“Si nuk u ngopët kurrë?” – Deputeti i VV-së ironizon kreun e LDK-së

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë reaguar pas përplasjes brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku degët e kësaj partie në Pejë dhe Lipjan kanë kërkuar dorëheqjen e Lumir Abdixhikut si Kryetar i partisë.

Abdixhiku në reagimin ndaj këtyre kërkesave, ndër të tjera shkroi “si nuk u ngopën kurrë”.

Ka qenë deputeti i zgjedhur i VV’së, Ilir Kërçeli, ai që ka ironizuar me këtë deklaratë.

“Të njëjtën pyetje e kisha edhe unë gjatë fushatës për lidershipin e LDK-së. Si nuk u ngopët kurrë? 🙂”, thuhet në postimin e Kërçelit./Reporteri.net

Dega e LDK-së në Pejë kërkon dorëheqjen e lidershipit pas rezultatit në zgjedhjet e 7 qershorit

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë ka kërkuar përgjegjësi nga lidershipi i partisë pas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke kërkuar edhe dorëheqjen.

Në një reagim të publikuar në rrjetin social Facebook, dega e LDK-së thotë se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja.

“Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë.

Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja.

Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”, thuhet në reagim.

Edhe LDK në Lipjan kërkon dorëheqjen e Abdixhikut

Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan, pas mbledhjes së mbajtur së bashku me kryetarët e nëndegëve, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, duke e cilësuar këtë si standard të përgjegjësisë politike dhe akt reflektimi pas mesazhit të dhënë nga qytetarët përmes votës.

Në njoftim, Dega e LDK-së në Lipjan fillimisht ka shprehur mirënjohje për strukturat e degës, aktivistët dhe anëtarësinë për angazhimin gjatë procesit zgjedhor. Po ashtu, janë falënderuar qytetarët e Komunës së Lipjanit për pjesëmarrjen dhe kontributin në një proces zgjedhor demokratik, të qetë dhe dinjitoz.

Sipas postimit, LDK në Lipjan ka kaluar nga 6,338 vota, apo 19.40 për qind, në zgjedhjet e dhjetorit, në 6,455 vota, apo 23.60 për qind, në zgjedhjet e qershorit 2026.

Megjithatë, Kryesia ka vlerësuar se rezultati mbetet larg pritjeve dhe angazhimit të strukturave lokale. Sipas saj, rezultati në nivel vendi nuk mund t’u atribuohet vetëm strukturave lokale, por reflekton edhe gjendjen, organizimin, funksionimin dhe kapacitetin politik të partisë në nivel qendror.

Gjendet trupi i pajetë i 5-vjeçarit shqiptar që ishte zhdukur në një lumë në Zvicër

Para pak çastesh është gjetur trupi i pajetë i pjesëvjeçarit shqiptar që ishte zhdukur lumin Reuss, pranë lokalitetit Mühlau në Zvicër.

Për gjetjen e trupit të tij ka njoftuar Ridan Tahiri, i cili ka shkruar në rrjetin social facebook.

“Pak para arritjes në Zvicër. Konfirmohet se trupi i Tianit eshte nxjerr nga uji. Familjes i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Falënderoj të gjithë ata vullnetarë që kontribuan.”, ka shkruar Tahiri.

Ndryshe, që nga e dita e shtunë, kanë vazhduar kërkimet për Tian Rrahimi, 5-vjeçari me prejardhje shqiptare, që ishte zhdukur në lumin Reuss.

Zhdukja e tij ka ndodhur pasi që ai dhe familjarët ishin përfshirë në një aksident teksa ndodheshin në një gomone.

Prindërit dhe motra e tij shtatëvjeçare arritën të notonin deri në breg, derisa pesëvjeçari është zhdukur që atëherë.

Për kërkimin e tij ishin angazhuar autoritetet zvicerane, si dhe një numër i madh vullnetarësh.

Mbytet në det 50-vjeçari në Durrës

Një shtetas 50-vjeçar është mbytur pasditen e kësaj të marte në plazhin e Durrësit.

Sipas informacioneve paraprake, 50-vjeçari është nxjerrë nga uji pa shenja jete, ndërsa rrethanat që çuan në ngjarjen e rëndë mbeten ende të paqarta./Euronews.al

Gresa Hasa ironizon Ramën: Pas grekëve, serbëve e rusëve, tani fajin për protestat e ka Albin Kurti

Aktivistja Gresa Hasa ka ironizuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhe mbështetësve të tij lidhur me protestat në Tiranë, duke thënë se pas një sërë “armiqsh” të shpallur më herët, tani fajtor për zhvillimet është bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në një reagim në rrjetet sociale, Hasa ka kritikuar përpjekjet për t’i atribuar protestat faktorëve të jashtëm.

“Ishte vetëm çështje kohe: pas ‘agjenturave greke, serbe, ruse’, tani fajin e ka Albin Kurti. Ji pak kreativ të paktën, o Edi Rama, o dështak!”, ka shkruar ajo.

Reagimi i Hasës vjen në mes të debatit të ndezur për pjesëmarrjen e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat që po mbahen prej javësh në Tiranë.

Mustafa Nano mesazh për protestuesit: Mbani distancë nga qentë e Hamasit dhe zagarët e Berishës

Gazetari dhe analisti politik Mustafa Nano ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me protestën e zhvilluar në Tiranë.

Përmes një postimi, Nano u ka bërë thirrje protestuesve që të mbajnë distancë nga grupet që ai i cilëson si ekstremiste apo të lidhura politikisht.

“Hej protestues, mos e ndalni veprën tuaj të madhe. Mbani distancë nga qentë e Hamasit e zagarët e Berishës”, shkruan Nano në reagimin e tij.

Haxhiu do t’i drejtohet Supremes për rinumërimin e votave të kandidatëve të PDK-së

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Supreme për të kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të kësaj partie, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) gjatë ditës së djeshme hodhi poshtë ankesën e tij.

Në një prononcim për KOHËN të martën, Haxhiu ka thënë se vendimi i PZAP-së nuk mund të ketë saktësi pasi nuk është urdhëruar numërimi i të gjitha votave, edhe pse siç thotë ai, ka konstatuar se ka ndryshime në numërimin e votave për kandidatët për deputetë.

“PZAP-ja ka konstatuar se ka ndryshime në numërimin e votave për deputetë. Pas rinumërimit disave u janë shtuar votat, disa u janë hequr. Nuk ka urdhëruar numërimin e të gjitha votave për të pasur saktësi. Por është dhënë një konstatim se gjoja ato janë gabime minimale, mirëpo ligji thotë se çdo votë duhet të jetë e numëruar me saktësi. Prandaj do t’i drejtohemi Gjykatës Supreme për me kërku rinumërimin e të gjitha votave për kandidatët për deputetë të PDK-së”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu, që është i 23-ti për kah votat në PDK, nga 22 që kanë fituar mandat, ka pretenduar se meqë dallimi me Rrustem Mustafën, i cili është zgjedhur deputet, është 102 vota dhe rinumërimi i 7.41% e vendvotimeve ia ka kthyer 6 vota, një rinumërim i plotë do të mund ta ndryshonte renditjen dhe përbërjen e Kuvendit.

Megjithatë, PZAP-i devijimet i ka konsideruar minimale.

Në rast se edhe Supremja hedh poshtë ankesën e Haxhiut, hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja.

Tragjedi në Francë – nëna lë dy fëmijët në veturë dhe shkon të bëjë pazar, i gjen të pajetë për shkak të të nxehtit

Dy fëmijë, të moshës 2 dhe 4 vjeç, u gjetën të pajetë mesditën e sotme brenda makinës së familjes së tyre në Carpentras, në jug të Francës, ndërsa vendi po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit.

Sipas prokurores së Carpentras, Helene Mourez, shkaqet e sakta të vdekjes ende nuk janë përcaktuar, por dyshohet se temperaturat e larta mund të kenë luajtur rol vendimtar në tragjedi.

Fëmijët u zbuluan rreth orës 13:10 në automjetin e parkuar pranë banesës së tyre, pasi nëna e tyre ishte kthyer nga pazari. Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve të emergjencës për t’i ringjallur, të dy humbën jetën.

Mediat lokale raportojnë se ende nuk dihet se si fëmijët hynë në makinë dhe sa kohë qëndruan brenda saj. Hetimet paraprake sugjerojnë se ata mund të kenë hyrë në automjet pa dijeninë e nënës së tyre 33-vjeçare.

Ngjarja ndodh në një kohë kur Franca po përjeton një nga valët më të forta të të nxehtit të regjistruara ndonjëherë. Autoritetet kanë vendosur 49 departamente në nivelin më të lartë të alarmit për temperaturat ekstreme, ndërsa mbi 90% e popullsisë pritet të preket nga kushtet e motit.

“Ky zgjidhjet i pret nga qielli”, Doarsa Kica Xhelili tallet me deklaratën e Kurtit për diell

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili, ka ironizuar me deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtin, i cili foli sot për diellin e shiun.

Kica-Xhelili me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se Kurti pret, siç u shpreh ajo, zgjidhje nga qielli, shkruan Insajderi.

“Moti e kam kuptu qe ky zgjidhjet i pret nga qielli! (Besoj per pak del ndonje zyrtar i tij e na tregon si kryeministri paska mendu qe shiu pas diellit eshte bereqet, e nese rasisht bjen, eshte arritje e qeverise)…”, deklaroi ajo.

“Nese ankoheni shumë për diell, mundet edhe me ra shi”, deklaroi Kurti sot. /Insajderi.org/