafi

Djali s’arrin të kontaktojë me nënën për dy ditë, e gjen pa shenja jete në banesë

Një grua është gjetur pa shenja jete në banesën e saj në Fushë Kosovë, pasi familjarët nuk kishin arritur të kontaktonin me të për dy ditë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, rasti është raportuar më 22 qershor, rreth orës 10:35, në Stacionin Policor në Fushë Kosovë, nga ankuesi F.G.

Ai ka njoftuar Policinë se kishte dy ditë që nuk kishte arritur të kontaktonte me nënën e tij dhe, pasi kishte shkuar në banesën e saj në rrugën “Hashim Hajdini”, e kishte gjetur pa shenja jete.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipi emergjent, ku është konstatuar vdekja e viktimës.

Trupi i pajetë është tërhequr nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për procedura të mëtejshme.

Pas konsultimit me Prokurorin kompetent, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.

Hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit janë në vazhdim.

E rëndë: Humb jetën aksidentalisht biznesmeni i njohur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm, ku ka humbur jetën aksidentalisht Bedri Krasniqi, pronar i fabrikës së plastikës në Negroc.

Lajmi për vdekjen e tij ka pikëlluar familjarët, miqtë dhe të njohurit, ndërsa Bedri Krasniqi njihej si një biznesmen i përkushtuar dhe i respektuar nga të gjithë.

Rrethanat e plota të rastit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa familja dhe të afërmit po përballen me dhimbjen e humbjes së tij të parakohshme.

Ngushëllime familjes Krasniqi, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën të ndjerin. Qoftë i përhershëm kujtimi për të.